Ndërlidhjet

Ditëve të fundit, mijëra qytetarë kanë protestuar me kërkesën ndaj kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa që të shkarkoj ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, për shkak të, siç është vlerësuar, deklaratave fyese ndaj familjarëve të viktimave të luftës.

Poashtu, në protesta është kërkuar edhe shndërrimi i kombinatit “Trepça, në ndërmarrje publike.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se protestat e fundit, në të cilat kanë marrë pjesë mijëra qytetarë, dhe që janë vlerësuar të organizuara nga partitë opozitare, kanë nxjerrë në pah antagonizmat e thellë ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se duke marrë parasysh që në demokraci, opozita është pjesë e sovranitetit të popullit, për aq sa ka numra në Kuvend, pushteti nuk ka të drejtë ta shtypë opozitën, për shkak se shtyp sovranitetin e popullit.

Por, në anën tjetër, sipas tij, opozita parlamentare, të cilës aktualisht i prin Lëvizja Vetëvendosje, përmes mitingjeve partiake po thirret në emër të popullit.

Sipas Matoshit, opozita nuk e ka këtë të drejtë, sepse nuk është instanca legjitime për tu thirrur në emër të popullit.

“Së këndejmi, duke luajtur rolin e një ‘pakice profetike’, opozita po rrëshqet në parlament të rrugës, sepse shumë më lehtë është ta bindësh turmën që të të brohoras, se sa ta bindësh një auditor të vogël, përkatësisht ta bindësh shumicën parlamentare brenda institucionit, përkatësisht në Kuvendin e Kosovës, se ke të drejtë”.

Por, Dren Doli nga Instituti për Studime Juridike e Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se e drejta e qytetarëve por të protestuar është e pamohueshme dhe nëse partitë opozitare arrijnë të adresojnë përmes këtyre protestave pakënaqësitë e qytetarëve, ky do të jetë mesazh i qartë për Qeverinë e Kosovës dhe partitë në pushtet.

“Nuk besoj që është e udhës që në Kosovë të vendoset një kulturë e tillë e komunikimit me qytetarë, ku çdo qytetarë i cili proteston për një të drejtë të tij apo për një çështje të caktuar, të konsiderohet si kundër qeverisë dhe kundër institucioneve të Kosovës, si dhe në të njëjtën kohë , qeveria të filloj akuzat ndaj gjithë këtyre njerëzve,që po protestojnë për të shprehur pakënaqësitë e tyre, në kontekstin, siç është duke ndodhur në Kosovë”.

Megjithatë, analisti Matoshi, vlerëson se situata mund të përshkallëzohet jo për shkak të kërkesave që tash kanë partitë opozitare, por për shkak të pakënaqësive të qytetarëve për shkak të korrupsionit të madh, mos sundimit ligjit dhe për shkak të mjerimit ekonomik. Por, sipas tij, si pushteti, ashtu edhe opozita, po i keqpërdorin këto pakënaqësi..

“Opozita po i keqpërdor protestat e ashtuquajtura padrejtësisht ‘gjithë popullore’ për ta përmbysur pushtetin, përkatësisht për ta arritur pushtetin politik. Ndërkaq, pushteti po i përdorë disa segmente të protestave, për t’ua bërë me gisht se janë të dhunshëm, se po synojnë shkatërrimin e pronës, sidomos pronës private."

"Do të thotë, që të dyja palët po mundohen që ta keqpërdorin protestën - qoftë ajo edhe me motive të mirëfillta qytetare- për qëndruar në pushtet, përkatësisht, për të ardhur në pushtet”.

Ndryshe, Doli ka theksuar se shfrytëzimi politik i protestave aktuale është më i paktë se sa në rastet tjera, të cilat mund të jenë tema të diskutueshme politike.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG