Ndërlidhjet

Sekreti i rezervave shtetërore...


Ilustrim
Ilustrim

Republika e Kosovës, që nga viti 2013 ka filluar me grumbullimin e rezerva shtetërore të mallrave, si produkte esenciale ushqimore, agro-ushqimore dhe produkte të derivateve të naftës, thonë zyrtarë qeveritarë.

Por, ekspertë të kësaj fushe, konsiderojnë se sasia e rezervave shtetërore, është shumë e vogël.

Rezervat shtetërore të mallrave shfrytëzohen për nevoja të furnizimit në raste të luftës, apo rrezikut të drejtpërdrejtë nga lufta dhe në raste të fatkeqësive natyrore të përmasave të mëdha.

Rezervat shtetërore në Kosovë i përbëjnë produktet e miellit, orizi, sheqeri, konservat e mishit, makaronat, marmelata dhe kripa. Kurse, nga produktet joushqimore, Republika e Kosovës ka rezerva të derivateve të naftës.

Shaban Halimi, drejtor i Departamentit të rezervave shtetërore të mallrave, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tregon se vlera buxhetore vjetore e këtyre rezervave është rreth 400 mijë euro.

Kjo sasi thotë ai, është e mjaftueshme, kurse në një periudhe deri shtatë vjeçare, sipas tij,sasia e rezervave shtetërore do të rritet.

Halimi thotë se mundësitë e Kosovës për rezervat e grurit, janë që të bëhet sigurimi i këtij produkti për 15 ditë për gjithë popullatën.

“Ne kemi planin strategjik dhe në këtë plan është planifikuar që rezerva të grurit të këtë për 15 ditë për gjithë popullatën. Dhe ky plan është në implementim. Pra, kemi arritur një sasi të konsiderueshme që është për lakmi".

"Gjithashtu kemi produktet e naftës, produkt energjetik i rëndësishëm për ekonominë. Këtu kemi planifikuar që të kemi rezerva për tri ditë. Ndërsa, produktet agro-ushqimore janë produkte për mbajtjen e situatave të jashtëzakonshme, nëse ndodh ndonjë vërshim apo tërmet ku mund të rrezikohen rreth 20 mijë banorë”, shpjegon Halimi për Radion Evropa e Lirë.

Por, përfaqësues të organizatave joqeveritare, konsiderojnë se sasia e grumbulluar e rezervave shtetërore, është e pamjaftueshme.

Selatin Kaçaniku, nga organizata “ Konsumatori”, thotë se autoritetet kompetente duhet të rrisin buxhetin për këtë çështje, në mënyrë që të rritet sasia, por edhe numri i produkteve si rezerva shtetërore.

Kjo sasi nuk i mjafton popullatës së përgjithshme të Kosovës as për pesë orë. Dhe, natyrisht, është opsion i mundësive dhe jo opsion i nevojave”, thotë Kaçaniku.

Shaban Halimi, ndërkaq, tregon se të gjitha rezervat shtetërore ruhen dhe mbikëqyren nga operatorët ekonomikë privat. Por, që vend -ndodhja e tyre sipas ligjit në fuqi, mbetet sekret shtetëror.

“Shteti nuk ka trashëguar deponi të dizelit, mullinjtë të cilët plotësojnë kriteret për ruajtjen e grurit janë privatizuar, pra në pronësi të shtetit nuk ka. Kemi gjetur modalitetin përmes tenderimit publik dhe kritereve shumë specifike për ruajtjen e produkteve agro- ushqimore, sidomos grurit. Dhe, normalisht, përmes tenderimit publik këto ruhen në operatorët privat ekonomikë”, thekson Halimi.

Kriter për përcaktimin e sasisë për rezervat shtetërore merret numri i popullatës dhe lloji i produktit, ku shtetet, sipas prioriteteve të tyre dhe fuqisë ekonomike, sigurojnë p.sh. grurin për të gjithë popullatën për një vit në bazë të konsumit vjetor.

Ndërsa, kriteret për sasitë e produkteve tjera agro-ushqimore dhe joushqimore, janë numri i banorëve që mund të përfshihen në një rast katastrofe natyrore dhe numri i ditëve për furnizimin e tyre me produktet e nevojshme.

XS
SM
MD
LG