Ndërlidhjet

SHBA: Kurdët - model i luftës kundër IS-it


Ushtarët kurdë Peshmerga
Ushtarët kurdë Peshmerga

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka theksuar avancimin e kurdëve kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS ose ISIL) si model për përpjekjet në Irak, për ta kthyer kontrollin ndaj territoreve që janë okupuar nga pjesëtarët e këtij grupi ekstremist.

Forcat kurde gjatë ditëve të fundit, e kanë marrë kontrollin në një bazë ushtarake siriane dhe një qytet kyç kufitar, i cili ishte kanal madhor i furnizimit dhe i rekrutimit të luftëtarëve të jashtëm për grupin ekstremist, Shteti Islamik.

Kjo goditje e fundit ndaj Shtetit Islamik, që është arritur me ndihmën e sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe me ndihmën amerikane në fushë të inteligjencës, paraqet dallim të madh me zhvillimet në pjesë të tjera të Sirisë dhe Irakut, ku militantët e Shtetit Islamik kanë arritur suksese.

Në Irak, qyteti kryesor Ramadi, në pjesën perëndimore, ka rënë nën kontrollin e Shtetit Islamik këtë pranverë, pasi trupat irakiane i braktisën pozicionet e tyre mbrojtëse në qytet.

Avancimet e luftëtarëve kurdë në pjesën veriore të Irakut dhe në Siri, janë arritur, në masë të madhe, me nivelin e lartë të koordinimit ndërmjet forcave tokësore dhe fushatës së sulmeve ajrore, që gati një vit po ndërmerret nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Në këtë kuadër, gjatë një konference me gazetarë, të martën vonë në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, e ka theksuar rëndësinë e madhe për Shtetet e Bashkuara, që të kenë partner efektiv në terren në luftën kundër IS-it.

“Ka pasur sulme të gjëra ushtarake, sulme ajrore, që janë ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e koalicionit në rajon dhe kjo është, mendoj, një indikacion se sa e rëndësishme është për Shtetet e Bashkuara, që të kenë partner të aftë, të gatshëm dhe efektiv, për të luftuar kundër ISIL-it në terren. Për këtë arsye janë dedikuar burime të rëndësishme në përpjekje për ndërtimin e një force të tillë në Siri dhe Irak”, tha Josh Earnest, duke shpjeguar se këto “burime të rëndësishme” për ndërtimin e forcës së Irakut, ishin një “punë e vështirë”.

Ai e ka theksuar çështjen e shqetësimeve në mesin e liderëve ushtarakë të Shteteve të Bashkuara, lidhur me atë se a ka gatishmëri të trupave në Irak, që të luftojnë kundër grupit militant, Shteti Islamik.

Josh Earnest tha se arritjet më të mira në hapësirat kurde paraqesin “ilustrim më të mirë se përse kjo punë shumë e vështirë është e rëndësishme”.

Zëdhënësi Earnest ka vlerësuar se përfitimet kurde, pjesërisht, janë arritur edhe si rezultat i Uashingtonit, i cili e ka bindur Ankaranë,vitin e kaluar, që t’i lejojë luftëtarët kurdë irakianë, të njohur me emrin “Peshmerga”, të armatosur nga Shtetet e Bashkuara, ta kalojnë territorin e Turqisë për të ndihmuar kurdët në Siri, që ta rimarrin qytetin kufitar Kobani, që ishte disfatë e madhe për grupin ekstremist, Shteti Islamik.

“Ne kemi parë progres të rëndësishëm në luftën kundër ISIL-it në pjesën verilindore të Sirisë. Pjesa më e madhe e këtij progresi aktualisht është e ndërlidhur me vendimin e hershëm që administrata e presidentit Obama e bëri, për t’u përqendruar në mbështetje të madhe të forcave kundër ISIL-it në Kobani”, tha Josh Earnest.

Tash për tash zëdhënësit e Pentagonit dhe të kurdëve kanë refuzuar të tregojnë nëse qyteti Raqqa mund të jetë cak i tyre i ardhshëm.

“Ne nuk do të themi në mënyrë specifike se çfarë janë planet tona të menjëhershme”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Steve Warren, dhe ka shtuar se “qartas objektivi ynë përfundimtar është për ta dëbuar ISIL-in në mënyrë komplete”.

Zyrtarët amerikanë kanë tërhequr vërejtjen se forcave kurde u duhet kohë për t’i konsoliduar përfitimet e tyre dhe kanë theksuar se militantët e Shtetit Islamik kanë dëshmuar për përshtatje me situatën e krijuar dhe ripërtëritje të shpejtë nga disfatat.

“ISIL-i ka dëshmuar se është forcë e ripërtërishme”, i tha agjencisë Reuters një burim në inteligjencën amerikane, duke shpjeguar se “në të kaluarën, ai ka synuar t’i zbutë humbjet me sulme diku tjetër”.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren, tha se marrja e kontrollit nga ana e luftëtarëve kurdë të autostradës veriperëndimore ndërmjet qytetit Raqqa dhe kufirit të Turqisë, do ta vështirësojë punën e grupit Shteti Islamik, për ta mbajtur rrjedhën e armatimit dhe të luftëtarëve të jashtëm në zemër të territorit që e ka nën kontroll.

Por, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara thanë se grupi militant, Shteti Islamik, ka edhe rrugë të tjera të furnizimit dhe nuk ka rrezik të menjëhershëm që ato të ndërpriten.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG