Ndërlidhjet

Pak të ndëshkuar për shkelësit e Ligjit kundër duhanit


Ilustrim

Ilustrim

Nga data 22 maj e vitit 2013, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për kontrollin e duhanit. Inspektorët nga tereni për shkelësit e ligjit kanë shqiptuar një numër të konsiderueshëm gjobash.

Shkumbin Spahiu, zyrtarë nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë, (KADC), institucion ky që merret me monitorimin e shkeljes së Ligjit për kontrollin e duhanit, thotë se prej vitit 2013, kur edhe ka hyrë në fuqi ligji,janë shqyrtuar vetëm pesë gjoba, nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Sa i përket shqyrtimit të gjobave nga gjykatat, është duke u bërë një punë e ngathët nga ta, nëse merret parasysh numri i lëndëve të dërguara në gjykata në raport me numrin e shqyrtuar të lëndëve, edhe pse deri para grevës së gjykatësve ka pasur disa lëvizje, derisa gjatë grevës procesi ka stagnuar plotësisht. Nëse i marrim statistikat në Komunën e Prishtinës, janë ekzekutuar vetëm 5 lëndë nga ana e Gjykatës Themelore për shkelësit e Ligjit për kontrollin e duhanit”, bën të ditur Spahiu.

Ai thotë se krahasuar me komunat tjera, Prishtina përkatësisht Gjykata Themelore ëshët ajo që më së paku ka shqiptuar gjoba, derisa përmend edhe komunat tjera të Kosovës.

“Situata qëndron më mirë në komunën e Lipjanit, ku janë ekzekutuar rreth 23 lëndë nga mbi 100 sosh sa janë dërguar. Nga monitorimi ynë është vërejtur se në Istog janë dërguar 5 lëndë derisa që të 5 lëndët janë shqyrtuar. Edhe në Prizren janë shqyrtuar nga Gjykata Themelore 13 lëndë”, shton Spahiu.

Në anën tjetër, Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë,thotë për Radion Evropa e Lirë, se janë mbi 70 mijë lëndë që presin shqyrtim, andaj lëndët për shkelje të Ligjit për kontrollin e duhanit, siç shprehet ai, nuk janë me prioritet.

“Ne kemi shumë lëndë, dhe lëndët për shkelje të Ligjit të duhanit, nuk janë urgjente. Ne kemi 70 mijë lëndë që presin dhe ne i zgjedhim lëndët me prioritet. Në mesin e 70 mijë lëndëve nuk e di sa janë për shkelësit e Ligjit për duhanin. Por, për ne ato nuk janë urgjente”, deklaron Ibrahimi.

Edhe Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, thotë se sa i përket ekzekutimit të lëndëve, që i ka dërguar Inspektorati sanitar në Gjykatën Themelore, ato nuk shqyrtohen pasi konsiderohen si jo urgjente.

“Ne jemi duke vazhduar inspektimin, por këto lëndë nuk po merren me prioritet nga gjykatat. Një gjë e tillë nuk ka lëvizur. Presim në ditët në vijim që këto lëndë të shqyrtohen dhe të merren me prioritet”, pohon Tërshnjaku.

Por, në anën tjetër, Shkumbin Spahiu nga KADC, thotë se në bazë të hulumtimeve që ata i kanë bërë, këtë vit asnjë lëndë e re nuk është dërguar në Gjykatën Themelore.

“Monitorimi i KADC-it, flet për atë se asnjë lëndë gjatë vitit 2015 nuk është dërguar në Gjykatë. Puna e gjykatave është e ngadalshme dhe është duke zvarritur proceset, duke dërguar një mesazh në publik se shkelësit nuk po ndëshkohen”, thekson Spahiu.

E, gjatë monitorimit të kaluar nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim, ka dalë se shkelësit më të mëdhenj të Ligjit për kontrollin e duhanit kanë qenë gjykatat e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG