Ndërlidhjet

Fëmijët e sëmurë, pa trajtim të duhur


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Trajtimi shëndetësor i fëmijëve në Kosovë është një e drejtë e garantuar, si me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, po ashtu edhe me legjislacionin në fuqi.

Por, jo gjithmonë ndodhë që këto të drejta të respektohen në praktikë.

Drejtoresha e Koalicionit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve (KOMF), Donjeta Kelmendi, thotë se fëmijët kanë të drejtën për të gëzuar një gjendje shëndetësore sa më të mirë dhe për të përfituar nga shërbimet për trajtimin e sëmundjes dhe riaftësimin e shëndetit.

Aktualisht, këto të drejta vlerësohet se cenohen në masë të madhe nga mungesa e trajtimit adekuat, në radhë të parë për shkak të mungesës së barnave në klinikën pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i kësaj klinike, Muharrem Avdiu i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjatë muajit janar ka pasur mungesë të theksuar të barnave.

"Ndonëse gjatë vitit 2015 kemi qenë të mbuluar rreth 80 për qind me barnat e kërkuara nga pacientët, tash gjatë këtij muaji kemi mungesë të theksuar. Kjo vërehet edhe atëherë kur gati pothuajse secili prind që vjen me fëmijën e sëmurë në klinikë, i duhet të dalë për të blerë barna, para se të fillojë trajtimi", tha Avdiu.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka shpjeguar se pse ka ndodhur vonesa në furnizim me barna.

"Prej 1 janarit të këtij viti buxheti për barna nga QKUK ka kaluar në Minsitrinë e Shëndetësisë, përkatësisht në agjensionin për financim shëndetësor, i cili është paraardhës i fondit për sigurime shëndetësore, dhe në këtë kemi ardhur në fazën kur bëhet ndarja në mes të blerësit dhe shitësit të shërbimeve".

"Ky kalim i buxhetit në Ministri të Shëndetësisë ka krijuar probleme teknike në furnizim me barna, pasi që ne kemi marrë me vonesë planin e hartuar të barnave. Ne kemi kërkuar prej operatorëve ekonomik që të sigurohet material i nevojshëm farmaceutik si dhe barna, sidomos për salla operacionesh, gjë që ka normalizuar punën aty, derisa po përgatitemi edhe për furnizim tjetër, gjë që është bërë me vonesë. Besoj se kjo javë do të jetë stabile në furnzim", tha Sadiku.

Drejtoresha e KOMF ka shtuar se është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë të ndërmarrë të gjitha masat e përcaktuara me ligj për realizimin e veprimeve të duhura, me qëllim të zbatimit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve, banorëve dhe shfrytëzuesve të tjerë të shërbimeve shëndetësore, në kujdesin shëndetësor.

"Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF shpreh shqetësimin për vonesat në furnizimin e barnave, anestetikëve, infuzioneve dhe materialit tjetër shpenzues në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës - QKUK".

"KOMF shpreh shqetësimin sidomos për mungesën për një kohë të barnave në Klinikën e Pedatrisë, Pediatrisë Intenzive dhe Repartin e Hematologjisë, ku mungesa e terapisë së nevojshme për fëmijët mund të sjellë pasoja katastrofale, madje dhe vdekjerurëse për fëmijët dhe shëndetin e tyre".

"KOMF kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të ndërrmarë veprimet e nevojshme për sigurimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të barnave, anestetikëve, infuzioneve dhe materialit tjetër shpenzues në QKUK, për të garantuar që këto barna esenciale të mos mungojnë asnjëherë në repartet e lartpërmendura", ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Donjeta Kelmendi.

Ndryshe, zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë ka dhënë rekomandime edhe për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në këtë klinikë.

Rekomandimet e dhëna, sipas zyrtarëve të kësaj organizate, po zbatohen në masë të kënaqshme, deri aty ku kushtet në Klinikën Pediatrike e lejojnë një gjë të tillë.

Ndërkaq, për kushtet në këtë klinikë flet edhe zoti Avdiu.

"Ndryshimi i qasjes, ndryshimi në raport me vështirësitë dhe problemet që na dalin, e që janë të natyrës subjektive, aty paraja nuk duhet, ne ia dalim. Ne kemi kuadër të mirë, me përvojë, e që bëjnë punë të madhe. Mbi këto vlera mendoj se duhet ta ngremë veten dhe t’i ndryshojmë gjërat".

"Ne gjatë gjithë vitit 2015 kemi qenë të mbikëqyrur nga OBSH, ku është bërë monitorim mbi kualitetin e shërbimeve pediatrike. Përshtypja e parë nga ndërkombëtarët ka qenë që jemi në një masë të konsiderueshme për ofrimin cilësor të shërbimeve".

Sipas hulumtimeve të bëra nga OBSH-ja, rezulton se edhe qasja dhe komunikimi mes prindërve dhe mjekëve, nuk është në nivel të dëshirueshëm.

Sipas tyre, sidomos infermierët nuk janë treguar mjaftueshëm të ndjeshëm përballë halleve të prindërve që kanë me fëmijët e sëmurë.

XS
SM
MD
LG