Ndërlidhjet

logo-print

Rryma importohet gjatë projektit për ngrohje me avull


Korporata Energjetike e Kosovës ka ndalur prodhimin nga një njësi e Termocentralit “Kosova B”, për shkak të projektit që i mundëson ngrohtores në Prishtinë, Termokos, të lidhet me njësitë e këtij Termocentrali për ta shfrytëzuar avullin për ngrohje.

Drejtori ekzekutiv për Shërbimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, Edmond Nulleshi, për Radion Evropa e Lirë tha se KEK-u ka aprovuar kërkesën e Komunës se Prishtinës për të shfrytëzuar avullin, kurse Qeveria e Kosovës, për këtë qëllim, ka marrë vendim ta ndalë njësinë B1 të Termocentralit “Kosova B” për 11 ditë.

Ky projekt zgjat aq, ka filluar më 8 nëntor dhe quhet “projekt i kogjenerimit”.

Kjo ndalesë nuk ishte e planifikuar në bilancin energjetik, thotë Nulleshi, duke treguar edhe çmimin e kësaj ndalese, e cila kushtëzon importimin e rrymës.

“KEK ka bërë llogaritjen, e cila është aprovuar edhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE, )dhe shkon në 170 mijë euro në ditë, plus 90 mijë euro pët lëshim në punë të njësisë".

"Mbi këtë duhet shtuar edhe koston e importit shtesë për shkak të mungesës së prodhimit të planifikuar,e qe bie barrë mbi KEDS-sin, si furnizues publik. Në total, vlerësohet se kostoja e kësaj ndalese për 11 ditë do të jetë rreth 4.6 milion euro”, thekson Nulleshi.

Në anën, tjetër zyrtarë të Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) thonë se tashmë kanë marrë të gjitha masat e nevojshme që të ketë stabilitet energjetik gjatë kësaj periudhe.

Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra tha se është siguruar energji e mjaftueshme për të zëvendësuar prodhimin e zvogëluar vendor të energjisë.

Aktualisht, sipas tij, rryma është duke u importuar nga Sllovenia dhe Bullgaria.

“Përfundimisht në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara për shkak të ndaljes se njësisë B1 të Termocentralit 'Kosova B', prodhimi që vinte nga ajo njësi e energjisë elektrike do të zëvendësohet me import të shtuar, rreth 265 megavat në orë”, shprehet Shkodra.

Ekspertë për çështje energjetike, e konsiderojnë të nevojshëm projektin e ngrohjes më avull nga termocentralet, por sipas tyre, reduktimet me energji gjatë kësaj periudhe nuk do të mungojnë.

Ish ministri i Energjisë dhe Minierave, Et'hem Çeku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se projekti i kogjenerimit është paraparë të zhvillohet me blloqet e reja, të cilat është dashur të përfundonin në vitin 2012.

Varësia e ngrohjes nga blloqet vjetra të KEK-ut, për zotin Çeku është problematik.

“Përmes sistemit të ndërtim të blloqeve të reja do të kishin furnizim të rregullt më energji elektrike. Çfarë do të bëjë Prishtina, dhe qytetarët e Prishtinës kur në shumicën e rasteve kemi dalje jashtë sistemit të planifikuar të blloqeve [të vjetra] dhe sa herë do të dalë nga sistemi blloku, edhe ngrohja e Prishtinës do të dalë jashtë sistemit”, thekson Çeku.

Energjia elektrike përdoret si burim kryesor për ngrohje. Shpresat janë që me projektin e kogjenerimit të dëshmohet zvogëlimi i konsumit të energjisë elektrike. Në rast të dështimit të këtij projekti, funksionalizimi i tij mund të shtyhet për vitin e ardhshëm.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG