Ndërlidhjet

logo-print

Për një vit, rreth 200 femra preken me kancer në gji


Ilustrim

Ilustrim

Forma më e shpeshtë e sëmundjes së kancerit te gratë, e regjistruar në Kosovë, është ajo e kancerit të gjirit. Ndonëse nuk dihet numri i saktë i të gjitha grave që vuajnë nga kjo sëmundje, rreth 200 raste të reja paraqiten çdo vit në Institutin Onkologjik, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Gratë e prekura me kancerin e gjirit bëjnë thirrje që kontrollet të jenë sa më të shpeshta, për shkak se, siç thonë ato, diagnostikimi i hershëm shpëton jetë.

Para dy vitesh, një mamograf mobil u vu në shërbim të grave, të cilat duan ta bëjnë falas kontrollin e gjirit.

Grupi i grave deputete kishin iniciuar blerjen e mamografit mobil, në mënyrë që të kenë qasje dhe mundësi të gjitha gratë në gjithë territorin e Kosovës që të kryejnë kontrollet e gjirit.

Koordinatori i këtij mamografi, Ardian Biçaku ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se janë ekzaminuar mbi 3 mijë femra dhe janë diagnostikuar 25 raste me kancer të gjirit, përmes mamografit mobil.

“Mamografi mobil operon në tërë territorin e Kosovës dhe janë ekzaminuar me të 3105 femra, duke përshirë 15 komuna. Tash për tash mamografi mobil gjendet në komunën e Shtërpcës.”

“Ne e llogarisim si projekt shumë të suksesshëm, pasi që interesimi i femrave për ekzaminim është shumë i madh. Deri tani janë zbuluar 25 raste të femrave me kancer, derisa 3 prej tyre janë zbuluar në fazën shumë të hershme dhe shërimi është i garantuar. Gjithashtu, duhet cekur se janë ekzaminuar femra të komunitetit jo shqiptar, gjë që mendoj se e bën edhe më të fuqishëm projektin”, ka thënë Biçuku.

Në Institutin Onkologjik, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për një vit lajmërohen rreth 200 raste të sëmundjes me kancer të gjirit. Kjo konfirmohet nga onkologu Arben Bislimi.

“Gjatë vitit 2015 janë diagnostikuar 198 raste me kancer gjiri, derisa nëse krahasohet edhe me vitet paraprake, numri pothuajse është i njejtë dhe nuk ka ndonjë rritje të numrit të të prekurave me kancer gjiri”, ka thënë Bislimi për Radion Evropa e Lirë.

Tutje, Arben Bislimi flet edhe për furnizimin me barna në Institutin Onkologjik, për trajtimin e kancerit.

“Mendoj se gjithmonë ka vend që të bëhet edhe më mirë. Ne kemi thënë që të shqyrtohet edhe një herë lista esenciale dhe vitale, por, aktualisht qëndojmë mirë”, ka thënë Bislimi.

Sidoqoftë, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ndonëse për trajtimin e sëmundjes së kancerit në Kosovë kërkohen rreth 9 milionë euro në vit, institucioni që ai udhëheq ka ndarë 5 milionë euro për këtë sëmundje.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG