Ndërlidhjet

Moszbatimi i dygjuhësisë, peng i partive shqiptare


Ilustrim
Ilustrim

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në Maqedoni ka mbetur peng i partive politike, të cilat janë treguar të paafta ta zgjidhin këtë çështje të rëndësishme, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike. Komentet e tyre vijnë pas debatit që po zhvillohet në kuadër të grupeve të punës të partive politike edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë dygjuhësinë në vend.

Naser Zyberi, një nga ekspertët pjesëmarrës në bisedimet për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, thotë se partitë shqiptare edhe 15 vjet nga nënshkrimi i këtij dokumenti, nuk kanë arritur të zbatojnë dygjuhësinë. Sipas Kushtetutës, përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin mbi 20 për qind e popullatës së vendit, që nënkupton gjuhën shqipe, por zbatimi i saj ka hasur në interpretime të ndryshme që edhe më shumë e kanë ndërlikuar këtë çështje të ndjeshme.

“Partitë politike shqiptare, qoftë njëra apo tjetra, që kanë qeverisur me VMRO DPMNE-në, e në radhë të parë BDI-ja, nuk kanë mundur deri tani të shtrojnë dhe ta ngrenë në nivelin e prioritetit të tyre politik çështjen e gjuhës shqipe".

"Madje shpeshherë [një gjë e tillë] ka ndodhur që edhe me vetëdije, siç është rasti me koalicionin e fundit kur lideri i BDI-së, pranoi se ka hequr dorë nga çështja e zgjidhjes së përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në favor të proceseve euro- integruese... Pra, zyrtarizimi i gjuhës shqipe ka mbetur peng i kësaj qasjeje do të kisha thënë, inerte të partive politike shqiptare dhe këtij inati që ka shprehur VMRO DPMNE-ja“, thotë Zyberi.

Zëvendëskryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, pranon dështimet, para se gjithash për shkak të mungesës së vullnetit të partive maqedonase, që sipas tij, kërkon kohë deri në ndërgjegjësimin e tyre se duhet të respektojnë gjuhën e njëri-tjetrit e para së gjithash Kushtetutën e vendit.

“Nuk është diçka që të mund të sigurohet aq shpejt vullneti politik duke marrë parasysh se partitë politike kanë agjendat dhe prioritetet e tyre. Ideja jonë është që ne të krijojmë atmosferë dhe t’i bindim me argumente se kjo është një çështje, e cila duhet të absolvohet dhe të avancohet pasi është në të mirën e gjithëve, të respektojmë njëri-tjetrin, të respektojnë gjuhën dhe kulturat e njëri-tjetrit“, thotë Xhaferi.

Por, Naser Zyberi, ekspert i çështjeve juridike, vlerëson se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe duhet të rregullohet me një ligj të veçantë, apo sipas modelit të Kosovës, ku gjuha serbe ka gjetur zbatim zyrtar në gjithë terrorin e saj.

Zyberi thotë se praktika e deritanishme e përdorimit të shqipes është absurde pasi ka institucione që e interpretojnë ligjin sipas vullnetit, apo dëshirave të tyre.

“Standardet e përdorimit të gjuhës shqipe janë të ndryshme dhe shpeshherë parimi territorial i përdorimit të gjuhës zëvendësohet me parimin funksional, që do të thotë se në këtë organ mund të përdoret, kurse në tjetrin nuk mund të përdoret, apo se ky organ është i njësisë së pushtetit lokal mund të përdoret dhe ky tjetri është i njësisë së pushtetit qendror dhe nuk mund të përdoret edhe pse edhe njëri edhe tjetri gjenden në terrorin ku shqiptarët janë mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë”.

“Prandaj që të eliminohen këto rregulla të përdorimit të gjuhës shqipe, vlerësoj se duhet të sillet një ligj sistemor, me të cilin do të rregullohet i gjithë kompleksiteti i çështjes dhe do t’i suspendojë të gjitha dispozitat që rregullojnë formën e tanishme të përdorimit të gjuhës shqipe”, vlerëson Zyberi.

Probleme me përdorimin e gjuhës shqipe ka edhe në Kuvend. Atje deputetët mund të flasin gjuhën shqipe, por jo edhe nëse drejtojnë seancat e Kuvendit. Situatë e ngjashme është edhe me ministrat shqiptarë të Qeverisë. Ata mund të përdorin gjuhës shqipe në rrethana të caktuara,por jo edhe në takime bilaterale apo në mbledhjet e Qeverisë.

XS
SM
MD
LG