Ndërlidhjet

logo-print

Fondi për Investim dhe Punësim i proklamuar aq shumë nga Qeveria e Kosovës, nuk është themeluar ende dhe rrjedhimisht aktualisht nuk është në funksion të ekonomisë së vendit.

Sokol Havolli, shef i kabinetit dhe këshilltar për ekonomi në Zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aktualisht janë në fazën e hartimit të koncept - dokumenteve që do të përbëjnë Fondin për Investim dhe Punësim.

“Ideja në këtë fazë është që ta krijojmë në disa shtylla dhe në disa koncept - dokumente të ndryshme që të prekim sa më shumë fusha të ekonomisë. Shumë shpejtë në bashkëpunim me USAID pritet të funksionalizohet fondi për garantimin e kredive që është njëra nga shtyllat e Fondit për Punësim dhe Investim”, ka theksuar Havolli.

Të gjitha këto koncept - dokumente të Fondit për Punësim dhe Investim, sipas Havollit do të përfundojnë në vjeshtë të këtij viti, por ndonjëra prej këtyre shtyllave që është në fazë më të avancuar, shton Havolli, mund të hyjnë në funksion të ekonomisë edhe më herët.

“Do të shkojë në faza të ndryshme dhe deri në vjeshtë do të kemi koncept - dokumentin, dhe pasi të përpilohet ky dokument do t’i dërgohet qeverisë. Atëherë i takon nivelit politik që ta pranojë këtë propozim nga grupi punues, nëse i duket propozim i arsyeshëm që do të siguronte efektin maksimal në ekonomi, por në anën tjetër duke mos dëmtuar sferat tjera të ekonomisë, atëherë qeveria e aprovon dhe kalon në nivelin politik ku dhe fillon përgatitja e projektligjeve të ndryshme në rastet kur duhet të shkohet edhe me ligje”, ka sqaruar Havolli.

Investimet nga Fondi për Punësim dhe Investim është theksuar se do të përqendrohen posaçërisht në aktivitetet ekonomike, që do të synojnë të rrisin punësimin, prodhimin dhe eksportin.

Ky fond, përveç tjerash, është paralajmëruar se do t’iu ofrojë bizneseve fillestare qasje në financa, kredi më të lira për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe korporatat që synojnë t’i zgjerojnë bizneset e tyre.

Nëpërmjet këtij Fondi, po ashtu thuhet se do të krijohen parakushtet për përkrahjen e sektorit privat, si dhe organizatat përgjegjëse për zhvillim ekonomik.

Sidoqoftë, për ish ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, Qeveria e Kosovës është vonuar në themelimin e Fondit për Investim dhe Punësim.

“Mendoj që jo vetëm themelimi i këtij fondi, por qeveria shumë ngadalë është duke vepruar në çdo segment e në veçanti nëçështjet që kanë të bëjnë më zhvillimin ekonomik. Është proklamuar shumë ai Fond, por nuk është e qartë se cilat janë burimet e atij Fondi, kush do ta menaxhojë si do të implementohen ato mjete në investime apo në vende të reja të punës”, ka thënë Haki Shatri për Radion Evropa e Lirë.

Fondi për Investim dhe Punësim, sipas Shatrit, ka dhënë shpresa të mëdha tek qytetarët e Kosovës se do të ketë rimëkëmbje ekonomike dhe se gjendja e tyre ekonomike dhe sociale do të përmirësohet.

Megjithatë, nëse këto premtime nuk do të përmbushen, qytetarët do ta humbin besimin nga qeveria.

“Secili subjekt politik në veçanti ato subjekte që qeverisin vendin detyrohen në njëfarë mënyre të japin deklarata premtuese se do të bëhet mirë, por këto kur përsëriten shpesh humb besimi. Kriza e besimit është një fazë e rrezikshme. Kur humb besimi i qeverisë se nuk e realizon atë që e ka thënë është e rrezikshme për vendin”, shton Shatri.

Ky Fond është theksuar se do të administrohet me transparencë dhe profesionalizëm, duke aplikuar nivelet më të larta të ekspertizës dhe eksperiencës ndërkombëtare dhe duke huazuar praktikat më të mira të ngjashme.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG