Ndërlidhjet

Përkujtohet tragjedia në Odesa të Ukrainës

  • RFE /RL

Odesa, 2 maj 2015

Odesa, 2 maj 2015

Në qytetin Odesa në Ukrainë, janë mbajtur përkujtime në njëvjetorin e përleshjeve ndërmjet mbështetësve dhe kundërshtarëve të Qeverisë.

Më 2 maj të vitit të kaluar, nga dhuna në Odesa janë vrarë gjithsej 48 vetë.

Problemet kishin nisur kur filluan luftimet ndërmjet dy grupeve, që marshonin në qytet, dhe përfundoi me zjarrin në një ndërtesë të sindikatave, ku mbështetësit e autonomisë për pjesën lindore të Ukrainës, ishin strehuar nga mbështetësit e Qeverisë në Kiev.

Nuk është e qartë se si kishte shpërthyer zjarri.

Një mbështetës i Qeverisë kishte hedhur bomba zjarri në ndërtesë, por sipas shënimeve zyrtare, ata brenda ndërtesës ndoshta e kanë shkaktuar zjarrin duke hedhur bomba zjarri nga kulmi i ndërtesës në kundërshtarët e tyre.

Me këtë rast në ndërtesë janë vrarë 43 vetë.

Në kryeqytetin Kiev, afro 1,000 demonstrues janë tubuar në një tjetër përkujtim, ndërsa disa pjesëmarrës kanë bartur mbishkrime “Ne nuk do të harrojmë, ne nuk do të falim”.

Një tjetër përkujtim me lule dhe qirinj është mbajtur afër Ambasadës së Ukrainës në Moskë.

Alexander Zakharchenko, lider i separatistëve pro-rusë në rajonin Donjeck, në pjesën lindore të Ukrainës, i ka nderuar viktimat në Odesa, duke thënë se kjo ishte punë e “turmës së nazistëve brutalë”, dhe ka shtuar se “atë ditë, ne dhe të gjithë banorët në Odesa kuptuam se më nuk ekziston vendi i quajtur Ukrainë, pasi ai ishte i vdekur për ne, së bashku me dhjetëra banorë të torturuar të Odesas”.

Konstantin Dolgov, nga Ministria e Jashtme e Rusisë për të drejta të njeriut, i ka kritikuar autoritetet e Ukrainës për kryerje të “gjoja hetimeve” lidhur me dhunën në Odesa.

Ky incident i vitit të kaluar, i ka shtuar ndarjet në këtë qytet, ku me vështirësi po mbahet një gjendje e qetë.

Më 1 prill, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU), tha se i kishte arrestuar tre vetë të dyshuar për përfshirje në një varg të eksplodimeve në Odesa.

Kjo agjenci njoftoi se të tre personat, që raportohet se vetveten e kishin përshkruar si aktivistë komunistë, kishin pranuar se kanë kryer “së paku nëntë akte të terrorit në Odesa” në periudhën prej dhjetorit e deri në mars.

SBU ka thënë se te të dyshuarit ishin gjetur armë, kemikalie, pjesë të telefonave mobilë, dhe kohëmatës të ngjashëm me ata që janë përdorur për aktivizimin e pajisjeve të improvizuara eksploduese të prodhimit shtëpiak në Odesa.

Gjatë muajve të fundit, pos në Odesa, shpërthime ka pasur edhe në qytetin tjetër, Harkov, në pjesën lindore të Ukrainës.

Autoritetet e Ukrainës për këto shpërthime e fajësojnë Rusinë dhe kryengritësit, të cilët i kanë nën kontroll pjesë të provincave lindore, Donjeck dhe Luhanks.

Por, shumica e këtyre eksplodimeve, duket se në shënjestër i kishin organizatat e ndërlidhura me ushtarët, që luftojnë në pjesën lindore të Ukrainës.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG