Ndërlidhjet

Maqedoni: Pak kapacitete për strehimin e migrantëve


Migrantët gjatë rrugës Maqedoni - Serbi
Migrantët gjatë rrugës Maqedoni - Serbi

Përfaqësuesit e UNHCR-së në Shkup thonë se Maqedonia nuk ka kapacitete për të strehuar migrantët nga Siria, Iraku dhe Afganistani më shumë se disa orë.

Mohamed Arif, përfaqësuesi i UNHCR-së në Shkup, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se përmes Maqedonisë, kohën e fundit kalojnë transit mesatarisht rreth 2 mijë migrantë, të cilët nisen drejt Gjermanisë dhe Austrisë.

“Objektet, të cilat janë ndërtuar në Maqedoni për pranimin e migrantëve dhe infrastruktura rreth tyre, nuk mundëson qëndrimin e tyre më shumë se disa orë. Migrantët maksimum mund të strehohen gjashtë orë në qendrat pranuese. Për aq sa jam unë i informuar, nuk janë duke u bërë përgatitje këtu për të qëndruar më gjatë migrantët".

"Pra, më duhet të theksoj se në të dy qendrat pranuese në Maqedoni, Gjevgjeli dhe Tabanoc, disponojnë me një kapacitet për të pranuar maksimum 2 mijë refugjatë, të cilët mund të qëndrojnë më së shumti gjashtë orë. Por, më duhet të përsëris, se këta dy qendra pranuese nuk janë ngritur me idenë që aty të mund të strehohen migranët një dy ose tre net”, thotë Arif.

Një tren me 1 mijë e 80 migrantë, kryesisht nga Siria, i cili mbrëmjen e së premtes ishte nisur nga Gjevgjelia, mëngjesin e së shtunës ka arritur në orën 5 e 30 minuta, prej nga migrantët kanë vazhduar rrugëtimin e tyre drejt Gjermanisë dhe Austrisë.

Autoritetet maqedonase kanë ngritur një gardh me tela duke definuar saktë rrugën prej Tabanocit, në fshatin e parë nga ana e Serbisë, Miratoc. Siç na shpjegojnë, kjo është bërë për t’i shmangur grupet kriminale, që dëshirojnë të përfitojnë duke u ofruar automjetet e tyre për të kaluar këtë pjesë të rrugës prej një kilometër e gjysmë, të cilën migrantët e kalojnë në këmbë.

Pas largimit të migrantëve drejt Serbisë, për në vendet e Bashkimit Evropian, përfaqësuesit e organizatave humanitare, që veprojnë në qendrën për pranimin e migrantëve në Tabanoc, ishin të zënë me pastrimin e tendave nga rrobat që kishin lënë refugjatët, pasi një pjesë e tyre ishin pajisur me veshmbathje të pastra.

Rreth 400 migrantë të tjerë, të cilët janë nisur po me tren gjatë mesditës nga Gjevgjelia, në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë, pritet të arrijnë në orët e pasdites në Tabanoc.

Por, askush nga ta nuk dëshiron të qëndroj në Maqedoni, të gjithë sa më parë synojnë të arrijnë në Gjermani, për ku janë nisur.

Edhe Zijad Hadib është një nga ta. Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se siështë detyruar të ndërpresë studimet dhe me bashkëshorten e tij, shtatzënë, është nisur për në Gjermani në kërkim të një jete, siç thotë, të paktën pa zhurmën e luftimeve për fëmijën e tyre që presin të lind brenda këtij muaji.

“Jam duke shkuar në Gjermani, sepse në Siri është gjendja shumë e keqe. I kam ndërprerë studimet se gjithçka u shkatërrua, ndërtesa ku studioja edhe puna ku punoja. Udhëtoj me bashkëshorten time dhe vëllanë tim, i cili gjithashtu është me bashkëshorten e tij. Jemi duke udhëtuar tashmë 20 ditë të plota, më shumë kohë na ka marrë ndalesa në Greqi. Shpejtojmë të arrijmë sa më parë në Gjermani, sepse siç e shihni bashkëshortja ime këto ditë duhet të sjellë në jetë fëmijën tonë të parë”, rrëfen Zijad Hadib.

Ndërkaq, Nexhulla Ahmad tregon se ka punuar si mësuese e gjuhës frënge,por, siç thotë ajo, jeta e vështirë nën breshëritë e plumbave, e ka detyruar të marrë rrugën për në Gjermani

Jam nisur për në Gjermani, sepse jeta në Siri është bërë shumë e vështirë. Sidomos në qytetin tim ku jetoja, nga luftimet e përditshme gjithçka është shkatërruar, shtëpia ime, shkolla ku punoja, gjithçka. Nuk kam besim se do të mund të kthehem në Siri. Atje asgjë e mirë nuk ka mbetur”, thotë Nexhulla Ahmad.

Ndryshe, të dhënat zyrtare nga dikasteri i Policisë së Maqedonisë bëjnë të ditur se përmes Maqedonisë, nga një janari i këtij viti kanë kaluar transit 63.402 migrantë, prej të cilëve 30.932 janë shtetas të Sirisë, 20.005 shtetas tëIrakut dhe 12.462 janë shtetas të Afganistanit.

XS
SM
MD
LG