Ndërlidhjet

Kuvendi rinis betejën e përplasjeve politike


Kuvendi i Kosovës, në njërën nga seancat e hudhjes së gazit lotsjellës nga opozita
Kuvendi i Kosovës, në njërën nga seancat e hudhjes së gazit lotsjellës nga opozita

Vazhdimi i punës në Kuvendin e Kosovës pritet të jetë me shumë sfida, pasi që janë disa çështje në të cilat nuk ka pajtueshmëri ndërmjet parive në pushtet dhe atyre të opozitës.

Miratimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Holandës për selinë e Gjykatës Speciale për krime lufte, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, si dhe zgjedhja e presidentit të Kosovës, mbeten çështjet më të ndjeshme, të cilat duhet të marrin një miratim apo kundërshtim të Kuvendit.

Në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se nuk presin ndonjë ndryshim të shpejtë në qëndrimet e opozitës dhe se, sipas tyre, skenarët në pengimin e punës së legjislativit mund të përsëriten.

Deputeti Zenun Pajaziti, njëherësh anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se PDK, si partia me e madhe në vend, në vazhdimësi ka bërë përpjekje për vazhdimin normal të punës së institucioneve të vendit, duke respektuar ligjet dhe kushtetutën.

"Unë shpresoj që opozita të reflektojë, pas gjithë këtyre çka kanë ndodhur, dhe me faktin që kemi një lëvizje sa i përket edhe inkuadrimit të Gjykatës Kushtetuese, pastaj edhe për punën e demarkacionit kemi një vendim të vet Kuvendit që duhet të funksionojë, po ashtu edhe për faktin se kemi një deklarim të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare që na mbështesin; së fundmi edhe vet institucioni i BE-së, Këshilli i Evropës. Ma merr mendja që opozita duhet të reflektojë karshi kërkesave dhe interesave të qytetarëve të vendit dhe vetë votueseve të tyre", tha Pajaziti.

Ai tha se të gjitha partitë politike në vend, e ne veçanti ato të opozitës, duhet të marrin mësim nga e kaluara dhe të kenë qetësi, pasi që askujt nuk i konvenon dhe nuk i shërben gjendja me tensione për avantazhe politike.

Nga ana tjetër, opozita paralajmëron vazhdimin e aksioneve bllokuese të punës së Kuvendit të Kosovës, duke mos e përjashtuar as përdorimin e gazit lotsjellës e veprime të ngjashme.

Albulenë Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, tha se gjendja nuk ka ndryshuar sa i takon kërkesave të opozitës, dhe rrjedhimisht nuk ka as ndryshime në qëndrimet e tyre.

"Jemi para një situate ku një kryeministër ka shkelur rëndë Kushtetutën e Kosovës, dhe për këtë ai duhet të japë përgjegjësi, duke dhënë dorëheqje. Ne kemi thënë se seancat plenare nuk duhet të thirren, për shkak se nuk ka ndryshim të rrethanave, dhe po presim që Qeveria e Kosovës të reflektojë, konkretisht kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi”.

“Pra, nuk ka kuptim që ta durojmë një kryeministër i cili ka shkelur Kushtetutën, dhe Gjykata vet e ka konfirmuar që ka pasur shkelje, madje janë shkelur 23 nene", tha Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës pritet që të procedojë me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës gjatë muajit shkurt. Këtë e ka konfirmuar vet kryetari i këtij institucioni, Kadri Veseli.

Ndërsa Haxhiu thotë se opozita nuk do të lejojë që zëvendëskryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi të bëhet president i Kosovës, nga legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës, pasi që, sipas saj, legjislaturës aktuale i ka humbur mandati. Ajo ka përmendur edhe arsye të tjera pse, sipas saj, Thaçi nuk e meriton postin e presidentit të Kosovës.

"Ne në vazhdimësi kemi thënë se nuk do të lejojmë zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Republikës së Kosovës, sepse i njëjti Kuvend nuk e ka legjitimitetin që ta zgjedh presidentin e Republikës së Kosovës. Një njeri si Hashim Thaçi nuk e meriton të jetë president i Kosovë, por i njëjti do të duhej të jepte përgjegjësi penale dhe politike për të gjitha dëmet që i ka sjellë Kosovës".

"Do t'i përdorim të gjitha mjetet e mundshme që i kemi në dispozicion për të parandaluar një dëm të madh që po tentojnë t'ia bëjnë këta njerëz Kosovës", tha Haxhiu .

Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka ftuar liderët e partive politike në koalicionin qeverisës dhe atyre në opozitë, që ta tejkalojnë krizën politike përmes dialogut. Ajo ka përsëritur se dhuna nuk është mjet për zgjidhjen e problemeve politike.

Këto komente Jahjaga i ka bërë gjatë një vizite në komunën e Podujevës, në kuadër të vizitave që po u bën të gjitha komunave të Kosovës, e shoqëruar edhe nga Odat Ekonomike të Kosovës, ajo Amerikane dhe Gjermane.

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, më 9 janar 2016 kanë mbajtur një protestë me moton: “Protestojmë për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë anti-kushtetuese".

Opozita kosovare po ashtu ka paralajmëruar protestën e radhës më 17 shkurt 2016, në përvjetorin e 8-të të pavarësisë së Kosovës.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrë​veshjes ndë​rmjet Kosovë​s dhe Serbisë​ në​ Bruksel, të arritur më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

XS
SM
MD
LG