Ndërlidhjet

Sa cenohet siguria përmes operatorit serb?


Ilustrim
Ilustrim

Njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë kanë hedhur poshtë pretendimet se me lejimin e funksionimit të një operatori të telefonisë mobile nga Serbia, Kosova do të rrezikohet në aspektin e sigurisë.

Megjithatë, ata përmendin disa raste ku mund të paraqiten disa probleme.

Florian Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, tha se pavarësisht faktit se nuk dihen detajet e marrëveshje rreth mënyrës se si do të veprojë operatori nga Serbia në Kosovë, problemet mund të jenë evidente.

"Ajo çka mund të thuhet është se do të jetë problematike nëse marrëveshja si e tillë ka të bëjë me një operator i cili në aspektin teknik të gjitha pajisjet do t'i ketë jashtë territorit të Kosovës, sepse në këtë mënyrë këto pajisje nuk do t'i nënshtroheshin ndonjë procesi të verifikimit të sigurisë, në bazë të ligjit të aplikueshëm në Kosovë”, tha Qehaja.

Kurse, Naim Maloku, njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova në asnjë rast nuk mund të ketë kurrfarë pasoja, e as nuk do të mund të ndodhin përgjimet e mundshme.

"Teknologjia e përgjimeve apo e përcjelljeve ka ndryshuar. Ajo është avancuar, nuk është e kyçur më në telefoni dhe nuk ka rrezik sa i takon sigurisë së Kosovës”.

“Tek e fundit, nuk kanë çka ta përgjojnë as Kosovën e as qytetarët e Kosovës. Këtu janë ndërkombëtarët, çdo gjë sot është e ditur. Kosova është në rrugë për të ndërtuar shtetin e gjëra të tjera", ka thënë Maloku.

Ndërsa për Qehajën, marrëveshja për operatorin e radhës së telefonisë mobile që do të operojë në Kosovë ka shumë paqartësi. Ai thotë se duhet të ketë të dhëna të sakta se me çfarë marrëveshje kemi të bëjmë dhe se a është bërë verifikimi i marrëveshjes në aspektin teknik.

"Në rast se kërkohet nevoja nga policia ose prokuroria për përgjime ose masa speciale hetuese përmes këtij operatori të tretë, dhe supozohet se persona të caktuar e përdorin ketë operator dhe jo operatoret që janë fizikisht në Kosovë, atëherë shtrohet pyetja se si do të mund të dërgoheshin kërkesat për përgjimet, dhe kërkesat teknike", thotë Qehaja.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin udhëzohet Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të lëshojë autorizimin e përkohshëm dhe të kufizuar për operim të ndërmarrjes së re, Mobile Telephony of Serbia, “MTS” D.O.O.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se ky vendim do të hyjë në fuqi ditën që autoriteti ndërkombëtar i telekomunikimeve do t’i ndajë Republikës së Kosovës kodin telefonik. Pritet që Kosova të marrë kodin ndërkombëtar +383.

Telefonia mobile në Kosovë “Vala” aktualisht e shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë.

XS
SM
MD
LG