Ndërlidhjet

logo-print

Seancë me fishkëllimat e opozitës dhe gaz lotsjellës


Kuvendi i Kosovës më në fund arriti të mbajë një seancë plenare, ndonëse në rrethana jo normale, nën tensione, fishkëllima e gaz lotsjellës që u hodh nga deputetët opozitarë.

Si pasojë e gazit lotsjellës, dy deputete të Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra kanë kërkuar edhe ndihmën mjekësore.

Në pamundësi që seanca të udhëhiqej nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pasi që foltorja e Kuvendit po mbahej e bllokuar nga opozitarët, ajo është drejtuar nga nënkryetari i këtij institucioni, Xhavit Haliti, i cili është ulur te tabori i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, prej nga ka udhëhequr punimet.

Në këso rrethana, drejtimi i seancës ishte tejet i vështirë, ngase çdo fjalim i kryesuesit apo deputetëve të partive të koalicionit përcillej me fishkëllima.

Ndërkohë që ligje të caktuara viheshin për votim, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe disa të tjerë nga partitë në opozitë, i kanë hedhur ujë fytyrës kryesuesit Haliti.

Pas miratimit të shpejtë të disa projektligjeve, seanca u mbyll me hedhjen e gazit lotsjellës.

Sipas një komunikate të Lëvizjes Vetëvendosje, gazi lotsjellës që u hodh në Kuvendin e Kosovës është marrë nga aktivistët e kësaj partie politike gjatë protestave të janarit, kundër ish-ministrit serb në qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq.

Një veprim i tillë i Vetëvendosjes dhe dy partive tjera opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, sipas shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ishte një veprim i hidhur që një parti politike ndërmerr në institucionin e përfaqësuesve të popullit.

"Për hir të qytetarëve të Kosovës ne e përballojmë edhe këtë dhe do të bëjmë përpjekje me çdo kusht që të kthejmë normalitetin në Kuvendin e Kosovës. Shpresoj dhe besoj fuqishëm te qytetarët e Kosovës se do të vlerësojnë këtë situatë dhe do të shohin fytyrat e vërteta të gjithsecilit", ka theksuar Grabovci.

Veprimet e opozitës, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri i ka cilësuar të turpshme.

"Edhe sot nëse këta që janë thirrur në veprime demokratike e marrin guximin dhe thonë se edhe këto që ndodhën ishin veprime demokratike, atëherë ky është turpi më i madh që mund të thonë dhe po e them se këto janë veprime kundër shtetit të Kosovës", ka deklaruar Beqiri.

Megjithatë, për dallim nga partitë e koalicionit qeverisës, përfaqësuesit e opozitës i kanë cilësuar veprimet e tyre si demokratike dhe përpjekje për të penguar zbatimin e marrëveshjes që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka nënshkruar në Bruksel me homologun e tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka theksuar se veprimet e opozitës nuk ndalen deri në zhbërjen e kësaj marrëveshjeje ose në dorëheqjen e kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës.

"Ne nuk do të ndalemi, nuk do të zmbrapsemi përderisa Isa Mustafa të mos e tërheq nënshkrimin nga marrëveshja për 'Zajednicën' (term ky që Vetëvendosje e përdorë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe). Situata në Kosovë nuk është normale, nuk mund të shtiremi se gjithçka sot është në rregull dhe të votojmë ligje të cilat pavarësisht që votohen, nëse instalohet 'Zajednica' në Kosovë, do ta bëjë jetën jofunksionale në Republikën e Kosovës", ka thënë Haxhiu.

Vazhdimin e bllokimit të punës së Kuvendit dhe përdorimin e masave të ndryshme për arritjen e këtij qëllimi e ka mbështetur edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

"Parlamenti dhe seancat janë mbulesë për t'u zbatuar marrëveshjet e dëmshme, Asociacioni dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Përderisa nuk ndërpriten apo nuk anulohen këto marrëveshje, do të jetë kështu", ka thënë Haradinaj.

Bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës është një masë që tashmë opozita po e zbaton në kundërshtim të marrëveshjes që qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Gjithashtu, po kundërshtohet marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe është arritur më 25 gusht, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Opozita e cilëson si marrëveshje që çon drejt defunksionalizimit të shtetit dhe ndarjes së Kosovës.

Zhbllokimin e punës së Kuvendit, opozita po e ndërlidh me tërheqjen e nënshkrimeve nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa prej këtyre marrëveshjeve.

Sipas marrëveshjes, serbët në Kosovë do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural, si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG