Ndërlidhjet

Furnizim i mirë me barna gjatë 2015-s


Ilustrim
Ilustrim

Për vitin 2015, buxheti për barnat në Kosovë është rritur për 14.5 milionë euro më shumë, duke e ngritur buxhetin përafërsisht në 35.5 milionë euro. Në vitin 2014, buxheti për barna kishte qenë rreth 21 milionë euro.

Megjithëkëtë, mungesa e barnave nga lista esenciale në institucionet publike shëndetësore, vazhdon të jetë e pranishme, por sipas zyrtarëve shëndetësorë, krahasuar me vitet paraprake, gjatë vitit 2015 ka pasur furnizim të mirë me barna.

Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se në sektorin që udhëheq ai, vërehet një përmirësim sa i përket furnizimit me barna.

“Klinika emergjente këta 9 muaj, në bazë të dinamikës së shërbimeve emergjente në krahasim me klinikat e tjera, ka pasur një furnizim të qëndrueshëm me barna, material shpenzues dhe pajisje mjekësore. Kjo për shkak të specifikave të punës që ka kjo klinikë”.

“Neve asnjëherë nuk na ka ndodhur që të ketë ndonjë mungesë të produktit jetë -shpëtues, derisa mungesë të barnave që nuk paraqesin rrezik për jetën, normalisht që ka. Klinika emergjente bën planifikimin për barna dhe kërkesat tona janë të vazhdueshme që kjo klinikë duhet jetë prioritet i shtetit”, thotë Lenjani.

Edhe në Institutin onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, drejtori Ekrem Hyseni pohon se viti 2015 ka qenë vit më i mirë, sa i përket furnizimit me barna për të sëmurët me kancer.

“Furnizimi me kimioterapi ka qenë stabil dhe mbulueshmëria ka qenë mbi 90 për qind”, thekson Hyseni.

Ndërsa, Lenjani shton se shpeshherë Klinika emergjente ka planin B, që në situata të caktuara merren barna nga depot.

“Kërkesa jonë është që shërbimet emergjente në tri nivele duhet mbështetur plotësisht. Shpresojmë që të plotësohen edhe ato pak mungesa, dhe besoj që viti i ardhshëm do të na gjejë më mirë në gjitha sferat, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrojmë ndihmë emergjente në minutat e artë”, shton Lenjani.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se furnizimi gjatë këtij viti është përmirësuar.

Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë bën të ditur se përqindja e furnizimit të institucioneve publike shëndetësore me barna, sipas raporteve, mbulon pjesën dërmuese të të gjitha kërkesave për barna.

“Në bazë të raportit që kemi marrë nga QKUK- ja, përqindja e furnizimit me barna nga lista esenciale në institucionet e QKUK-së, është rreth 80 për qind, duke lëvizur në spitale regjionale, diku prej 52 për qind në 81 për qind. Pra, mesatarja del mbi 70 për qind në total në nivel të institucioneve sekondare dhe atyre terciare”, bën të ditur Krasniqi.

Zyrtarët shëndetësorë kanë deklaruar disa herë se furnizimi me barna, ndërlidhen ngushtë edhe procedurat e prokurimit, që sipas tyre nuk u përshtaten specifikave të procesit,gjë e cila shpeshherë shkakton edhe vonesa në furnizim.

XS
SM
MD
LG