Ndërlidhjet

logo-print

Procedurat e tenderimit shtyjnë furnizimin me barna


Ilustrim

Ilustrim

Për shkak të mosrespektimit të dispozitave ligjore të Ligjit të Prokurimit Publik, Organi Shqyrtues i Prokurimit ia ka anuluar tenderin Ministrisë së Shëndetësisë, për artikujt në furnizim me barna nga lista esenciale.

Për tender, gjykata obligon autoritetin kontraktues, në këtë rast Ministrinë e Shëndetësisë, të bëjë ndryshimin e specifikacionit teknik, duke mundësuar pjesëmarrjen më të gjerë të operatorëve të mundshëm ekonomik.

Bekim Fusha nga departamenti farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësinë tha për Radion Evropa e Lirë se Organi Shqyrtues i Prokurimit ka rekomanduar që të rishikohen kriteret për artikuj të caktuar.

"Ministria e Shëndetësisë është e obliguar që për artikujt që shpallet interesimi për kontraktim të jenë në përputhje të plotë me produktet e caktuara në listën esenciale. Një gjë e tillë edhe ka ndodhur nga MSH, pasi obligohet me ligj. Por ne do të marrim masa , qoftë për rishikim nga grup ekspertësh, se a ka ndonjë mundësi për rishikimtë listës esenciale për artikuj të caktuar", tha Fusha.

Lista esenciale përpilohet çdo dy ose tre vjet, nga një grup ekspertësh shëndetësor. Kjo listë për nivelin primar i ka mbi 180 artikuj, ndërsa për nivelin sekondar dhe terciar është shumë më e gjerë.

Por, sindikalistët e shëndetësisë thonë se vonesat në tenderim bëjnë që puna e profesionistëve shëndetësorë të ngecë dhe se më së shumti pësojnë pacientët në nevojë. Kështu thotë Xhemajl Selmani, udhëheqës i Sindikatës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

"Këto vonesa janë shumë të dëmshme, pasi që procedurat e tenderimit vonohen zakonisht. Gjatë realizimit gjithashtu ka vonesa dhe nëse shtyhen duke u anuluar, furnizimi me ato barna do të vonohet me muaj. Kjo gjë ndikon mbarëvajtjen e punës në institucionet publike shëndetësore në Kosovë. Çdo vonesë në procedurat e tenderimit ka pasojat e veta, si te stafi shëndetësorë, po ashtu edhe te pacientët në nevojë", thotë Selmani.

Organi Shqyrtues i Prokurimit po ashtuka aprovuar edhe ankesën lidhur me procedurën e prokurimit për furnizim me citostatikë -- barna këto që shërbejnë për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga sëmundja e kancerit,--të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Qendra Klinike Universitare e Kosovës,duke e cilësuar [procedurën] si të pabazuar dhe njëherësh urdhërohet që ky tender të anulohet dhe i njëjti të ritenderohet nëse QKUK ka ende interes për të, thuhet në vendimin e OSHP-së.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG