Ndërlidhjet

logo-print

Debat për pastrimin e listave zgjedhore në Maqedoni


Arkiv

Arkiv

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoni është në pritje të propozimeve dhe vërejtjeve të katër partive kryesore politike rrethmetodologjisë së pastrimit të listave zgjedhore. Këto parti janë edhe nënshkruese të marrëveshjes politike të qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar në Maqedoni.

Subhi Jakupi nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni tha për Radion Evropa e Lirë se ua kanë dorëzuar partive politike dy dokumente, ku përfshihen të gjitha hollësitë që kanë të bëjnë me pastrimin dhe përditësimin e listës zgjedhore.

“Ne kemi paraparë që në bazë të kësaj metodologjie të bëhet kryqëzimi i të dhënave nga institucionet relevante. Duke marrë të dhënat nga dokumentacioni i regjistrit bazë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, ne do të bëjmë kryqëzimin me të dhënat e marra nga institucionet e tjera, siç janë Fondi Pensional dhe ai Invalidor. Pastaj do t’i analizojmë të dhënat edhe nga drejtoria e të Dhënave Amë, nga sektori i Drejtësisë, dhe pastaj do të verifikohet nëse gjithçka është në rregull. Pra, nëse nuk përputhen të dhënat, atëherë ne do të dalim në terren dhe të dhënat do të verifikohen sipas metodës derë më derë”, shpjegon Jakupi.

Por, ish-kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, Aleksandar Novakovski konsideron se për pastrimin e listave zgjedhore nevojitet vullneti politik.

Sipas tij, nëse ky problem nuk trajtohet seriozisht, asnjë metodologji, sado e sofistikuar të jetë, nuk do t’i eliminojë parregullsitë që i kanë përcjellë proceset e kaluara zgjedhore.

Kjo gjë u pasqyruar edhe në zgjedhjet e fundit, kur rezultatet zgjedhore nuk u njohën nga ana e partisë më të madhe maqedonase në opozitë,Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë (LSDM ).

“Vlerësoj se koha për përditësimin e të dhënave në listat zgjedhore është shumë e shkurtër, dhe fjala kryesore në këtë drejtim do t`i mbetet vullnetit politik, përkatësisht vendimit të liderëve të partive politike për t’u deklaruar nëse kanë besim në listat zgjedhore”, vlerëson Novakovski.

Organizatat joqeveritare MOST dhe CIVIL thonë se afati kohor prej tre muajsh është shumë i shkurtër për t’i eliminuar të gjitha anomalitë që u shfaqën gjatë zgjedhjeve të fundit, duke përmendur edhe shkeljen e afateve të përcaktuara sa i përket realizimit të marrëveshjes politike.

Kryetari i lëvizjes qytetare MOST, Xhabir Deralla ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në Maqedoni po krijohet një klimë për shtyrjen e datës së caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sido që të jetë, Deralla thotë se kjo gjë nuk nënkupton në asnjë mënyrë se duhet të shtyhet edhe data e përcaktuar për dorëheqjen e kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski.

“Shohim se ngadalë po krijohet një atmosferë për shtyrjen e zgjedhjeve nga afati i përcaktuar (24 prill). Megjithatë, edhe nëse shtyhet afati i mbajtjes së zgjedhjeve,kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se duhet të shtyhen dhe afatet për realizimin e masave të tjera që përmban marrëveshja politike, përfshirë këtu edhe dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski”, është shprehur Deralla.

Por, për Subhi Jakupin nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, pavarësisht afatit të shkurtër kohor deri në organizimin e zgjedhjeve, KSHZ mund të arrijë ta përditësojë listën zgjedhore në përputhje me standardet që kërkohen nga komuniteti ndërkombëtar.

“Nëse gjatë javës që vjen miratohet metodologjia e propozuar nga organi ynë dhe nëse njëkohësisht punojmë me një kapacitet të plotë, atëherë mund të shpresojmë se mund të arrihet të hartohet një listë zgjedhore e pranueshme,përkatësisht e besueshme nga përfaqësuesit politik. Pastaj, bazuar në këtë dokument, do të garohet në zgjedhje”, thotë Jakupi.

Marrëveshja politike e Përzhinos parashihte që Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve t’i barteshin të gjitha kompetencat për organizimin e zgjedhjeve në Maqedoni, përfshirë këtu edhe pastrimin e listës zgjedhore deri në fillimin e muajit tetor, por ky afat është shkelur disa herë, ngjashëm si dhe pjesa më e madhe e afateve për miratimin e pikave nga kjo marrëveshje politike, e cila u arrit me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

Partitë opozitare dhe shoqëria civile disa herë kanë theksuar se një nga hallkat më të brishta që lë hapësirë për manipulimin e procesit zgjedhor është pikërisht lista zgjedhore, ku, sipas tyre, figurojnë rreth 200 mijë votues fiktiv.

XS
SM
MD
LG