Ndërlidhjet

Në kërkim të faktorëve që nxisin migrimin e paligjshëm


Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të ambasadave të akredituara në Kosovë, vazhdojnë t’ju bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës, që mos ta braktisin vendin dhe të mos marrin rrugën e migrimit ilegal, pa e ditur se ku po shkojnë.

Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, derisa ka folur në një konferencë për migrimin, tha se diçka e çuditshme po ndodhë në Kosovë dhe se kushtet ekonomike nuk janë domosdoshmërisht arsye kryesore e ikjes së qytetarëve nga vendi i tyre.

“Diçka e çuditshme po ndodhë në këtë vend aktualisht. Njerëzit po largohen, sepse nuk shohin të ardhme. Mund të jenë arsyet ekonomike, por jo domosdoshmërisht, sepse cili është dallimi ndërmjet të rinjve nga Kosova prej atyre në Shqipëri, Maqedoni apo shtetet tjera fqinje?"

"Pra, nuk ka dallim, situata pak a shumë është e njëjtë, ekziston varfëria, nuk ka punë, por njerëzit nuk po largohen. Këtu papritmas u shfaq një fushatë ku njerëzit filluan të flasin me njëri tjetrin dhe të paraqesin ngjarje fantastike për ata që migrojnë”, tha Bosch.

Këto komente ai i bëri në konferencën e organizuar nga koalicioni i OJQ-ve “Rrjeti kosovar kundër varfërisë”, në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung,

Zoti Bosch tha se trafikantët kanë mashtruar njerëzit duke ju thënë se nëse kërkon azil në një vend të Bashkimit Evropian, të japin edhe para.

“Trafikantët apo krimi i organizuar, kanë shpikur këto storie të cilat nuk ekzistojnë. Njerëzit largohen dhe thonë se mund të fitojnë para në një shtet tjetër, se është jeta më e mirë, por siç thashë, kjo është gjë e organizuar është gjë e keqe. Është keq për njerëzit që po i lëshojnë vendet e punës dhe po i shesin shtëpitë. Të gjithë do të kthehen nga atje”, shtoi ai.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruar se gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale, por edhe pamundësia për të qarkulluar lirshëm në zonën Shengen, ka shtyrë një numër qytetarësh të Kosovës të migrojnë ilegalisht.

Ata kanë thënë poashtu se liberalizimi i shpejtë i vizave do të vinte nën kontroll migrimin ilegal.

Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesi i ambasadës së Belgjikës, Jean Francois Brackman, i cili mori pjesë në ketë konferencë, deklaroi se liberalizimi i vizave nuk do të thotë se kosovarët mund të shkojnë në njërin nga vendet e zonës Shengen dhe të jetojnë aty.

“Unë e kuptoj se ekziston dëshira e madhe nga shumë njerëz që të jetojnë jashtë vendit për të gjetur një jetë më të mirë. Duhet të jemi real se migrim zero nuk do të ketë. Njerëzit nga Kosova në diasporë, janë të lidhur me ata në Kosovë dhe është krejtësisht normale që t’i vizitojnë të afërmit dhe duan të jetojnë afër tyre, por rregullat do të jenë shumë strikte edhe pas liberalizmit të vizave".

"Normalisht, mendoj se është me rëndësi që njerëzit jetën duhet ta bëjnë në vendin e tyre. Kjo është një përgjegjësi e madhe për Qeverinë e Kosovës, për të mundësuar kushte dhe jetë më të mirë për të jetuar këtu”, tha Brackman.

Kurse, ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Valon Murati, nuk është pajtuar me përfaqësuesin e ambasadës së Belgjikës ku ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Liberalizimi i vizave mendoj se është çështje shumë politike dhe jo e lidhur drejtpërdrejtë me çështjen që njerëzit dëshirojnë të dalin të shëtisin. Është më shumë një psikozë e izolimit, e cila gjithashtu është një prej faktorëve që ka ndikuar në krijimin e kësaj ‘epidemie’ e këtij fluksi të ikjes” ,tha Murati.

Ministri Murati, tha poashtu se varfëria dhe papunësia, janë ndër faktorët që kanë ndikuar që shumë qytetarë të ikin nga Kosova. Ai tha se një pjesë të përgjegjësisë për ketë largim të qytetarëve nga Kosova ilegalisht, duhet ta mbajnë politikbërësit dhe institucionet.

Përfaqësuesi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, IOM, Jorge Baca, tha se nuk dihet saktë se sa është numri i kosovarëve që në muajt e fundit kanë migruar ilegalisht nga Kosova.

Megjithatë, ai u shpreh se arsyet kryesore të shumicës së qytetarëve që po largohen nga Kosova, janë kushtet e vështira ekonomike.

Kurse përfaqësuesit e “Rrjetit të kosovarëve kundër varfërisë”, kanë përmendur disa arsye sipas të cilave kosovarët po e lëshojnë Kosovën.

E para, sipas tyre, është që kosovarët janë në kërkim të një jete më të mirë. E dyta nga arsyet është se kanë nevojë urgjente për rregullimin e klimës socio-ekonomike dhe këtu, siç kanë thënë ata, barrën kryesore e merr Qeveria e Kosovës.

XS
SM
MD
LG