Ndërlidhjet

Sektori i biznesit në Kosovë ka performancë të dobët kur bëhet fjalë për parimet e transparencës dhe llogaridhënies lidhur më informimin e aktiviteteve të tyre në përgjithësi, pohojnë përfaqësues të shoqërisë civile.

Kjo dukuri, sipas tyre, është e shfaqur për shkak se disa kompani private për të mbijetuar në treg duhet të bashkjetojnë me korrupsionin.

Madje në një raport për “Vlerësimin e sistemit të integritetit kombëtar në Kosovë", përgatitur nga Instituti Demokratik i Kosovës, thuhet se shteti vazhdon të ndërhyjë në sektorin e biznesit dhe që ryshfeti shihet si mjet për të mbijetuar.

Visar Sutaj, menaxher i projektit në këtë institut, ka thënë se korrupsioni në komunitetin e biznesit ende mbetet problem serioz.

Ai thotë se në kompanitë e Kosovës është pothuajse e pamundur për të marrë informacione mbi qarkullimin vjetor, numrin e të punësuarave dhe rreziqet e mundshme financiare.

Kjo sipas tij, po ndodh për shkak të mungesës së vullnetit politik të institucioneve kompetente për të pasur një regjistër të saktë.

“Regjistri i bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë është shumë i mangët dhe këtu ka informacione të mangëta. Pra, ka informata të pakta që tregojnë për rreziqet që ekzistojnë në treg apo thjesht tek bizneset dhe këtu është një problem dhe mungesë e vullnetit politik që të vihet në një regjistrim sa më të saktë".

"Një regjistrim me të gjitha informatat e mundshme. Pra, kemi mungesën e vullnetit politik që të krijohet një databazë që lidhet me Administratën Tatimore të Kosovës”, ka thënë Sutaj.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, të gjitha bizneset në Kosovë, pavarësisht statusit të tyre janë të obliguara të raportojnë të hyrat e tyre dhe të paguajnë detyrimet tatimore, bazuar në parimin e vet-deklarimit.

Llogaridhënia dhe transparenca, sipas tyre, janë të sanksionuara me Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Sakip Imeri, drejtor i Departamentit për Shërbime dhe Edukim të Tatim Paguesve në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë se përformanca e përgjithshme e tatim-paguesve është relativisht e mirë me tendenca të ngritjes së përmbushjes vullnetare.

Ai megjithatë, tregon disa nga vështirësitë në marrjen e informacioneve të tatim-paguesit.

“Vështirësitë janë të natyrave të ndryshme që lidhen posaçërisht me bizneset që funksionojnë në periudha të shkurta dhe veprimtari që i përkasin sezonave kur ka më shumë kërkesa për punë dhe angazhime të përkohshme si në bujqësi, hoteleri, ndërtimtari".

"Në funksion të marrjes së informacioneve bashkëpunojmë edhe me institucionet tjera të nivelit qendror si ( Dogana, Thesari, Inspektoratët ) dhe nivelit komunal përfshirë edhe palët tjera si bizneset dhe personat fizik”.

Mosdeklarimi ose nëndeklarimi i tatimeve, thotë Imeri, bëhet që të rritet fitimi i biznesit duke dëmtuar buxhetin.

"Ky është një devijim nga kërkesa ligjore dhe shmangie nga obligimet reale të tatim-paguesve. Veprimet nga këto situata janë të përcaktuara me ligj dhe të sanksionuara me ndëshkime konkrete, varësisht prej shkeljes së konstatuar".

"ATK në vazhdimësi grumbullon informata, i përpunon dhe mbi bazën e analizave bën vlerësime dhe aplikon ndëshkime dhe interesa për pjesën e padeklaruar ose të deklaruar më pak".

Ndryshe, në hulumtimin e Institutit Demokratik thuhet se Doganat dhe organet tatimore, kryejnë inspektime të panevojshme ndërsa komuniteti i biznesit është i pakënaqur me punën e gjyqësorit në menaxhimin e kontesteve biznesore dhe punëve të përgjithshme të sektorit privat.

Duke pasur parasysh ekzistencën e ekonomisë joformale, thuhet ndër të tjera në raport, negociatat sekrete me autoritet tatimore dhe doganore janë ende në një masë praktikë e zakonshme.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG