Ndërlidhjet

logo-print

Buxheti i ndarë për sektorin e shëndetësisë në Kosovë për vitin 2016, nga ekspertë shëndetësorë, qytetarë dhe përfaqësues të sindikatës, po konsiderohet të jetë i pamjaftueshëm për ta përmirësuar gjendjen në këtë fushë, e që do të ndikonte në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Nga 1 miliard e 680 milionë euro të buxhetit të Kosovës për vitin 2016, për sektorin e shëndetësisë është ndarë 11 për qind e këtij buxheti, apo rreth 170 milionë euro.

Kardiologu Gani Bajraktari, thotë për Radion Evropa e Lirë se buxheti i ndarë për vitin 2016, është mjaft i varfër dhe se, siç shprehet ai, është skeptik se gjendja do të përmirësohet në sektorin shëndetësor.

“Është një buxhet i varfër për 2 milionë banorë dhe jo shumë shpresëdhënës për përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë në të ardhmen, në qoftë se nuk intervenohet me donacione shtesë”, thotë Bajraktari.

Edhe qytetarët shprehin mendimin e tyre lidhur me atë se sa do të mund të përmirësohet cilësia e shërbimeve shëndetësore me buxhetin e ndarë për vitin 2016.

Valbona Morina, studente thotë:

“Në bazë të buxhetit të njëjtë, nuk besoj që do të ketë përmirësime në shëndetësi, pasi në shëndetësi gjithmonë ka mungesë të barnave. Nëse shtrihesh në spital, me mjetet e tua duhet t’i blesh barnat, në të shumtën e kohës. Të paktën këtë përvojë e kam unë. Kështu që nuk besoj që vitin e ardhshëm do të ketë ndonjë përmirësim, pasi që buxheti qenka i njëjtë”.

Por, ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, deklaron se me buxhetin e ndarë, me një shpenzim më racional, do të mund të përmirësohet situata në sektorin e shëndetësisë.

“Ne edhe me buxhetin aktual mund të bëjmë punë shumë të mira, edhe më të mira sesa që janë bërë deri tash. Po punojmë shumë që projektet kapitale t’i vazhdojmë, dhe këto të tjerat t’i shtyjmë brenda mundësive”.

“Ndonëse objektivat dhe synimet e Ministrisë së Shëndetësisë janë shumë më të mëdha, se që do të arrihet me buxhetin ekzistues, ne kemi parasysh vështirësitë buxhetore që po kalon Qeveria e Kosovës, sidomos pas nevojës së madhe në investime kapitale, siç janë ato në infrastrukturë dhe bujqësi”, deklaron Rrahmani.

Mirëpo, jo edhe Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, është optimist se do të ketë lëvizje pozitive vitin e ardhshëm në sektorin e shëndetësisë, me buxhetin që Qeveria e Kosovës e ka ndarë në këtë fushë.

“Vetë fakti që është ndarë buxhet i njëjtë, nuk do të ketë përmirësime. S’ka investime kapitale dhe s’ka shpresë për përmirësim. Menaxhimi i mirë ndoshta do të mundësojë që të mos lejohet që situata të bëhet edhe më e keqe në sektorin e shëndetësisë, por përmirësimet në këtë fushë,me këtë buxhet janë larg realitetit”, konsideron Syla.

Buxheti i Kosovës i parashikuar për vitin 2016, nuk siguron përmirësim asnë sferën ekonomike dhe sociale, por sipas ekspertëve, konsiderohet buxhet stabil.

Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, tashmë është shqyrtuar dhe miratuar nga Qeveria e Kosovës, dhe ka vlerë 100 milionë euro më shumë se buxheti i vitit 2015.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG