Ndërlidhjet

Lista Serbe shtyn themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës


Mungesa e marrëveshjes me Listën Serbe ka ndikuar që kryesia e Kuvendit të Kosovës të shtyjë votimin e amandamentit kushtetues për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK) për një afat të pacaktuar.

Formimi i Forcave të Armatosura, kërkon ndryshime kushtetuese, të cilat janë të mundshme vetëm përmes votimit të dyfishtë, që nënkupton sigurimin e dy të tretave të votave të deputetëve dhe dy të tretat e votave të minoriteteve.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se tash për tash, partitë e koalicionit nuk kanë konsensus me Listën Serbe kështu që formimi i Forcave të Armatosura është shtyrë, ndonëse ai është shprehur i bindur se kjo Forcë do të themelohet.

“Qeveria e ka proceduar për këtë seancë, pikën për Forcat e Armatosura të Kosovës, por duke pas parasysh që partnerët e koalicionit ende nuk janë marrë vesh, pra edhe me Listën Serbe, ne me mirëkuptim, do ta shtyjmë për një seancë të radhës”, ka thënë Veseli.

Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës ishte paraparë për seancën e kësaj jave, që do të mbahet ditën e enjte. Partitë opozitare, kanë shprehur pakënaqësi me veprimin e partive në koalicionin qeverisës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se heqja nga rendi i ditës ishte e qëllimshme pasi që Qeveria e Kosovës po e zvarritë këtë çështje për shkak të kompromiseve që po bëhen me Listën Serbe.

“Mazhoranca është pajtuar që Lista Serbe e dirigjuar nga Beogradi ta ketë të drejtën e vetos mbi krijimin e ushtrisë së ardhshme të Republikës së Kosovës. Kjo është një qasje e gabuar, një strategji e papranueshme e Qeverisë së Kosovës që një çështje kaq të rëndësishme siç është krijimi i ushtrisë së Republikës sonë ta mbajë peng Beogradi përmes Listës Serbe”, është shprehur Konjufca.

Ndërkohë, me deputetin e Vetëvendosjes nuk është pajtuar shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci. Ai ka thënë se partitë e koalicionit vetëm kanë kërkuar shtyrjen dhe jo heqjen e kësaj çështje nga agjenda e Kuvendit.

“Realiteti ka të bëjë me atë që ne kemi kërkuar që miratimi i amandamentit kushtetues të hiqet nga rendi i ditës. Të diskutohet, duke e respektuar edhe kërkesën e përfaqësuesit të Listës Serbe se ata nuk janë për bllokim të jetës institucionale, por ai kërkoi mirëkuptim për nevojën që kjo Listë ka për të parë dokumentin e propozuar”, ka thënë Grabovci.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se opozita po përpiqet që të përfitojë nga ky proces, pasi që themelimi i Forcave të Armatosura kërkon pajtimin e minoriteteve.

Andaj, në vend të dështimit gjatë votimit, ai ka thënë se nevojitet që paraprakisht të arrihet një ujdi me Listën Serbe dhe më pastaj të shkohet në Kuvend për miratim.

“Nuk mund të shkohet në Kuvend me një pikë për të cilën paraprakisht mund ta dish se nuk ka sukses ose nuk do ta marrësh votën e nevojshme. Këto i thotë Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nuk janë punë qejfesh e interpretimesh tona si deputet, prandaj duhet vazhduar përpjekjet që të arrihet ky konsensus apo kjo marrëveshje”, ka theksuar Beqiri.

Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë pasardhëse të Forcave të Sigurisë së Kosovës të cilat kanë më shumë kompetenca të ndërhyrjeve emergjente sesa ushtarake.

Po ashtu, Forcat e Armatosura, mund të themelohen vetëm nën mbikëqyrjen e NATO-s me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje ne NATO-n.

Sidoqoftë, fillimisht për themelimin e këtyre Forcave, do të nevojitet të arrihet edhe pajtimi me Listën Serbe, pasi që ky subjekt përfaqëson aktualisht shumicën e komunitetit serb në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG