Ndërlidhjet

Kosova, me numër të madh të qytetarëve në grupet terroriste


Pjesëtarë të Al-Nusras, dhjetor 2015

Pjesëtarë të Al-Nusras, dhjetor 2015

Llogaritur për kokë banori, Kosova ka një numër të madh të qytetarëve të cilët i janë bashkuar grupeve tashmë të shpallura si terroriste, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Skënder Hyseni.

Ai këtë deklaratë e bëri në ditën e dytë të konferencës “Gërmia Hill”, që po mbahet në Prishtinë.

Hyseni tha se institucionet kompetente kanë arritur t’i identifikojnë qytetarët e vendit, të cilët i janë bashkuar grupeve tashmë të shpallura si terroriste.

"Ne si shtet ia kemi dalë, dhe mund të them me siguri se e kemi nën kontroll përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në Siri. Ne jemi të vetmit, në mesin e disa vendeve, që kemi identifikuar secilin prej qytetarëve tanë që kanë luftuar në Siri; si ata që janë vrarë, e po ashtu edhe ata që janë kthyer”, ka deklaruar ministri Hyseni.

Sipas ministrit të brendshëm Hyseni, Kosova po vazhdon që ta japë maksimumin e saj, për parandalimin e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në vatrat e luftës ne Siri.

"Kosova ka bërë një rrugë të gjatë në trajtimin e kësaj çështjeje. Kosova ka strategji për këtë çështje dhe ka nisur zbatimin e saj (strategjisë). Kosova, po ashtu ka edhe ligjin i cili e trajton këtë çështje dhe parandalon përfshirjen e qytetarëve të saj në luftërat e huaja", ka thënë ai.

Tutje, ai e ka cilësuar si një obligim qenësor të shoqërive të të gjitha shtresave dhe organizimeve të ndryshme sociale e politike që të bëjnë më shumë në parandalimin e radikalizmit të pjesëtarëve të shoqërisë.

Në ditën e dytë të konferencës “Gërmia Hill”, ku është diskutuar për konfliktet në Siri dhe Ukrainë, si dhe për implikimin e tyre në Sigurinë e Evropës Juglindore dhe Bashkimit Evropian, kanë marr pjesë edhe personalitete të ndryshme.

Sergei Konoplyov, drejtor ekzekutiv i programit të sigurisë SHBA-Rusi, është përqendruar në shtrirjen e ndikimit të politikës ruse dhe implikimeve në sigurinë e Evropës Juglindore, në veçanti për BE-në dhe NATO-n.

“Ajo që po bën Rusia është në kundërshtim me rendin ndërkombëtar", ka thënë ai.

"Rusia, si shteti më i madh me sipërfaqe, me ekonomi të fortë dhe një forcë globale në Euroazi, ka humbur kredibilitetin. U bë jo stabil dhe emocional me mënyrën se si e drejton politikën në lidhje me çështjet globale".

"Dy vjet më parë unë isha në Kijev. Dikush më pyeti nëse do të ketë luftë me Rusinë, unë qesha me ta, por, kjo ndodhi. Paparashikueshmëria është shndërruar në implikim kryesor të sigurisë për këtë pjesë të botës, veçanërisht për BE-në dhe NATO-n", ka deklaruar Konoplyov.

Ai theksoi se Rusia është duke shikuar kah perëndimi, por, sipas tij, nuk mund të marrë nga ta atë që dëshiron.

"Disa thonë se Rusia e urren SHBA-në. Jo. Rusia e do SHBA-në, Rusia admiron Amerikën, Rusia do të donte të ishte si SHBA, aq e fortë dhe e fuqishme, super fuqi... Rusia ka humbur shumë gjëra që kanë super fuqitë sot, përveç një gjëje,armët bërthamore. Dhe Rusia tani është i vetmi vend që mund të shkatërrojë SHBA-në", ka thënë ai.

Duke u ndalur në temën e marrëdhënieve të Rusisë me NATO-n, ai tha se Rusia ka qenë gjithmonë kundër NATO-s për shkak të kundërpeshës ndaj Paktit të Varshavës,i cili tani është zhdukur.

"Rusia është konsideruar atëherë se nuk ka rrezik dhe se NATO-ja duhet të zhduket. NATO ka gjetur një arsye për të qëndruar atje", ka theksuar Konoplyov.

Ndërkaq, Alexander Nikitin, pjesëmarrës nga Rusia, përndryshe profesor në Institutin Shtetëror për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Moskë, tha se marrëdhëniet e tanishme ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, janë në një krizë të thellë.

Sipas tij, kriza është e pranishme, si në marrëdhëniet diplomatike, ashtu edhe ato ekonomike, ushtarake dhe kulturore.

Ai shtoi se Rusia gjithashtu konsiderohet si kërcënim për sigurinë në botë, pas grupit militant Shteti Islamik.

Kërcënimi i vërtetë ndaj sigurisë ruse nuk vjen nga Perëndimi, nga NATO apo Evropa, tha ai, duke shtuar se në mes Detit të Zi dhe Detit Kaspik janë disa konflikte që paraqesin kërcënimin kryesor në Moskë.

"Ne kemi marrë listën tonë të konflikteve, që janë larg nga Evropa", ka thënë Nikitin.

Me tej, ai tha po ashtu se gjatë gjithë historisë së konflikteve që çuan në pavarësinë e Çeçenisë, Kosovës, Afganistanit, e deri te Ukraina dhe Siria, Perëndimi ka mbështetur në masë të madhe opozitën, apo ata që dëshironin një shtet të pavarur. Pra, “kishte mospërputhje mjaft pragmatike”, ka nënvizuar ai.

Ndryshe, të martën, në ditën e parë të konferencës ndërkombëtare “Gërmia Hill”, duke folur për sigurinë në Evropën Juglindore, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Kosova është e interesuar të jetë faktor stabiliteti në Evropë dhe rajon.

Mustafa është zotuar se Kosova do të mbetet vend lider në rajon për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Sipas tij, kjo dukuri po luftohet dhe nuk do të ketë tolerancë as në të ardhmen.

Po ashtu, në këtë konferencë, panelistët kanë ngritur edhe shqetësimet e tyre se hezitimi i Bashkimit Evropian për një qasje të barabartë në raport me Kosovën, sikurse edhe për vendet e tjera që aspirojnë integrimet evropiane, rrezikon që ta shtojë ndikimin e organizatave ekstremiste e terroriste në këtë pjesë të Evropës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG