Ndërlidhjet

Çmimi i rrymës mund të shtrenjtohet deri në 50 për qind


Ilustrim
Ilustrim

Ndërtimi i Termocentralit “ Kosova e Re” pritet të ndikojë në çmimin e energjinë elektrike. Por, dilemat mbesin se sa mund të jetë përqindja e shtrenjtimit të tarifave të energjisë elektrike.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Blerand Stavileci ka thënë se në gjashtë vitet e ardhshme energjia elektrike në Kosovë do të shtrenjtohet për 28 për qind, që do të thotë se konsumatorët për çdo vit do të paguajnë faturat e shpenzuara të energjisë më shtrenjtë për 4.6 për qind.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se rreth 50 për qind do të rritet çmimi i energjisë elektrike, pas ndërtimit të termocentralit të ri.

Visar Azemi, nga Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), duke u bazuar në një hulumtim të publikuar ditë më parë, ka thënë se tarifat e energjisë elektrike në Kosovë edhe ashtu janë tepër të larta, kurse shtrenjtimi eventual rëndon edhe më tepër gjendjen ekonomike të familjeve.

“Energjia elektrike do të shtrenjtohet për shkak të kostos që do të merr ndërtimi i termocentralit “ Kosova e Re”, me ç’rast ajo kosto do të përkthehet në tarifa të energjisë elektrike”.

“Varësisht prej teknologjisë që do të përdoret për ndërtimin e këtij termocentrali, kostoja do të variojë nga 33 deri në 50 për qind, me një analizë, të themi konservative, sepse ka mundësi që çmimi dhe kostoja të rritet më shumë tek tarifat e qytetarëve”, ka thënë Azemi për Radion Evropa e Lirë.

Agron Demi, drejtor i Institutit për Hulumtime të Avancuar GAP, thotë se qytetarët e Kosovës rreth 30 për qind të pagës se tyre e paguajnë vetëm për faturat e energjisë elektrike. Ai thotë se tarifat e energjisë edhe aktualisht janë shumë të larta.

Paga neto mesatare në Kosovë për sektorin publik është 429 euro, derisa, sipas të dhënave të organizatave ekonomike në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Edhe Agron Demi shprehet se çmimi i energjisë do të shtrenjtohet pas realizimit të projektit energjetik, projekt ky, që sipas tij, është i dëmshëm për ekonomitë familjare dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Kjo do ta vështirësojë gjendjen ekonomike, por edhe furnizimin më energji, për shkak se shumica e konsumatorëve, ashtu siç ka ndodh në vende tjera të varfra, nuk do të kenë mundësi që të paguajnë faturat e shpenzuara të energjisë elektrike, dhe ndoshta të shkëputen krejtësisht nga rrjeti i energjisë”.

“Këtu është rreziku tjetër se vetë investitori do të frikohet prej një mundësie të tillë, që qytetarët nuk kanë mundësi që të paguajnë energjinë elektrike dhe do të kërkojë marrëveshje më qeverinë e Kosovës, që kjo e fundit t’ia kompensoi këto humbje”, thotë Demi.

Shtrenjtimi i rrymës do të prodhojë pakënaqësi sociale, thotë Visar Azemi, duke shtuar se autoritetet kompetente nuk po japin detaje se më çfarë metodologjie do të ngritet çmimi.

“Nuk shohim ndonjë analizë ose plan për të treguar se si i kanë bërë kalkulimet e tyre, por i anashkalojnë analizat e bëra nga shoqëria civile”.

“Ne kemi treguar edhe metodologjinë se si do të rritet çmimi, varësisht nga investimet dhe subvencionet e kredive. Pra, kostoja e ndërtimit të termocentralit deri në fund do të jetë mbi katër miliardë euro, reflektimi i së cilës do të bartet në tarifat e energjisë elektrike”, thotë Azemi.

Në Kosovë zbatohen disa struktura të tarifave me pakicë të energjisë elektrike, me çmime të ndryshme, ndërsa ndahen në sezonin veror dhe dimëror.

Sidoqoftë, Termocentrali “Kosova Re” pritet të fillojë se ndërtuari në fund të vitit 2016, kurse të përfundojë pas gjashtë vjetësh.

XS
SM
MD
LG