Ndërlidhjet

Maqedonia mban të hapur kufijtë për migrantët


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Kriza e refugjatëve nuk pritet të përfundojë shpejt, ndërkohë do të vazhdojë edhe gjatë muajve të dimrit dhe ajo paraqet çështje globale e cila duhet parë si sfidë afatgjate, ka theksuar përfaqësuesi i UNHCR-së në Maqedoni, Mohamed Arif në kuadër të tribunës me temën “Refugjatë, migrantë, terroristë” në organizim të Kolegjit Amerikan në Shkup.

Arif tha se “vendet fqinje të Sirisë, prej nga vjen numri më i madh i migrantëve, kanë pranuar miliona refugjatë".

Ai ka sqaruar se refugjatët përderisa kanë shpresë se mund të kthehen në atdhe, atëherë ata vendosen në vendet fqinje, por kur atyre u humbet shpresa se gjendja mund të rregullohet në vendin e tyre, ata vendosin për të migruar në vendet më të largëta për të ndërtuar një jetë të re

“Nuk mendoj se situata në Siri do të zgjidhet në një afat të shkurtër kohor dhe nëse kemi këtë fakt parasysh mendoj se kiza me refugjatët do të vazhdojë; madje nga Siria besoj se duhet të jemi të përgatitur për një valë më të theksuar të refugjatëve të cilët do të braktisin shtëpitë e tyre”, është shprehur Arif.

Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës për Menaxhimin e Krizave në Maqedoni, Suzana Salihu ka theksuar se pa marrë parasysh sa do të jetë numri i migantëve që do të vendosin ta kalojnë Maqedoninë si shtet transit, qeveria e vendit nuk do të vendos për mbylljen e kufirit jugor me Greqinë.

Salihu megjithatë ka theksuar se institucionet të cilat janë të përfshira në menaxhimin e krizës me migrantët, përballen me mungesën e mjeteve financiare.

“Republika e Maqedonisë ka kapacitete si në aspektin institucional ashtu edhe atë njerëzor, njëherësh ekziston dhe vullneti si dhe disponon dhe me eksperiencë për t'u ballafaquar me krizën e refugjatëve, por duhet pranuar se të gjitha institucionet në Maqedoni, të cilat janë të kyçura në menaxhimin krizës me migrantët, kanë probleme serioze financiare".

"Unë mendoj se Republika e Maqedonisë do të dalë e suksesshme nga kjo krizë”.

Ndërkaq ambasadorja e Serbisë në Maqedoni, Dushanka Divjak Tomiq, ka theksuar se nuk janë të mjaftueshme vetëm ndihmat financiare që ka ndarë Bashkimi Evropian për Maqedoninë dhe Serbinë, duke shtuar se këtyre dy vendeve nevojitet t'u ofrohet ndihmë në të gjitha dimensionet, veçanërisht gjatë ditëve të dimrit, në rast se migrantët detyrohen të qëndrojnë më gjatë në këto vende si rrjedhojë e mbylljes së kufijve.

“Nuk ekziston rrezik që Serbia të mbyll kufijtë për migrantët. Që nga momenti i parë me ballafaqimin e krizës së migrantëve, Serbia është treguar e hapur në drejtim të Maqedonisë, dhe kryeministri serb është shprehur se Serbia nuk do të mbyll kufijtë, ndërkohë që kemi kundërshtuar mbylljen e kufirit tonë në veri dhe perëndim nga ana e fqinjëve tanë, sepse mendojmë se koha e mureve dhe telave gjemborë ka kaluar".

Edhe përfaqësuesit e Kryqit të Kuq në Maqedoni, kanë theksuar se intensivisht përgatiten për sezonin e dimrit kur kriza e migrantëve do të jetë edhe më sfiduese për Maqedoninë si shtet.

XS
SM
MD
LG