Ndërlidhjet

Merkel, “nëna zemërgjerë”


Mikpritja për migrantët në Kiel të Gjermanisë, 2 shtator

Mikpritja për migrantët në Kiel të Gjermanisë, 2 shtator

Mijëra refugjatë, që arrijnë me tren në destinacionin e tyre të ëndërruar – në Gjermani – marrin mbështetje të madhe si nga zyrtarët, ashtu edhe nga qytetarët.

Afro 3,000 njerëzve, kryesisht nga Siria dhe Afganistani, u është dhënë ushqim dhe ujë, ndërsa fëmijëve lodra, derisa kanë zbarkuar nga trenat në Mynih, më 1 shtator.

Refugjatët – shumë prej të cilëve kanë udhëtuar mijëra kilometra nëpër Detin Mesdhe, përmes Ballkanit dhe barrierave me tela që ka ngritur Hungaria, i janë gëzuar pritjes së ngrohtë që kanë marrë.

Bujaria e qytetarëve bavarezë për refugjatët dhe migrantët ka qenë aq e madhe, saqë policia ka postuar mesazhe nëpër rrjetet sociale, duke u bërë thirrje atyre që të ndalojnë të sjellin ushqime, rroba, lodra dhe gjëra të tjera në stacionin kryesor të trenave në Mynih.

Pritja në këtë qytet, ashtu si edhe në Shtutgart dhe Frankfurt, ka qenë krejt ndryshe nga përvoja e shumicës në Hungari, ku zyrtarët po bëjnë gjithçka të mundur që t’i mbajnë ata jashtë vendit ose t’i ndalojnë të udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera më të begatta të Bashkimit Evropian.

Këto masa kanë përfshirë edhe mbylljen e stacionit kryesor të trenave në Budapest.

Ata që janë arratisur nga Hungaria dhe kanë arritur në Vjenë, po ashtu janë pritur ngrohtë nga zyrtarët dhe dhjetëra vullnetarë.

“Nëse ne nuk ndihmojmë, do të ishte katastrofë”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Yannis Bitsios, një pensionist vjenez, 74 vjeç, i cili shpërndante makarona për refugjatët.

“Në fakt, tashmë është katastrofë. Ne thjesht duhet të bëjmë diçka për t’i ndihmuar refugjatët. Kjo është diçka që duhet të bëjë shteti, por kush është shteti? Ne jemi shteti”, ka shtuar ai.

Kryetari i Mynihut, Dieter Reiter, ka thënë se është “krenar” me reagimin e qytetit të tij ndaj krizës. Ai ka thënë se njerëzit kanë ardhur me qese me ushqim dhe se disa dyqane kanë dërguar po ashtu kamionë me mallra.

Vala e refugjatëve ka fituar edhe mbështetjen e artistëve gjermanë. Aktori Til Schweiger dhe rock-këngëtari Udo Lindenberg u kanë bërë thirrje bashkëvendësve të tyre të jenë tolerantë.

Edhe ekipi futbollistik i Bajern Mynihut, i cili ka fituar Kupën e Botës më 2014, ka lëshuar një video, ku ka dënuar sulmet ksenofobike ndaj refugjatëve dhe ka bërë thirrje për “respekt” dhe “integrim” të azilkërkuesve.

Sulmuesi i Bajern Mynihut, Thomas Mueller, ka thënë se “detyra jonë, para së gjithash, është të ndihmojmë njerëzit”.

Mbështetja e madhe nga populli gjerman pasqyron qëndrimin e kancelares së vendit, Angela Merkel.

“Bota e sheh Gjermaninë si vend të shpresës dhe të mundësive. Nuk ka qenë gjithmonë kështu”, ka thënë Merkel, duke iu referuar së kaluarës naziste të Gjermanisë.

Megjithatë, zotimi i Merkelit për të pritur rreth 800,000 azilkërkues dhe migrantë këtë vit, nuk mbështetet nga të gjithë gjermanët. Dhjetëra protestues e kanë quajtur atë “tradhtare”, derisa ka vizituar një strehimore refugjatësh, pranë Drezdenit, javën e kaluar.

Por, e njëjta pikëpamje tolerante ka bërë që Merkel të madhërohet nga sirianët.

Ata kanë krijuar disa faqe në Facebook me titujt “Nëna Merkel, nëna e migrantëve” dhe “Nëna zemërgjerë”.

Hashem Alsuki, një refugjat sirian, i ka thënë gazetës The Guardian më 1 shtator se Merkel “është shpëtimtare e fëmijëve sirianë nga ferri i luftës dhe ekstremizmit. Të gjithë sirianët e duan Merkelin dhe kurajën e saj”.

Gjermania vlerësohet se do të pranojë rreth 40 përqind të të gjithë azilkërkuesve që hyjnë në Evropë.

“Vendet e Evropës duhet të ndajnë përgjegjësinë e përkujdesjes për azilkërkuesit”, ka thënë Merkel. [v.tela]

Trego komentet

XS
SM
MD
LG