Ndërlidhjet

Çfarë do të ndryshojë Vuçiq në Kushtetutë?


Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq , ka paralajmëruar mundësinë për propozimin e ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë.

Ky paralajmërim është bërë nga kryeministri serb në intervistën për të përditshmen amerikane The Wall Street Journal dhe siç interpretohet në këtë gazetë, këto ndryshime do ta përfshinin edhe largimin e përmendjes së Kosovës si krahinë në Serbi.

“Lidhur me këtë, do të na duhet që të bisedojmë me popullin serb. Nuk jemi duke biseduar për këtë, por po them se do të na duhet të kemi bisedë të hapur për të ardhmen e Serbisë. Duhet qenë i sinqertë ndaj popullit dhe ai do ta thotë fjalën e fundit”, ka thënë Vuçiq.

Deklaratat e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq, kanë nxitur reagime në Serbi.

Milovan Drecun, kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se deklaratat e kryeministrit serb, nuk nënkuptojnë heqjen dore nga Kosova.

“Këtë deklaratë të Vuçiqit nuk duhet kuptuar si gatishmëri të Serbisë që të heqë dorë nga Kosova, por si gatishmëri për marrëveshje me shqiptarët që të zgjidhet statusi i Kosovës”, ka theksuar Drecun.

Borisllav Stefanoviq, ish-udhëheqës i bisedimeve i qeverisë së mëparshme serbe në dialogun me Kosovën, thotë për Radion Evropa e Lirë se referendumi eventual lidhur me ndryshimet kushtetuese, në njëfarë mënyre do të nënkuptonte edhe përcaktimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse e ardhmja evropiane e Serbisë është e pamundur pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas tij, Vuçiq më në fund e ka pranuar realitetin.

“Kjo tregon se pushteti i tanishëm ka nevojë që edhe përmes ndryshimeve kushtetuese ta rrumbullakojë atë për të cilën janë marrë vesh me Prishtinën. Preambula nuk është arsyeja kryesore dhe bazë për ta ndryshuar Kushtetutën”, tha Stefanoviq.

Preambulën e cila e definon Kosovën si pjesë përbërëse dhe të pandashme të Serbisë, e ka integruar në Kushtetutën e Serbisë në vitin 2006, qeveria e Vojislav Koshtunicës dhe me këtë ajo e pati forcuar politikën e saj shtetërore me moton ‘Kosova është Serbi”.

Por, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike, vlerëson se tash e 10 vjet, autonomia e Kosovës, siç është përshkruar në Kushtetutën serbe, nuk ekziston në jetën reale.

“Kushtetuta, në të cilën keni shkronja të vdekura në letër, është sikur një organizëm që ka kancer dhe kjo duhet të ndryshohet. A do të ndihmonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës? Mendoj se po”, tha Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Drecun ka theksuar se edhe në qoftë se hiqet preambula nga kushtetuta serbe, asgjë nuk do të ndryshojë në raportin e Serbisë ndaj çështjes së Kosovës. Sipas tij, më e rëndësishme është që në Kushtetutë të jetë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

“Në qoftë se arrijmë marrëveshje me Prishtinën për një status tjetër, me të cilin do të definohej Kosova në një formë tjetër, por pa u ndryshuar kufijtë tanë të pranuar ndërkombëtarisht, atëherë kjo duhet gjithsesi të përfshihet në Kushtetutë”, ka thënë Drecun.

Marrëveshja e Brukselit do të kurorëzohet me ndryshimet kushtetuese në Serbi, por a do të mund të arrihet një formulim në aktin më të lartë juridik të Serbisë që Kosova të jetë pjesë e pandashme e Serbisë?

Borko Stefanoviq, i cili vjen nga subjekti opozitar në Serbi, Partia Demokratike, konsideron se një gjë e tillë nuk është reale.

“Mendoj se konkretisht do të jetë një formulim që nuk do të flasë se Kosova është pjesë e Serbisë, por që do të legalizohet pranimi i ekzistimit të Kosovës. Do të thotë, të Kosovës, jo si shtet i pavarur por si një entitet të ndarë funksional”, tha Stefanoviq.

Ndryshe, se cili do të jetë përfundimi, pritet të shihet në tre vjetët e ardhshëm, për të cilat janë të lidhura aspiratat e Serbisë për integrime evropiane.

Megjithatë, Drecun ka theksuar që ”mundësia që Serbia ta pranoj Kosovën si shtet të pavarur, është e përjashtuar”.

XS
SM
MD
LG