Ndërlidhjet

logo-print

Madaja, Siri: 400 njerëz rrezikojnë të vdesin nga uria

  • RFE /RL

Madaja, Siri

Madaja, Siri

Rreth 400 njerëz në qytetin e rrethuar të Sirisë, Madaja, duhet të evakuohen urgjentisht për trajtim mjekësor, ka thënë shefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Stephen O’Brien.

Pasi ka informuar Këshillin e Sigurimit të OKB-së për krizën në këtë qytet, ai ka paralajmëruar se ata njerëz mund të vdesin.

“Duhet t’i evakuojmë sa më shpejt që të jetë e mundur për trajtim mjekësor. Ata janë në rrezik të madh që të vdesin ose nga kequshqyerja, ose nga komplikacione të tjera mjekësore”, ka thënë O’Brien.

Të hënën, një konvoj ndihmash ka dërguar në Madaja ushqime për 40,000 banorë, që janë të rrethuar nga forcat qeveritare të Sirisë që gjashtë muaj.

Kombet e Bashkuara thonë se kanë raporte të besueshme për njerëz që kanë vdekur nga uria.

Njëkohësisht, kamionët me ndihma kanë hyrë edhe në dy qytete të rrethuara nga forcat rebele në provincën Idlib, në bazë të një marrëveshjeje midis palëve luftuese.

Situata në qytetet Foah dhe Kefraja po ashtu thuhet të jetë e tmerrshme, me rreth 20,000 njerëz të rrethuar qysh në muajin mars.

Madaja kontrollohet nga forcat rebele, por është e rrethuar nga forcat qeveritare. Banorët atje kanë marrë ndihmat e fundit ushqimore në muajin tetor.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se SHBA është duke u bërë presion të gjitha palëve që të lejojnë qasjen humanitare në Madaja.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, ka thënë se ndihma që ka arritur në Madaja “nuk është e mjaftueshme”.

“Kriza humanitare në Madaja është vetëm një shenjë e brutalitetit të regjimit të (presidentit sirian) Bashar al-Assad. Vuajtjet e tilla nuk duhet të vazhdojnë”, ka thënë Power.

Ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar Ja’afari, ka thënë se qeveria e tij është duke bashkëpunuar në shpërndarjen e ndihmës, por ka mohuar se në Madaja ka uri.

Ai ka thënë se ka informacione të rreme për situatën në këtë qytet dhe se fotografitë e njerëzve të uritur janë “trillime”.

Ndihmat e dërguara në Madaja dhe dy qytetet e tjera kanë përfshirë oriz, vaj, miell, sheqer dhe kripë, pastaj ujë, formula për foshnje, batanije dhe barna.

Konflikti në Siri ka nisur në mars të vitit 2011 dhe ka vrarë mbi 250,000 njerëz. Kombet e Bashkuara thonë se 13.5 milionë njerëz në Siri kanë nevojë për ndihmë. Luftimet kanë detyruar mbi 4 milionë persona të ikin nga vendi, ndërsa kanë zhvendosur 6.6 milionë të tjerë brenda Sirisë.

Përpjekje të reja për të arritur një marrëveshje të paqes do të bëhen këtë muaj. Më 25 janar, në Gjenevë, pritet që palët luftuese të ulen në të njëjtën tryezë bisedimesh, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara. (v.tela)

XS
SM
MD
LG