Ndërlidhjet

Gjykata Speciale, detyra e parë për institucionet e reja


Ilustrim ©Shutterstock

Ilustrim ©Shutterstock

Themelimi i Gjykatës Speciale pritet të jetë një nga detyrat dhe obligimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova përsipër menjëherë pas formimit të institucioneve të reja.

Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marti, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas miratimit politik nga autoritetet e Prishtinës, tani proceduralisht mbetet që institucionet e reja të krijojnë bazën ligjore për themelimin e kësaj Gjykate.

Profesori i çështjeve kushtetuese - juridike, Riza Smaka thotë se për themelimin e saj, Kosova do të ketë nevojë të miratojë bazën ligjore, pasi që një Gjykatë e tillë nuk parashihet me ligjet aktuale.

"Do të duhet të bëhet ndryshimi dhe modifikimi i Ligjit për Gjykatat dhe aty të përcaktohet ndër tjera edhe kjo Gjykatë. Më pastaj, besoj se do të duhet të bëhet një akt ligjor special që i parasheh këto dispozita tjera sa i përket juridiksionit të kësaj Gjykate dhe të miratohej në procedurë, në mënyrë që të fillojë së zbatuari Ligji për Gjykatën Speciale", ka thënë Smaka, për Radion Evropa e Lirë.

Selia e Gjykatës Speciale është thënë se do të jetë jashtë Kosovës.

Një veprim i tillë, ishte arsyetuar edhe me punën më efikase të saj dhe shmangien nga presionet eventuale politike.

Si vend potencial për selinë e kësaj gjykate është përmendur Holanda. Ambasadori holandez në Prishtinë, Robert Bosch ka deklaruar gjatë një debati të organizuar nga Lëvizja Fol se ende nuk ka një vendim të prerë dhe se kjo çështje është në diskutim e sipër.

"Nuk është vendosur ende asgjë. Nuk na takon ne, por Bashkimit Evropian që të vendos, pasi që kemi të bëjmë me një projekt të BE-së, përkatësisht EULEX-it. Ata bisedojnë me ne e ne me ta, por asgjë nuk është vendosur ende", ka thënë ambasadori Bosch.

Sipas tij, gjithçka në këtë proces është vonuar për shkak të mungesës së qeverisë dhe institucioneve të reja të Kosovës, të cilat pasi të formohen do ta diskutojnë këtë çështje me autoritetet e Bashkimit Evropian.

Themelimi i Gjykatës Speciale nga profesori Riza Smaka shihet si tregues i dështimit të organeve të ndjekjes penale, si atyre të dikurshme të UNMIK-ut, EULEX-it apo organeve vendore.

Profesori Smaka thotë se Gjykata Speciale, tani vjen si obligim ndërkombëtar që ka marrë sipër Kosova. Por, në fakt, sipas tij, themelimi i saj paraqet dhe imazh të keq për shtetin e ri evropian.

"Kjo Gjykatë nuk do të vinte në shprehje as si ide për diskutim, por ajo është pikërisht rezultat i dështimit të gjyqësorit. Ta zëmë se sa vrasjet kanë ndodhur në mënyrë enigmatike, shumë provokuese e irrituese dhe nuk është zbuluar po thuajse asnjë rast, pastaj nuk procedohen çështjet, nuk gjykohen, nuk ekzekutohen aktgjykimet, parashkruhen e ka raste kur zhduken lëndët dhe këto janë paradokse", ka deklaruar Riza Smaka.

Gjykata e veçantë apo speciale, pritet të trajtojë raste të dyshuara të krimeve të luftës si dhe ato të fazës së parë të pasluftës.

Themelimi i kësaj Gjykate nga ekspertët e çështjeve penale - juridike ishte konsideruar si dështim jo vetëm i organeve vendore, por edhe autoriteteve ndërkombëtare që për këto 14 vjetët e fundit kishin punuar në fushën e drejtësisë dhe gjyqësorit në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG