Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësuesit serbë: Asociacioni nuk është “bosnjëzim”


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Marrëveshja e arritur të martën në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, çon drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, vlerësojnë përfaqësuesit serbë në institucionet e larta të Kosovës si dhe të Listës Serbe.

Lexoni këtu marrëveshjen për Asociacionin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, i cili vjen nga Lista Serbe, ka theksuar se formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është bazë për stabilitetin e Bashkësisë serbe në Kosovë.

“Para së gjithash më duhet të them se jam mjaft i kënaqur me atë që është arritur në Bruksel dhe se ky është një themel i mirë për stabilizimin e mëtutjeshëm të Bashkësisë serbe në Kosovë”.

“Besoj që kjo të gjithëve do tu kontribuoj për të mirë. Opozita po e tregon jo kreativitetin e saj dhe po përpiqet që në marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të zgjojë ndonjë urrejtje, e për të cilën duhet të punojmë bashkë që të zhduket".

"Ata që dëshirojnë të punojnë për krijimin e konflikteve dhe jo për zgjidhjen e problemeve, janë njerëz për të cilët mendoj se nuk janë për të ardhmen, por janë njerëz të së kaluarës”, theksoi zëvendëskryeministri Stojanoviq.

Kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka vlerësuar mjaft të mirë marrëveshjen për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, ajo do të jetë e dobishme për serbët, por edhe për shqiptarët e Kosovës.

“Është bërë një marrëveshje mjaft e mirë dhe ne e përshëndesim këtë marrëveshje të cilën kryeministrat, Aleksandar Vuçiq dhe Isa Mustafa, e kanë nënshkruar. Shpresojmë që do të vazhdojmë më tutje në interes të qytetarëve tanë, si dhe të pajtimit të popujve tanë në hapësirën e Kosovës”, theksoi Jabllanoviq.

Zëvendëskryeministri Stojanoviq ka theksuar se formimi i Asociacionit apo Bashkësisë nuk është i orientuar kundër kujtdo qoftë.

Ai ka thënë se krahasimet që kohët e fundit janë dëgjuar nga opozita se formimi i Asociacionit paraqet “bosnjëzim” të Kosovës, nuk qëndrojnë fare.

“Krahasimi me Republikën Serbe dhe krahasimi me çfarëdo tjetër, mendoj se nuk qëndron. Nëse e shikoni marrëveshjen dhe kompetencat, do të shihni diçka që do tu japë mundësi këtyre njerëzve këtu që të organizohen më mirë dhe të jetojnë më mirë".

"Unë nuk shoh pse kjo duhet të jetë kërcënim për këdo qoftë. Ne fakt do të ketë përfitime, sepse fqinjët e tyre do të jetojnë më mirë dhe me këtë edhe vet ata”, tha Stojanoviq.

Jabllanoviq shpreh mendimin se me formimin e Asociacionit apo Bashkësisë, do të hapet rruga për një mirëkuptim të qëndrueshëm dhe zgjidhje të problemeve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

“Konsideroj që me formimin e Bashkësisë së komunave serbe, serbët në Kosovë do të marrin mbrojtje më të mirë të të drejtave të tyre njerëzore dhe qytetare. Në anën tjetër, jam i sigurt që një gjë e tillë në asnjë masë nuk i dëmton interesat e shqiptarëve të Kosovës dhe të institucioneve në Prishtinë”, tha Jabllanoviq.

Ai ka shtuar se deri më tash, dinamika e marrëveshjeve në Bruksel ka qenë më e mirë se zbatimi i tyre në teren.

Kjo sipas tij, krijon pak skepticizëm se si do të realizohet deri në fund kjo marrëveshje nga autoritetet në Prishtinë.

Megjithatë, siç tha ai, situata ndërmjet palëve është mjaft e pjekur dhe serioze dhe pret që marrëveshja për formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe të realizohet brenda kornizës kohore prej 4 muajsh, afat ky i përcaktuar me marrëveshje.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG