Ndërlidhjet

Sëmundja e kancerit është një problem global i shëndetit publik.

Incidenca e kësaj sëmundjeje është në rritje. Numri i përgjithshëm i rasteve të reja të diagnostikuara të kancerit në vitin 2012 ishte 3.7 milionë dhe deri në vitin 2030, ky numër vlerësohet që do të rritet për 25% për të arritur në 4.6 milionë raste.

Kështu u tha ditën e 4 shkurtit, përmes një konference për media ku u shënua Dita Botërore kundër Kancerit, me moton: “Ne mundemi, unë mundem”.

Ndryshe në Kosovë gjatë vitit 2015, janë paraqitur 808 raste të reja me sëmundjen e kancerit. Kështu ka thënë drejtori I Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni.

"Kanceri është problem global për shkak të kostos së lartë të mjekimit, si dhe problematikës në diagnostikim të kësaj sëmundje. Si institutcion, në vitin 2015 ne kemi trajtuar 808 raste të reja dhe kjo shifër nuk paraqet rritje të rasteve për dallim nga vitet e kaluara".

"Rreth 15 mijë raste janë trajtuar me kemioterapi. Derisa 28 mijë kontrolla janë kryer në Institutin Onkologjik në QKUK. Pothuajse asnjë rast me kimioterapi nuk është trajtuar jashtë vendit, gjë që kemi pasur mbulueshmëri të mirë me terapi gjatë gjithë vitit 2015. Në institutin Onkologjik kemi edhe pacientë nga rajoni, si Shqipëria, Presheva Medvegja, Bujanovci", tha Hyseni.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ka bërë të ditur se buxheti për barna për trajtimin e sëmundjes së kancerit për këtë vit është 5 milionë euro, dhe se me këtë buxhet nuk do të mund të mbulojnë 100 për qind barrën e sëmundjes, derisa shton se institutcionet publike shëndetësore gjatë vitit 2015 kanë qenë të mbuluara mirë me terapi kundër kancerit.

"Përmirësimi i furnizimit me citostatikë që në vitin 2015 në Onkologji ka arritur deri në mbi 90 %. Qëllimi i ditës së sotme është që të shprehet një solidarizim me të gjithë të prekurit me kancer, derisa parandalimi i hershëm shpëton jetë".

"Ministria e Shëndetësisë përmes Bordit për Kontrollin e Kancerit ka arritur të nxjerrë dhe fuqizojë fletëparaqitjen e sëmundjeve malinje dhe është hartuar Programi Kombëtar për Kontrollin e Kancerit, është miratuar Ligji për Kontrollin e Duhanit si kontribut i drejtpërdrejtë, janë rritur fondet për trajtimin jashtë QKUK-së të rasteve të leukemisë dhe sëmundjeve të rënda kirurgjike, ashtu edhe në aplikimin e Kimioterapisë, Radioterapisë, Shërimit paliativ ditor dhe Diagnostikës së gjirit", tha Rrahmani.

Udhëheqësi i Organizatës Botërorë të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla, ka përmendur disa faktorë që vlerësohet të jenë shkaktarë të sëmundjes së kancerit, duke kërkuar nga autoritetet shtetërore që të rrisin vëmendjen ndaj kësaj sëmundjeje, sidomos në zbatimin e Ligjit kundër duhanit.

"Kjo rritje në botë është rezultat i rritjes së moshës së popullsisë dhe një numri të madh faktorësh si përdorimi i duhanit e alkoolit, dietat jo të shëndetshme, mosaktiviteti fizik, mbipesha në rritje, ekspozimi në karcinogjen profesional e mjedisor, kërkohet nga autoritetet shtetërore që të rrisin vëmendjen ndaj kësaj sëmundjeje, të zbatojnë 100% Ligjin për kontrollin e duhanit dhe të avancohet me zhvillimin e programeve të "skriningut" të kancerit", tha Syla.

Sidoqoftë Suzana Manxhuka-Kërliu, kryetare e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit dhe gjithashtu e Task Forcës Kosovare kundër Kancerit, theksoi se qëllimi i këtyre mekanizmave kundër kancerit është që të arrihet një unifikim i veprimeve profesionale për të siguruar një qasje shumëdimensionale në diagnostikimin, parandalimin dhe trajtimin e kancerit në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG