Ndërlidhjet

Probleme me asgjësimin e barnave pa afat


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë, afati i shkurtër i përdorimit të barnave ka ndikuar në grumbullimin me kohë të shumë stoqeve të barnave, ndërsa sfidë mbetet asgjësimi i tyre.

Zyrtarë nga ministria e Shëndetësisë thonë se Kosovës i mungojnë kapacitetet e mëdha dhe vendet adekuate ku do të mund të shkatërroheshin barnat. Sipas tyre, problem mbetet edhe mungesa e një kompanie adekuate, që i plotëson kushtet për asgjësimin e barnave, e sidomos atyre me substancë aktive.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ky institucion nuk ka njohuri se sa është sasia e barnave me afat të skaduar në Kosovë.

“Sasia e barnave pa afat nuk dihet. Për ta ditur sasinë e barnave që iu ka skaduar afati duhet bërë regjistrimi, e pastaj të dilet me shifra të sakta. Në sistemin shëndetësor në Kosovë është vështirë të planifikohen barnat, pasi që mund të kesh barna për ndonjë epidemi, por nëse nuk paraqiten raste, atëherë ato nuk shpenzohen dhe iu del afati”.

“Në rast se grumbullohen barna në sasi të mëdha, asgjësimi i tyre bëhet problematik, pasi që duhet pasur kapacitete adekuate, por duhet përmbushur edhe disa norma që i ka caktuar ministria e Ambientit. Në vitin 2011 janë shkatërruar barna në sasi të konsiderueshme, por jo edhe pas këtij viti”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani shpjegon mënyrën se si duhet të bëhet asgjësimi i barnave, pa e dëmtuar mjedisin.

“Çështja e asgjësimit të barnave është rregulluar me një akt nënligjor, me një udhëzim administrativ, i cili në hollësi i përcakton kushtet me të cilat bëhet asgjësimi i barnave në Kosovë”.

“Kjo gjë mund të bëhet në institucionet e licencuara për këtë çështje, dhe në bazë të kontratave të veçanta të institucioneve shëndetësore, lidhen edhe kontrata të veçanta”.

“Udhëzimi administrativ e parasheh edhe shkatërrimin e barnave në Sharrcem, Ferronikel apo në Korporatën Energjetike të Kosovës, ku krijohen temperatura të larta, të cilat e mundësojnë shkatërrimin pa pasoja për mjedisin. Por, të gjitha këto duhet rregulluar me kontrata të veçanta”, ka thënë Agani.

Ndërkaq Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se asnjë institucion publik shëndetësor nuk është i autorizuar ta bëjë vetë asgjësimin e barnave.

“Çdo institucion shëndetësor që mund të ketë barna me afat të caktuar, duhet ta bëjë regjistrimin e tyre përmes komisionit të regjistrimin, dhe duhet ta njoftojë edhe barnatoren qendrore. Gjithashtu duhet të njoftohet edhe ministria e Mjedisit dhe institucionet duhet ta kontraktojë kompaninë për asgjësim, pasi që as QKUK e as institucionet e tjera shëndetësore nuk mund të bëjnë vetë asgjësimin”.

“Ekzistojnë regjistrimet për barnat me afat të skaduar, por në mungesë të kompanisë së specializuar për asgjësim, ato janë të izoluara në kuadër të barnatores qendrore, dhe nuk përdoren për pacientë”, ka thënë Fazliu.

Sidoqoftë, në Kosovë për herë të fundit është bërë asgjësimi i barnave pa afat në vitin 2011. Çmimi për 1 kilogram të materialit për shkatërrim ka kushtuar 3.4 euro.

Në atë kohë ishte paraparë shkatërrimi i 200 tonë barnash me afat të skaduar, gjë që ka kushtuar rreth 500 mijë euro.

XS
SM
MD
LG