Ndërlidhjet

logo-print

Ndërrimi i pronësisë se kompleksit të minierave “Trepça” nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek ekzekutivi në Prishtinë, hap një epokë të re për zhvillimin e këtij kompleksi, konsiderojnë menaxherë të kësaj ndërmarrjeje dhe përfaqësues të bizneseve.

"Trepça" deri më tash ka qenë ndërmarrje shoqërore, dhe ndërmarrjet me status të këtillë menaxhohen nga AKP-së. Me vendimin e qeverisë, pritet që ky status të ndryshojë dhe kompleksi të jetë ndërmarrje publike, e cila do të menaxhohet nga qeveria.

Për t'u mundësuar ndërrimi i pronësisë se “Trepçës , Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar projekt-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Kurse, kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që projekt ligji të shqyrtohet ditën e hënë, me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, duke shmangur në këtë mënyrë Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Halil Qela, udhëheqës për Hulumtim, Zhvillim dhe Mjedis në këtë kombinat, vendimin e qeverisë për ndërrim të pronësisë se këtij kombinati e konsideron shpresë për ringjallje të Trepçës, pasi sipas tij, menaxhimi i saj nga Agjencia Kosovare e Privatizimit ka qenë rrugë e dështuar dhe njëherit asestët e Trepçës kanë qenë të rrezikuara.

“Unë mendoj se nuk duhet të ketë një status të njëjtë më ndërmarrje publike, për shembull me Postën dhe Telekomin ose Korporatën Energjetike të Kosovës, sepse ato megjithatë ofrojnë shërbime".

"Kjo duhet të jetë një interes nacional për zhvillimin e vendit ku bëhet ndërmarrje publike në kuptimin e menaxhimit shtetëror të një bordi, i cili do të ishte profesional, që mbikëqyrë menaxhmentin e bordit dhe një plan zhvillimor afat mesëm dhe afat gjatë që përcjell bordi për menaxhim”, tha Qela.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit e përkrahin vendimin e qeverisë për ndërrimin e pronësisë se Trepçës. Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë edhe më herët patën rekomanduar që të miratohet një ligj për Trepçën dhe mundësinë e shndërrimit nga ndërmarrja shoqërore në atë publike.

Arian Zeka, krye shef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se më vendimin e qeverisë hapet mundësia që gjiganti metalurgjik “Trepça” të bëhet potencial i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik.

Pas ndërrimit të pronarit, qeveria më aprovim të Kuvendit ka mundësi që edhe të privatizojë ndërmarrjet publike, por kjo varet se çfarë përmban projekt ligji i cili do të shqyrtohet të hënënnë Kuvend.

Edhe Zeka konsideron se zgjidhja më e mirë për zhvillimin e Trepçës, duhet të jetë privatizimi.

“Qeveria nuk ka kapacitete të mjaftueshme financiare që t'ia lejojë vetes të bëjë investime substanciale në Trepçë, në mënyrë që të shndërrohet në ndërmarrje profitabile. Ndoshta mund të bëjë disa investime themelore sa për të ngritur vlerën e saj para tentimit për privatizim. Megjithatë nuk mund të përjashtohet se zgjidhja më e mirë do të kishte qenë pikërisht privatizimi për ta bërë atë”, tha Zeka

Gjiganti metalurgjik “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, ka qenë nën moratoriumin e vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administrator i saj.

Ditë më parë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka marr vendim që “Trepcën” ta çojë në likuidim nga data 2 shkurt, arsye kjo për veprime të shpejta të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës

Kombinati “Trepça”, si gjigant ekonomik kosovar me asete dhe degë të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet ‘80, me mbi 20 mijë punëtorë.

Trepça është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë.

Aktualisht, merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut, por është edhe ndërmarrje industriale.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG