Interesimi i diasporës për të investuar në vendin e tyre, në Kosovë, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Diasporës në Qeverinë e Kosovës thuhet të jetë i madh, por që moszbatimi i ligjeve po konsiderohet të jetë pengesë për këto investime
Pronarë të disa kompanive të cilat kanë bërë investime në Kosovë tregojnë për një ambient jo edhe aq të favorshëm biznesor në vend.
Kompania “Eurofol-Kunstoffe Group GmbH” nga Siegen i Gjermanisë, e cila merret me prodhimin e stofit dhe riciklimin e plastikës, biznesin e tyre e kanë shtrirë edhe në Kosovë në qytetin e Ferizajt.
Bashkim Mustafa, pronar në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka treguar për problemet me të cilat janë ballafaquar në Kosovë.
“Kosova të vetmin problem që e ka, ka të bëjë me institucionet, me shtetin. Shteti nuk i zbaton rregullat ashtu siç janë të shkuara në letra. Sikur gjithçka të zbatohej, Kosova do të ishte një vend parajsë për biznes”, ka thënë Mustafa.
Në disa aspekte, shton Mustafa, Kosova ofron kushte më të mira për të investuar sesa në Gjermani apo në vendet tjera evropiane.
Në Gjermani, ai tregon se paguajnë afër 60 për qind tatim në fitim, derisa në Kosovë është më pak se 10 për qind. Përveç kësaj përparësie që e ka Kosova, ai thotë se fuqia punëtore është shumë më e lirë në Kosovë sesa në vendet evropiane.
Kjo kompani ka të punësuar 20 punëtorë.
“Fuqia punëtore është e lirë. Në Kosovë një punëtor e paguan me një rrogë mesatare 200 deri në 400 euro. Me të njëjtën punë në Gjermani një punëtorë paguhet 3,200 euro, përfshirë taksat dhe të gjithë shërbimet tjera”, ka treguar Mustafa.
Në programin e Qeverisë së Kosovës është theksuar se do të promovojë lehtësira për diasporën për hapjen dhe fillimin e bizneseve në Kosovë dhe të ndërmarrë masa specifike legjislative duke përfshirë lirimin nga taksa në korporatë, lirimin nga detyrimet e importit, pajisjeve dhe në lëndën e parë të nevojitur për investime, zvogëlim të numrit të procedurave për marrjen e lejes së ndërtimit.
Interesimin e diasporës për të investuar në Kosovës e konfirmon për Radion Evropa e Lirë, Naim Dedushaj drejtor në drejtorin për investime të diasporës në Ministrin e Diasporës.
Por, edhe ai tregon, se investitorët nga diaspora problem kryesor e kanë mos zbatimin e ligjeve.
“Mos zbatimi i ligjeve ka qenë një ndër pengesat kryesore të bashkatdhetarëve që të mos vijnë të investojnë në Kosovë. Pastaj neglizhenca e zyrtarëve shtetëror, zyrtarëve komunal dhe dënimet e pa baza të kompanive, kanë qenë arsyeja që ata hezitojnë të vinë”, ka shtuar Dedushaj.
Në bazë të të dhënave që ka Ministria e Diasporës, tregon Dedushaj janë afër 1 mijë afarist të diasporës që kanë investuar në Kosovë, ku edhe janë punësuar një numër i madh i punëtorëve.
“Diaspora ka investuar në të gjitha sektorët, duke filluar nga privatizimi. Sikur privatizimi të ishte bërë në formë tjetër më të mirë, diaspora ka mundur të jetë kryesore në privatizim. Diaspora ka investuar edhe në tregti, në prodhim dhe po ashtu edhe në ndërtim”, shton ai.
Qytetarët e Kosovës të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, kanë ndihmuar vendin e tyre për vite me radhë.
Dërgesat e emigrantëve kosovarë që në vit arrijnë shifrën e gjysmë miliardë euro, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.