Ndërlidhjet

Produktet e Kosovës në konkurrencë me ato evropiane


Ilustrim

Ilustrim

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit pritet të sjell një numër edhe më të madh të produkteve të vendeve të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kjo situatë, nga përfaqësues të bizneseve në vend, po vlerësohet të jetë një sfidë e madhe për produktet “Made in Kosova”.

Sipas tyre, prodhuesit në Kosovë ende nuk kanë kushte që të konkurrojnë me bizneset dhe kompanitë prodhuese të vendeve të Bashkimit Evropian.

Kompania “Frutex” nga Suhareka, është një nga kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike në Kosovë.

Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit e konsideron si një hap shumë të mirë për Kosovën, por, sipas tij, do të jetë edhe një sfidë për prodhuesit vendor.

“Mendoj që Qeveria e Kosovës nuk i ka përkrahur me kohë prodhuesit kosovarë. Po ashtu është dashur dy vite me parë t’i përgatisë prodhuesit kosovarë për një konkurrencë të tillë, që do të vjen nga kompanitë prodhuese të Bashkimit Evropian”, thekson Palushi.

Prodhuesit në Kosovë vazhdimisht kanë deklaruar se përballem me probleme të mëdha, siç janë mungesa e energjisë elektrike, kamatat e larta për kredi, si dhe politikat fiskale jo të favorshme.

Ky ambient i pafavorshëm biznesor, thotë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, bën që produktet vendore të mos jenë të gatshme për një konkurrencë që do të vjen nga produktet e Bashkimit Evropian.

“Në Kosovë do të këtë një import edhe më të madh të produkteve të Bashkimit Evropian, dhe këto produkte për një kohë do të jenë të liruara nga taksat doganore. E gjithë kjo është një konkurrencë për prodhuesit vendor”.

“Pra, është sfidë për shkak të politikave jo adekuate për zhvillim të prodhimit vendor që kanë qenë në Kosovë”, thotë Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai shton se ky është një proces i integrimit dhe se bizneset kosovare duhet t’i mirëpresin dhe duhet të përgatiten për një konkurrencë më të ashpër, por edhe për një treg më të madh.

Me fillimin e zbatimit të MSA-së, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), do t’i investojë në Kosovë mbi 600 milionë euro deri në vitin 2020. Nga kjo, do të përfitojnë edhe prodhuesit, për t'i rritur dhe zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, thotë se nga kjo përkrahje që do të marrin nga këto fonde, produktet e Kosovës do të mund të jenë konkurrente si në Kosovë ashtu edhe në tregun evropian.

“Me zbatimin e MSA-së do të rritet konkurrenca në tregun vendor, por ne presim që edhe në te kemi mundësi që të jemi prezent me produktet tona në Bashkimin Evropian”.

“Gjithashtu presim që për një pjesë të lëndës së parë, që merret nga Bashkimi Evropian, të hiqet taksa doganore, gjë që do të ndihmojë që edhe në të jemi konkurrentë, si në tregun vendor, ashtu edhe në atë evropian”, shton Palushi.

Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në tetor të vitit të kaluar.

Marrëveshja është miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe pritet të votohet edhe nga Parlamenti Evropian.

Që nga momenti kur hyn në fuqi, MSA-ja nënkupton se një pjese të produkteve që nuk prodhohen në Kosovë, do t’u hiqet taksa doganore, dhe se në 10 vjetët e ardhshëm, taksa doganore për produktet e BE-së që futen në tregun e Kosovës, do të hiqet dalëngadalë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG