Ndërlidhjet

logo-print

Rreth 270 mijë persona të papunë në Maqedoni


Shkup

Shkup

Rritet numri i të papunëve në Maqedoni. Sipas të dhënave nga agjencia e punësimit gjatë muajit tetor janë evidentuar rreth 230 mijë persona të pa punë ndërsa 12 mijë për herë të parë kanë kërkuar, apo që janë regjistruar si të pa punë në këtë institucion që merret me çështje që kanë të bëjnë me punësimin.

Nga evidenca janë shlyer rreth 3 mijë persona për shkak të punësimit ndërsa rreth 2500 të tjerë për shkak të mos përmbushjes së kritereve për të kërkuar punë. Rritja e numrit të të papunëve është regjistruar përgjatë vitit, kështu që nga fillimi i 2014-ës janë gjithsej 25 mijë persona që iu janë bashkangjitur grupit të të papunëve të evidentuar në agjencinë e punësimit.

Rritjen e numrit, drejtuesit e institucioneve e arsyetojnë me paraqitjen në listë të punëtorëve sezonal.

“Atyre që ishin të punësuar si punëtorë sezonal tani iu skadojnë marrëveshjet e punës dhe normalisht se kthehen në evidencën e të papunëve. Këtu gjithashtu bëjnë pjesë edhe personat të cilëve u ka skaduar masa e dënimeve për shkak të mungesës së dokumentacionit të duhur dhe tani edhe këta persona kanë të drejtë të regjistrohen si të papunë”, thotë Vllatko Popovski, drejtor i agjencisë së punësimit.

Por, të dhënat e agjencisë së punësimit dhe ato të entit shtetëror të statistikës, dallojnë shumë sa i përket numrit të të papunëve. Derisa agjencia flet për rreth 220 mijë, të dhënat e entit statistikor në publikimin “Maqedonia në numra në vitin 2014”, tregojnë se numri i të papunëve sillet në rreth 270 mijë persona.

Zdravko Savevski, nga organizata joqeveritare “Solidarnost”, që merret me të drejtat e punëtorëve, thotë se shkak për dallimin prej rreth 50 mijë personave, qëndron në metodologjinë e punës pasi enti i statistikës punon sipas kritereve të eurostatit, përkatësisht nëse një person ka punuar qoftë edhe një orë punë brenda javës, llogaritet si i punësuar.

Ai dallimin në të dhëna e arsyeton edhe me kriteret e rrepta për evidencë që aplikon agjencia e punësimit.

“Agjencia e punësimit me qëllim që të tregoj numër sa më të vogël të të papunëve dhe për të mos harxhuar mjete për këtë kategori të qytetarëve aplikon kritere tepër rigoroze për regjistrim, apo për ruajtjen e statusit si i papunë”, thotë Savevski.

Nga ana tjetër, Visar Ademi, njohës i çështjeve ekonomike thotë se numri i të papunëve të Maqedoni çdoherë ka qenë objekt i polemikave të ndryshme.

Ai thotë se qeveria në vazhdimësi ka tentuar përmes formave të ndryshme të tregoj se gjoja papunësia në vend është gjithnjë e më e ulët, por që në realitet është e kundërta, apo të flas për rritje ekonomike, por që në fakt kemi ngecje si në investime, apo edhe në krijimin e kushteve për konkurrencë dhe rrjedhimisht përspektivë për mirëqenie më të mirë të qytetarëve.

“Si rezulat i kësaj, unë parashikoj se do të ketë shumë pakënaqësi sociale që vijnë parasegjithash si rezultat i politikave të gabuara të qeverisë. Prandaj nuk besoj se kemi papunësi më të ulët reale, por kemi papunësi më të ulët administrative që janë rezultat i metodologjisë jo të drejtë që kanë institucione, apo nga ligjet që bën qeveria që të paktën këto persona ti fshijë në letër për të fshirë këto persona duke parë se nuk ka asnjë rezultat nga politika që po i promovon gjithnjë e më tepër“, thotë Ademi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG