Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësuesit e bashkësisë serbe në institucionet e Kosovës, nga Lista Serbe, të cilët kanë pezulluar pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës, të të gjitha niveleve, do të vendosin për rikthimin ose jo në këto institucione, vetëm pas konsultimeve me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq.

Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi i Listës Serbe, Branimir Stojanoviq, aktualisht zëvendës-kryeministër në Qeverinë e Kosovës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se takimi me kryeministrin serb Vuçiq, do të zhvillohet gjatë kësaj jave, por sipas tij, lidhur me kthimin në institucione nuk ka ende asgjë të sigurt edhe pse ka argumente për dhe kundër këtij kthimi..

“Është koha që t’i paraqesim të gjithë ato argumente dhe më pas të vijmë deri te një vendim i përbashkët. Se a do të ketë kushte, për këtë do të bisedojmë me partnerët tanë, pasi që të marrim vendim, lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të mëtutjeshme, si dhe në çfarë mënyre kjo mund të ndodhë ose të mos ndodhë”, ka theksuar zëvendës-kryeministri Stojanoviq.

Në anën tjetër, zyrtarët e pushtetit lokal në Mitrovicën e veriut, vlerësojnë se pezullimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Listës Serbe në institucionet e Kosovës, e ka rënduar situatën dhe vet funksionimin e punës në nivelin komunal.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, nga Iniciativa Qytetare Serbe, e cila në zgjedhjet e përgjithshme ka hyrë në kuadër të Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet tashmë janë grumbulluar edhe më shumë.

“Unë mund të them se për neve në komunë, e cila ka funksionuar që nga fillimi në kushte shumë të vështira, kjo tash e ka vështirësuar edhe më shumë punën në komunë dhe vetëm sa po na grumbullohen problemet”, tha Bozhoviq.

Por, cili në fakt është disponimi në taborin e Listës Serbe që përfaqësuesit e saj të kthehen në institucionet e Kosovës?

Duke i'u referuar shkarkimit të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, zëvendës-kryeministri Stojanoviq thotë se ende ka mbetur shija e hidhur e vendimit që është sjellë pa konsultime me Listën Serbe dhe pa pajtimin e saj.

Ai thekson se më lehtë do të ishte të sillej një vendim i cili do të bazohej në qëndrimet personale. Por, ai ka thënë se Lista Serbe nuk do ta braktisë përgjegjësinë e saj para proceseve.

Sipas tij, duke pasur parasysh përgjegjësinë ndaj njerëzve dhe ndaj vendimeve që duhet të merren, sikurse janë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për Gjykatën speciale për krime lufte, atëherë duhet menduar mirë.

“Për shkak të përgjegjësisë ndaj këtyre proceseve, ne duhet të mendojmë mirë dhe më pas të marrim vendimin, i cili do të jetë në dobi të gjithë atyre që jetojnë këtu dhe jo vetëm serbëve. Ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë diçka që do të jetë në dobi vetëm të njërës palë, pavarësisht se disa këtu na shikojnë si palë që krijon probleme”, tha zëvendës-kryeministri Stojanoviq.

Ndryshe, Bozhoviq, ka shprehur mendimin se përfaqësuesit e Listës Serbe, në momentin që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe kanë pranuar postet në institucione, me këtë kanë pranuar edhe përgjegjësitë ndaj tyre dhe ndaj votuesve të tyre. Ajo thotë se duhet vazhduar tutje dhe jo të stagnojnë.

“Më mirë është që të ulen në tavolinë dhe t’i sqarojnë rrethanat që kanë sjellë deri këtu dhe më pas të vazhdojnë me punën e mëtutjeshme”, tha Bozhoviq.

Përfaqësuesit e Listës Serbe patën pezulluar punën e tyre në institucionet e Kosovës, si shenjë e mospajtimit të tyre me vendimin e kryeministrit Mustafa për shkarkimin e ministrit Jabllanoviq.

Shkarkimi kishte ndodhur për shkak se ky i fundit, me 6 janar, i kishte quajtur "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG