Ndërlidhjet

Të mbijetuarit e dhunës seksuale, së shpejti me status


Nga ekspozita "Mendoj për ty"

Nga ekspozita "Mendoj për ty"

“Njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është e rëndësishme të bëhet në mënyrë të lehtë dhe shumë të kujdesshme, në mënyrë që viktimat të kenë më të lehtë të gëzojnë të drejtat e tyre, pa u traumatizuar për së dyti”, është thënë të mërkurën në takimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që drejtohet nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Në këtë takim është prezantuar edhe formulari i aplikimit të viktimave të krimeve seksuale të luftës, ku kjo kategori do të mund të aplikojë nëpër Organizatat Joqeveritare të autorizuara, zyra të veteranëve e invalidëve të luftës nëpër regjione si dhe direkt në sekretariatin e Komisionit qeveritar që do të themelohet për ta.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se pret nga Qeveria të marrë sa më parë vendimet e nevojshme që do t’i hapin rrugën formimit të Komisionit Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Duhet të vazhdojmë të jemi të përkushtuar dhe vigjilent që procesi i njohjes së statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës të mbetet një proces i denjë, i përgjegjshëm që në qendër të tij të ketë gjithmonë, në çdo hap, mirëqenien e të gjithë të mbijetuarve”, ka theksuar Jahjaga.

Gjatë takimit të këtij këshilli është theksuar se qasja në drejtësi mbetet e nevojshme për këto raste dhe se ato duhet të trajtohen me prioritet nga institucionet e vendi dhe duke iu garantuar trajtim tëdenjë.

Zëvendësministri i Drejtësisë Lirak Çelaj ka theksuar janë duke u angazhuar që këtyre viktimave t'u mundësohet qasja në drejtësi sa më lehtë që është e mundur.

Ai ka theksuar se do të krijohen edhemekanizma për të nxitur raportimin e rasteve të dhunës seksuale

“Pas mandatimit nga Këshilli Kombëtarë, ne si ministri kemi ndërmarrë iniciativat për themelimin dhe koordinimin e grupit punues ndërinstitucional që do të trajtoje aspektet që ndërlidhen me qasjen më të lehte në drejtësi për këto kategori”, ka theksuar Çelaj.

Vazhdimisht është theksuar se viktimat e kësaj torture, shpesh e fshehin krimin e kryer, për shkak të pasojave që mund të kenë në familje e shoqëri.

Kështu që ky fakt, besohet se do të paraqesë probleme për verifikimin e numrit të saktë të personave të dhunuar të luftës në Kosovë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi ka theksuar se shumë shpejt do të themelohet dhe do të fuqizohet Komisioni Qeveritar për njohjes dhe verifikimin e statusit e të mbijetuarve të dhunës seksuale.

“Përtej kësaj kuptojmë se trajtimi i drejtë dhe përfshirës i viktimave është shumë kompleks, mirëpo jemi të zotuar se të gjitha të drejtat dhe përgjegjësit që rrjedhin nga ligji që trajton këtë kategori do t’i trajtojmë më prioritet si në punësim aftësim, riaftësim dhe në të gjitha skemat që ne i menaxhojmë si institucione”, ka theksuar Abrashi.

Në anën tjetër, ambasadorit të Britanisë në Republikën e Kosovës Ruairi O’Connell, ka theksuar se të gjitha mekanizmat si vendor edhe ata ndërkombëtarë duhet të kërkojnë që kryerësit ekëtyre krimeve të dalin para drejtësisë.

“Unë shpresojë që në mund të fillojë të lehtësojmë dhimbjen e 16 viteve të fundit dhe pastaj të mund të punojmë më shumë për të ardhmen, natyrisht duke mos e harruar asnjëherë të kaluarën. Kjo bëhet duke i ndëshkuar fajtorët kushdo qofshin ata, çfarëdo pozita që mbajnë ata secili duhet të jap llogari për veprën që ka bërë. Nëse ata nuk ndëshkohen për krimet e tyre ata do t’i përsërisin ato ndoshta në forma të tjera,por krimi do të jetë gjithnjë prezent”, ka shtuar O’Connell.

Bazuar në të dhënat që posedojnë organizatat që merren me problematikën e viktimave të dhunës seksuale të luftës, nga lufta e fundit, Kosova ka dalë me një shifër prej mbi 20 mijë femrave të dhunuara, prej tyre edhe të mitura.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG