Ndërlidhjet

logo-print

Kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.

Vetëm për tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë.

Me kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe me pagesë, nuk janë pajtuar shumë mjekë specialistë, andaj kjo ka qenë edhe arsyeja e ikjes nga Kosova për të kërkuar punë në vende të ndryshme të Evropës e më gjerë.

Profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa, në mënyrë që të zvogëlohet numri i mjekëve që ikin dhe të krijohen mundësi të kthehet, siç Knë thënë ata, truri i Kosovës, pasi që ata që kryejnë specializimet, edhe aftësohen për punë.

Federata Sindikale e Shëndetësisë ka bërë një hulumtim, ku thuhet se pa përfshirjen e infermierëve, për tre vjet kanë ikur 400 mjekë.

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë thotë se kanë bërë edhe një pyetësor, ku prej 1 mijë studentëve që janë anketuar, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se do të ikin jashtë vendit.

"Nuk është çështja vetëm te pagat, por nuk kemi sistem të mirë shëndetësor, nuk kemi planifikim të mirë të punësimit, politizimi i shëndetësisë e shumë faktorë tjerë”.

Ky fenomen është i pandalshëm - edhe pse njerëzit e kryejnë shkollën duhet ikin. Është shumë vështirë që në moshën 45-vjeçare një mjek të ikë jashtë vendit, dhe të fillojë të mësojë gjuhën për t’u punësuar", thotë Syla.

Por, një tjetër fakt mbetet shqetësues - mosha mesatare e mjekëve në Kosovë është rreth 55 vjeç. Pas 10 vjetësh, mjekët aktualë do të pensionohen, derisa kuadrot e reja mjekësore perspektivën e shohin jashtë vendit.

Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, janë të punësuar 613 mjekë dhe 1,882 infermierë. Paga e mjekëve specialistë është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri, për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se mundësitë buxhetor nuk lejojnë që të gjithë mjekët e diplomuar, e më pas edhe të specializuar, të punësohen menjëherë.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, bën të ditur se koordinimi ndërmjet ministrive lë për të dëshiruar, pasi që pranimi i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, duhet të jetë më i koordinuar me nevojat e sistemit shëndetësor.

“Largimi i mjekëve është shqetësues. Sa i përket Ministrisë së Shëndëtësisë, në kuadër të mundësive që ka ky institucion, vitin e kaluar janë punësuar mbi 300 specialistë, por është e vërtetë që kufizimet e ndryshme buxhetore nuk kanë lejuar që secili mjek të punësohet sapo të përfundojë studimet dhespecializimin e caktuar”.

“Kjo qeveri shëndetësinë e ka futur për herë të parë në prioritet dhe ne shohim mundësi që me fillimin e implementimit të sigurimeve shëndetësore, do të ketë ngritje të buxhetit; do të hapen më shumë mundësi që ata që kryejnë një specializim të caktuar, të mund ta gjejnë veten në sistemin shëndetësor”, thekson Hoti.

Ndërkaq, Shaip Muja, deputet i pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, konsideron se vendi ka suficit të kuadrit mjekësor. Ai mendon se Kosovës i duhen shumë më shumë kuadro mjekësore, andaj ikjen e mjekëve e sheh si dukuri shumë shqetësuese.

“Çdo mjek i Kosovës mendon se Oda e Mjekëve funksionon në mënyrë të drejtë derisa te ne kemi Odën e Mjekëve, por të politizuar fund e krye, dhe ata janë më shumë politikë sesa implementues të ligjit, dhe çdo gabim i vogël profesional,mjeku atakohet menjëherë nga sistemi juridik duke mos e respektuar vlerësimin e Odës së Mjekëve pse ka ndodhur gabimi”.

“Nëse në sistemin shëndetësor nuk punojnë aparaturat, laboratorët , rëntgeni e shumë gjëra tjera, nuk i ke mjetet e operacionit,dhe në fund pacienti kërkon shërbime të mira, duke e marrë për shembull mjekun, e duke i ikë përgjegjësisë institucionale që menaxhohet sistemi shëndetësor, atëherë mjeku mendon se pse të rrijë në Kosovë, kur faji nuk kërkohet në sistem, por nga individi?! Mendoj se mosbërja e sistemit e ka demoralizuar individin që të rrijë në këtë sistem shëndetësor”, shprehet Muja për Radion Evropa e Lirë.

Deputetja e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Time Kadriaj, ka deklaruar se vetë Qeveria nuk po bën asgjë në mënyrë që të ndalë kuadrin mjekësor të ikë nga vendi.

“Në vazhdën e shqetësimeve për emigrimin e qytetarëve që ka marrë përmasa shqetësuese, unë e kam parë si shqetësuese edhe ikjen e mjekëve. Përderisa para disa vjetësh një mjek e ka pasur të vështirë të licencohet si mjek në BE, tash mjeku me një licencë mund të punojë po qe se e di atë gjuhë dhe fiton edhe statusin e qytetarit të atij vendi ku shkon”.

“Për ne është shqetësues pasi që vendet e BE-së thonë se kanë mungesë kuadrosh mjekësore dhe mjekët tanë e shohin perspektivën jashtë Kosovës. Unë mendoj se Qeveria nuk po bën asgjë që kuadrot t’i ndalë këtu, derisa mjekët tanë specialistë duhet presin me vite për një vend pune”, thotë Kadriaj.

E, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG