Ndërlidhjet

Sa është reformuar sistemi shëndetësor gjatë vitit 2015 (?)


QKUK

QKUK

Përmirësime të pjesshme, por edhe ngecje e sfida, e kanë karakterizuar shëndetësinë kosovare gjatë vitit 2015.

Reforma shëndetësore në Kosovë duket se ende nuk ka arritur nivelin e duhur.

Ndonëse thuhet se po punohet intensivisht në reformimin e sistemit shëndetësor, i cili përfshin disa fusha, në shumë prej tyre reformat kanë ngecur.

Mos-hyrja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore, mosfunksionimi i sistemit të infomimit shëndetësor, pengesat në Ligjin e prokurimit, por edhe mangësitë buxhetore, kanë qenë disa nga pikat që as gjatë vitit 2015 nuk kanë mundur të ecin përpara.

Megjithatë, ligjet e hartuara viteve të fundit, paraqesin një bazë të mirë për reformën e mëtutjeshme shëndetësore, thonë ekspertë që merren me shëndetësinë.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, ka folur rreth të arriturave dhe punës që është bërë gjatë vitit 2015.

"Ka pasur përmirësime të mëdha në furnizim me barna, kemi ngritur kapacitetet e reja siç është kardiokirurgjia e që tashmë është funksionale. Sigurisht që edhe ndërprerja e skandaleve që kanë qenë rutinë në Minsitrinë e Shëndetësisë, e ka karakterizuar këtë vit dhe jemi munduar ta respektojmë ligjin dhe ta instalojmë një frymë bashkëpunimi dhe pune intensive në Ministrinë e Shëndetësisë".

Zoti Rahmani ka folur edhe për sfidat që e kanë përcjellur gjatë vitit 2015.

"Kemi dashur të ecim më përpara në Ligjin për sigurime shëndetësore, në sistemin e informimit shëndetësor, por pengesat kanë qenë nga më të ndryshmet, duke u nisur nga Ligji i prokurimit që nuk e trajton shëndetësinë si më specifike ashtu siç edhe është, e gjithashtu edhe mangësitë buxhetore na kanë kufizuar shumë aktivitete", shtoi Rrahmani.

Skender Syla, udhëheqës i zyrës së Organziatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se gjatë këtij viti kanë munguar aktivitetet ditore që do të reflektonin aspektet ligjore dhe do të përmirësonin statusin shëndetësor të qytetarëve.

"Ndonëse Kosova ka arritur rezultate sa i përket krijimit të kornizës ligjore dhe strategjive që kanë për synim reformimin e sistemit shëndetësor, mendoj që për vitet në vijim mbetet hapësirë për të punuar, që ky legjislacion i formuluar të zbatohet në praktikë".

"Edhe vitet paraprake kanë dëshmuar që vetëm legjislacioni dhe hartimi i strategjive është i pamjaftueshëm pa një kornizë të qartë të aktiviteteve që në baza ditore do të reflektonin aspektet ligjore, me qëllim të përmirësimit të statusit shëndetësor të qytetarëve të Kosovës", tha Syla.

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë ka thënë se gjatë vitit 2015 nuk ka pasur reformim shëndetësor.

"Mendoj që reformat kanë stagnuar dhe nuk ka ndonjë lëvizje sa i përket reformimit shëndetësor, ndonëse ka filluar qysh në vitin 2012. Janë themeluar edhe Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, por kanë stagnuar, nuk ka marrë formën e vet".

"Mendoj që ka edhe shumë pika që kërkojnë debat, por mendimi im është se nuk jam i kënaqur me reformimin e sistemit shëndetësorë. Buxheti është i vogël dhe nuk shoh përmirësim as vitin e ardhshëm", tha Syla.

Ndryshe në Kosovë tashmë janë themeluar pesë oda, ajo e Mjekëve, Oda e Stomatologëve, Oda e Farmacistëve, e Infermierëve si dhe Oda e Fizioterapeutëve.

Zylfije Hundozi, kryetare e Odës së Mjekëve, i ka thënë Radios Evropa e Lirë kohë më parë se këto oda nuk po funksionojnë dhe janë të bllokuara tërësisht.

“Odat nuk po funksionojnë. Ministria e Shëndetësisë nuk po na jep as kompetenca as buxhet. Shkurt, i kanë themeluar odat edhe ligji është miratuar, por nuk janë duke e zbatuar”.

Ndërkaq ministri Rrahmani ka deklaruar se kompetencat tek odat e profesionistëve shëndetësorë do të barten në pranverën e vitit të ardhshëm dhe të gjitha kompetencat ligjore do t'i marrin profesionistët shëndetësorë.

"Ne kemi përfunduar procesin zgjedhor dhe të gjitha odat janë funksionale, statutet janë miratuar dhe janë nxjerrë rregullore të organizimit të brendshëm".

"Ne do t'i vendosim në një hapsirë të gjitha odat që do të jetë komode me nevojat, dhe duhet të shkojmë tutje në krijimin e sekretariatit që është mbështetësiI odave, dhe vitin e ardhshëm do të barten të gjitha kompetencat ligjore te odat", shtoi Rrahmani.

Ndryshe, sipas ekspertëve shëndetësorë, për të funksionuar në mënyrë të mirëfilltë sistemi shëndetësor, janë të nevojshme edhe tri hallka të tjera, përpos financave, si: qeverisja e mirë, transparente, llogaridhënëse e sistemit shëndetësor, ofrimi i shërbimeve kualitative shëndetësore, si dhe krijimi i kuadrit kompetent shëndetësor, i cili është shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG