Ndërlidhjet

Marrëveshja në Shkup: Hap pozitiv, por i pamjaftueshëm


Nikolla Gruevski dhe Johanes Hahn
Nikolla Gruevski dhe Johanes Hahn

Marrëveshja preliminare e arritur në takimin e së martës mes liderëve të partive politike me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, shihet si hap pozitiv drejt zgjidhjes së krizës së rëndë politike në të cilën ndodhet Maqedonia.

Detajet e marrëveshjes nuk janë kumtuar, përveç faktit se zgjedhje të parakohshme parlamentare do të ketë deri në prill të vitit 2016.

Partitë, sipas Komisioneri të BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, mbetet që marrëveshjen ta finalizojnë në takimin e radhës në Bruksel, më 10 qershor.

Çështja kryesore ka të bëjë me atë se kush do të drejtojë qeverinë gjatë periudhës kalimtare, a do të ketë qeveri të ekspertëve apo koalicion të gjerë nga partitë politike?

Nga Lidhja Social-Demokate, e udhëhequr nga opozita, kanë bërë të ditur se marrëveshja e arritur një ditë më parë, nuk do të ketë vlerë nëse në krye të qeverisë do të jetë, kryeministri aktual Nikolla Gruevski.

Sipas opozitës, “nga qeveria e re duhet të përjashtohen të gjithë ministrat, apo zyrtarët e përfshirë në krime të rënda, e të cilat janë dëshmuar me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike“.

Edhe njohësit e çështjeve politike, thonë se marrëveshja nuk do të kishte kuptim, nëse qeveria vazhdon të drejtohet nga Nikolla Gruevski.

Analisti, Mersel Bilalli thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi i ri do të drejtohet nga ekspertët, të cilët, përkundër vështirësive që do të kenë, do të arrijnë të nxjerrin vendin nga kriza.

“Kjo para-marrëveshje është hap serioz drejt zgjidhjes dhe sanimit të krizës politike në Maqedoni. Vlerësoj se taktika e bisedimeve dhe fleksibiliteti politik kërkon që të afrohen çështjet që janë më pak kontestuese, siç është për shembull data e bisedimeve; megjithatë thellë jam i bindur se do të ketë ndryshime serioze, jo vetëm në përbërjen e qeverisë, të cilat jam i sigurt se nuk do ta drejtojë Gruevski".

"Por [do të ketë ndryshime] edhe në të gjitha strukturat tjera, veçënërisht në gjykata, prokurori, në sistemin e mediave, administratë publike e kështu me radhë. Konsideroj se është një proces i cili do të jetë shumë i mundimshëm, por që domosdo do të ndodhë“, thotë Bilalli.

Ndërkohë, edhe Stojan Andov, ish Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kryeministri Nikolla Gruevski dhe të gjithë anëtarët e tjerë të qeverisë nga partia e tij duhet të braktisin qeverinë.

Sipas tij, zgjidhje të krizës nuk mund të ketë nëse ai do të jetë pjesë e qeverisë së re, nëse eventualisht vjen deri te një zgjidhje e tillë.

“Mendoj se Gruevksi duhet të largohet nga të gjitha funksionet shtetërore dhe politike. Vetëm kështu mund të bisedohet për mënyrat e zgjidhjes së krizës politike. Por, jo vetëm kaq, mendoj se duhet të largohen edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ka ndërtuar këtë politikë. Pa largimin e tyre nuk do të ketë zgjidhje të krizës, këtë duhet të gjithë ta kemi të qartë“, thotë Andov.

Sipas tij, marrëveshja e një dite më parë tregon se Gruevski ka hequr dorë nga qëndrimi i mëparshëm se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa mbetet të shihet nëse do të heqë dorë edhe nga qëndrimi kundër qeverisë kalimtare.

Ish kreu i Kuvendit, thotë se në pozitë jo të mirë ndodhet edhe kreu i opozitës, Zoran Zaev, pasi ka pranuar zgjedhje të parakohshme pa u definuar pjesa tjetër e çështjeve të hapura, se kush do të udhëheqë vendin deri në zgjedhje, apo se çfarë do të ndodhë gjatë periudhës kalimtare?

Nga ana tjetër, mbi 80 organizata joqeveritare përmes një letre drejtuar komisionerit për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, kanë kërkuar formimin e një qeverie kalimtare, si mënyrë e vetme për dalje nga kriza.

Sektori civil kërkon kthimin e lirisë dhe demokracisë në Maqedoni, e cila, siç thuhet, mund të arrihet përmes një qeverie të re, por pa kryeministrin aktual, Nikolla Gruevski dhe anëtarët e tjerë të përfshirë në atë që njihet si aferë e përgjimeve.

“Përbërja e saj duhet 'ti përjashtojë të gjithë anëtarët e përbërjes së qeverisë aktuale, pasi të gjithë janë të komprometuar seriozisht përmes fjalëve dhe veprave të tyre në bisedat e regjistruara dhe të publikuara nga opozita".

"Pjesëmarrja e cilitdo anëtar nga përbërja aktuale në qeverinë kalimtare do ta cenonte seriozisht besueshmërinë e procesit dhe të qytetarëve ndaj zgjidhjes së drejtë të krizës politike”, thuhej në letrën e sektorit civil.

XS
SM
MD
LG