Ndërlidhjet

Serbët nuk refuzojnë shqyrtimin për themelimin e FAK-ut


Forca e Sigurisë së Kosovës
Forca e Sigurisë së Kosovës

Përfaqësuesit e bashkësisë serbe në Kuvendin e Kosovës, nuk do të refuzojnë diskutimin e çështjes së shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, kur kjo çështje të arrij për diskutim në kuvend, kanë deklaruar zyrtarët e Listës Serbe, e cila ka 9 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, nevojiten ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që ato nuk mund të bëhen pa dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendit të Kosovës, si dhe dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë bashkësitë e pakicave në Kuvend.

Në fillim të muajit maj të këtij viti, partitë shqiptare në Kuvendin e Kosovës, në mandatin e kaluar, kishin deklaruar se do ta votonin themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, por kjo nuk ishte arritur për shkak të refuzimit të deputetëve të bashkësisë serbe që ta votojnë atë.

Aleksandër Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe , thotë për Radion Evropa e Lirë, se çështja e themelimit të Forcës së Armatosur të Kosovës, nuk do të refuzohet si temë diskutimi nga deputetët e këtij subjekti, kur kjo temë të aktualizohet sërish në Kuvend.

“Secila temë, për të cilën vlerësimi dhe gjykimi për të do të ishte i drejtë dhe i barabartë, duhet fillimisht të shqyrtohet. Kjo nënkupton temat prej më të lehtave e deri te ato më të rëndat, sikurse edhe është çështja e formimit të Forcës së Armatosur të Kosovës."

"Ne jemi për politika të tilla që të shqyrtojmë secilin propozim që vjen nga pala tjetër dhe të dëgjojmë argumentet e palës tjetër. Në qoftë se diçka pranojmë ose nuk pranojmë, ne do t’i themi argumentet tona për këtë, në mënyrë që pala tjetër të ketë mundësi t’i përmirësoj mungesat eventuale për të cilat ne mund të kemi vërejtje”, ka theksuar Jabllanoviq.

Ai ka shtuar se çështja e formimit të Forcës së Armatosur të Kosovës është temë serioze dhe mjaft e rëndë dhe për të nuk mund të vendoset aty për aty. Lidhur me këtë çështje, Lista Serbe, siç ka thënë ai, do të konsultohet edhe me Beogradin zyrtar.

Petar Miletiq, ish nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e bashkësisë serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se formimi i Forcës së Armatosur të Kosovës është problem mjaft kompleks, për të cilin, sipas tij, nuk pyetet vetëm Kuvendi i Kosovës..

“Kjo është diçka për të cilën pyetet NATO dhe për të cilën duhet të pyeten Prishtina dhe Beogradi. Unë mendoj se kjo çështje gjithsesi duhet të gjendet në tavolinë në Bruksel, kur një ditë do të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, theksoi Miletiq.

Por, implikimi në këtë çështje i Beogradit zyrtar, i cili më parë është deklaruar kundër formimit të Forcës së Armatosur të Kosovës, a do të mund të krijonte barrierë për serbët e Kosovës që të vendosin për themelimin e kësaj force?

Jabllanoviq, vlerëson se barrierat ekzistojnë vetëm në rast se pozicioni i një pale është i atillë që nuk dëshiron fare të diskutoj për një temë. Por, sipas tij, Lista serbe, nuk ka pozicionime të tilla dhe ai shpreh mendimin se duhet mundësuar që përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës të sqarojnë qëllimin e tyre lidhur me formimin e FAK-ut.

“Nëse ne do t’i refuzonim ata që në fillim, atëherë, do të thotë edhe ata nesër nuk do të duhej të kishin vëmendje për asnjë ide tonën. Ne mbesim prapa qëndrimit që duhet të bisedojmë për të gjitha, madje edhe në qoftë se nuk pajtohemi për disa tema”, tha Jabllanoviq.

Miletiq ka theksuar se lidhur me çështjen e themelimit të FAK-ut “duhet pasur mjaft kujdes dhe për një çështje të tillë fillimisht duhet dëgjuar mendimin e NATO-s, e cila në Kosovë e ka forcën kryesore të armatosur, e njohur si KFOR”.

Ndryshe, në përvjetorin e gjashtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me 26 nëntor, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se është shtuar nevoja për krijimin e një force moderne të armatosur në Kosovë. Ajo ka theksuar se “e ardhmja e Forcës së Armatosur të Kosovës, që nuk ka alternativë, mbetet punë parësore për Kuvendin e ri”.

XS
SM
MD
LG