Ndërlidhjet

Liberalizimi i vizave, premtim në letër


Ilustrim
Ilustrim

Raporti i fundit i Komisionit Evropian, i cili nuk dha rekomandimin për liberalizimin e vizave në zonën Schengen për qytetarët e Kosovës, hodhi poshtë premtimet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë, të cilët ishin shprehur të bindur se qytetarët e Kosovës do të udhëtonin pa viza në vitin 2016.

Raporti i Komisionit Evropian vuri në pah se Kosovës i mbetet të përmbushë edhe 8 kritere, për të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave.

Ishte Dimitris Avramopulos, i ngarkuari i Komisionit Evropian me çështje të migracionit dhe punëve të brendshme, i cili dha lajmin se Kosova ka ende punë para se të gëzojë të drejtën e liberalizimit.

Ai tregoi se Kosova sapo t'i përmbushë kriteret e mbetura dhe të ofrojë masa efektive në fuqi për të parandaluar valën e migrimit në Bashkimin Evropian, KE do të bëjë rekomandimin.

"Jam i bindur se Kosova do të jetë së shpejti në gjendje të përmbushë kërkesat e mbetura, në mënyrë që Komisioni të mund të propozojë heqjen e detyrimeve të vizave për qytetarët e Kosovës. Shpresoj që kjo të jetë e mundshme më 2016 - që duhet të jetë synim i Kosovës".

"Ta shfrytëzojmë këtë periudhë para nesh për të bërë çkado që është e nevojshme për ta përgatitur Kosovën për udhëtim pa viza", kishte deklaruar Avramopulos.

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, kishte reaguar me tone të ashpra, duke shprehur zhgënjimin e thellë për “vonesat e pakuptimta të BE-së për liberalizimin e vizave”.

“Këtë vonesë të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën e konsideroj provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel. Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin te qytetarët e Kosovës”, kishte theksuar Thaçi.

Premtimet e zyrtarëve të shtetit të Kosovës

Para se të merrej ky raport, zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, kishin potencuar se Kosova ka përmbushur kriteret teknike për liberalizim të vizave dhe se nuk ekziston asgjë që mund të pengojë këtë proces.

Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ishte ai i cili vazhdimisht u ka premtuar qytetarëve se do të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, pa pasur nevojë për viza.

“Unë e kam thënë se qytetarët e Kosovës, do të lëvizin lirshëm gjatë zonës së Schengen-it, vitin tjetër (2016), sepse ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara në udhërrëfyes dhe nuk ekziston asnjë lloj pengese politike apo teknike, që një gjë e tillë të mos i mundësohet Kosovës dhe qytetarëve të saj”, kishte thënë Çollaku, duke u shprehur i bindur se një gjë e tillë do të ndodhë.

Premtime të tilla ishin bërë edhe nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.

Ekspertët e çështjeve të integrimeve evropiane, kishin vlerësuar se Kosova ka tri çështje urgjente para vetes në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Aty hyjnë sundimi i ligjit, funksionimi demokratik i institucioneve dhe zhvillimi ekonomik, me theks të veçantë në uljen e papunësisë.

Procesin e liberalizmit të vizave e kishte vështirësuar numri i madh i azilkërkuesve nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015.

Zyrtarët qeveritarë në atë kohë kishin deklaruar se migrimi do të vonojë vendimin eventual të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës.

Brenda një kohë të shkurtër, Kosova kishte arritur të ndalojë fluksin e madh të qytetarëve për të migruar në vendet e Bashkimit Evropian.

Një veprim i tillë i Kosovës ishte përshëndetur nga faktori ndërkombëtar.

Mosdhënia e rekomandimit për liberalizimin e vizave për zonën Schengen të Bashkimit Evropian për qytetarët e Kosovës, për vitin 2016, kishte nxitur reagimin e të rinjve në Kosovë.

Arben Dedaj thotë se ka përfunduar studimet. Sipas tij, mosdhënia e deritashme e liberalizimit të vizave, është zhgënjyese për të rinjtë në Kosovë dhe një gjë e tillë, tashmë ka kaluar në monotoni.

“Normalisht, është izolim. Mirëpo, tashmë jemi mësuar dhe jemi kalitur me këtë. Po na duket njëjtë, si me viza si pa to. Jemi lodhur...”, thotë Arbeni.

Sipas njohësve të integrimeve evropiane, përmbushja nga Kosova e kritereve të mbetura, për të marrë rekomandimin për liberalizim të vizave, do të varet nga vullneti politik, ndërkohë që sipas tyre, Bashkimi Evropian i ka mekanizmat e saj që mund ta bëjnë verifikimin e përmbushjes së këtyre kritereve.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se janë tre hapa, të cilët çojnë deri te liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Hapi i parë është, në qoftë se ka vullnet politik për t’i përmbushur kriteret nga ana e Qeverisë së Kosovës. Hapi i dytë është vlerësimi i Komisionit Evropian. Hapi i tretë është vendimi politik në Këshillin e Bashkimit Evropian - pra, vendim që merret në Këshill të Bashkimit Evropian - përkatësisht, në konfiguracionin e nivelit të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian”,tha Mazreku.

Gjatë vitit që lëmë pas, Kosova kishte nënshkruar edhe një peticion nëpërmjet të cilit qytetarët e Kosovës, kërkonin nga autoritetet e Bashkimit Evropian si dhe nga Qeveria e Kosovës që sa më parë t’i krijojnë kushtet për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Përfaqësues të shoqërisë civile të cilët kishin nisur këtë peticion, kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian që të trajtojë qytetarët e Kosovës ashtu si i ka trajtuar vendet tjera në rajon.

Krerët e institucioneve të Kosovës, qytetarëve të tyre iu kanë premtuar liberalizim të vizave që nga viti 2010.

XS
SM
MD
LG