Ndërlidhjet

Nëntë muaj që nga krijimi i institucioneve të reja në Kosovë, ende nuk po shihen aktivitete ekonomike të qeverisë të cilat do të mund të përmbushnin premtimin e dhënë gjatë fushatës elektorale për krijimin e qindra vendeve të reja të punës, vlerësojnë analistë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Që nga fillimi i mandatit të Qeverisë së Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, ekspertët e ekonomisë, thonë se agjenda politike ka dominuar, duke lënë kështu anash aspektin ekonomik, siç është krijimi i vendeve të reja të punës.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se Kosova nuk po arrin të vendos në plan të parë agjendën e zhvillimit ekonomik, për të cilën, siç shprehet Gashi, Kosova ka më së shumti nevojë.

“Duke pasur një agjendë të ngjeshur politike, sidomos bisedimet në Bruksel, krijimin e Asociacionit në komunat me shumicë serbe, mandej demarkacioni më kufirin me Malin e Zi, problemet ndërmjet pozitës dhe qeverisë, problemet ekonomike po mbesin anash dhe Kosova nuk po arrin të vendos në agjendë prioritare krijimin e vendeve të reja të punës”, vlerëson Gashi.

Gjatë fushatës elektorale, hapja e vendeve të reja të punës kishte qenë një ndër premtimet më të mëdha të partive politike në vend.

Në planin ekonomik të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi, kishte thënë se synim i tij kryesor është krijimi i 200 mijë vendeve të reja të punës.

Vende të reja të punës kishte premtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa ka premtuar se gjatë mandatit katër vjeçar do të arrijë të krijojë 120 mijë vende pune.

Sokol Havolli, shef i kabinetit dhe këshilltar për ekonomi në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se janë një varg aktivitetesh të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e vendeve të punës, e që ishin premtuar gjatë fushatës elektorale.

“Aktivitete janë reflektuar edhe në strukturën e buxhetit, por edhe në fushat tjera si projektligjet e ndryshme të cilat ose janë realizuar deri më tani dhe efektet pritet të fillojnë me zbatimin e këtyre ligjeve. Kosova ka kapacitete të jashtëzakonshme që të gjenerojë vende të punës në sektorin e bujqësisë dhe këtu buxheti për bujqësinë pothuajse është dyfishuar krahasuar me vitet e kaluara".

"Po ashtu, në rajonin e Dukagjinit sistemi i ujitjes pritet të trefishohet dhe kjo drejtpërsëdrejti do të reflektojë në krijimin e më shumë vendeve të reja të punës”, ka theksuar Havolli.

Havolli ka shtuar se është punuar dhe tani është në finalizimin e sipër projektligji për krijimin e fondit për garantimin e kredive, që si i tillë do të ketë implikime direkte edhe në gjenerimin e vendeve të punës.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke punuar në fazën iniciale dhe ka realizuar disa pilot projekte me qëllim të vlerësimit të funksionimit të sistemit të subvencionimit të pagave që do të krijojnë ndihmë për bizneset, dhe në të njëjtën kohë edhe disa obligime kontraktuale që do të sigurojnë qëndrueshmëri të vendeve të punës në sektorin privat”.

“Po ashtu është duke punuar edhe në ligjin për investime strategjike i cili ka për qëllim drejtpërsëdrejti që të krijojë sa më shumë vende të reja të punës”, ka thënë Havolli.

Sipas Havollit, ka pasur projekte konkrete të cilat janë finalizuar dhe ku ka pasur punësim, por që nuk kanë ende të dhëna.

Ai thotë se të gjitha premtimet të cilat janë dhënë gjatë fushatës elektorale do të realizohen brenda mandatit katërvjeçar.

Sidoqoftë, eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi shton se me një agjendë të tillë politike, çfarë ka pasur qeveria gjatë këtyre nëntë muajve të qeverisjes, nuk do të arrijë të përmbushë premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale.

“Unë mendoj se agjenda duhet të ndërrohet komplet dhe prioritet numër një dhe jetik për Kosovën duhet të jetë zhvillimi ekonomik, inkurajimi i investimeve të jashtme, dhe përmirësimi i ambientit afarist dhe kjo bëhet me një gjyqësor efikas, heqjen e burokracisë, furnizim stabil me energji elektrike, luftimin e korrupsionit”, ka thënë Gashi.

Në hulumtimet e bëra nga organizatat joqeveritare, qytetarët e Kosovës problem kryesor e konsiderojnë papunësinë.

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kishte shënuar rënie të lehtë nga 30.9 për qind në 30.0 për qind midis viteve 2012 dhe 2013, mirëpo ka shënuar rritje në 35.3 për qind në vitin 2014.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG