Ndërlidhjet

Opozita në Maqedoni zotohet të mos heqë dorë


Mbi 200 anëtarë dhe simpatizantë të opozitës maqedonase, LSDM-së, natën e kanë kaluar para qeverisë së Maqedonisë duke fjetur në tendat e ngritura në bulevardin para ndërtesës së ekzekutivit, pas përfundimit të protestave të djeshme gjithëpopullore, të cilat u organizuan para qeverisë.

Në mesin e protestuesve, që e kaluan natën në tenda para qeverisë, ka qëndruar dhe lideri i opozitës Zoran Zaev, i cili për Radion Evropa e Lirë është shprehur se se protesta paraqet një vlerë të panjehësueshme, sa i përket masivitetit, por gjithsesi edhe përbërjes multietnike dhe multifetare.

“Ne dërguam një porosi shumë të rëndësishme, se këtu jeton një popull paqedashës, i cili di të vlerësojë demokracinë, po edhe vlerat demokratike”, është shprehur Zoran Zaev mbrëmjen e kaluar, teksa vendoseshin tendat para qeverisë, duke theksuar se nuk do të largohet deri në rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski.

Qyetarët e ardhur nga më shumë qytete të Maqedonisë janë shprehur të vendosur se do të qëndrojnë para qeverisë deri kur të japë dorëheqje kryeministri Nikolla Gruevski.

“Nuk mund ta kuptoj si mund të qëndrojë akoma dikush brenda në Qeveri, përderisa populli brohoret kundër tij i mllefosur, për çfarë pushteti mund të bëhet fjalë, pos për një diktaturë”, thotë një qyetar, i cili kishte ardhur nga Kavadarci.

“Natën e kemi kaluar këtu bashkë, maqedonas, shqiptarë, turq, dhe do të qëndrojmë gjesa të shkojë ky kryeministër, sepse ne duam një Maqedoni qytetare, një Maqedoni e cila do të ndërtohet mbi vlerat demokratike dhe jo ato partiake, një Maqedoni e cila do t'i ketë institucionet në shërbim të qyetarëve dhe jo e kundërta”, është shprehur Sasho Trajkov, nga Vinica,.

Ndërkohë, Emreh nga Kumanova thotë se pika fillimit të revoltës ndaj kësaj qeverie për të kanë qënë zhvillimet në Kumanovë një javë më parë.

“Qëllimi ynë është që të largohet kjo Qeveri. Unë personalisht kërkoj që e gjithë kjo përbërje qeveritare të largohet për më shumë gjëra që ka bërë gjatë 9 viteve të kaluara veçanërisht aksioni në Kumanovë”, thotë Emreh.

Më 9 dhe 10 maj, autoritetet e rendit në Maqedoni kanë ndërmarrë një aksion në një lagje të Kumanovës, kundër atij që ato e kanë cilësuar si grup i armatosur. Përleshja përfundoi me vrasjen e 8 policëve dhe 14 pjesëtarëve të këtij grupi.

Ndryshe, rruga në të cilën janë vendosur tendat është e mbyllur, ndërsa protestuesit mbikëqyren nga forca speciale të policisë, të cilat janë përqëndruar përgjatë hyrjes së ndërtesës së qeverisë.

XS
SM
MD
LG