Ndërlidhjet

Lokalet e natës nuk e respektojnë shenjën 18+


Ilustrim
Ilustrim

Shenja 18+, që ndalon hyrjen e të rinjve nën moshën 18 vjeç nëpër lokalet e natës, siç janë diskotekat, nuk respektohet në të shumtën e rasteve. Kështu thonë vetë disa të rinj që nuk e kanë arritur ende moshën 18 vjeçe.

Në anketën e përjavshme “VOX” që Radio Evropa e Lirë ka realizuar me disa të rinj, kryesisht të shkollave të mesme, ata thonë se me gjithë moshën nën 18 vjeçe, asnjëherë nuk u ndalohet hyrja në diskoteka e klube nate.

Erion Shala, 17 vjeç, vijon mësimet në Shkollën e Mesme "Gjin Gazulli", në Prishtinë. Ai thotë se të gjithë të rinjtë, të cilët kanë dëshirë të shkojnë në ndonjë diskotekë, nuk i ndalon askush për të hyrë aty.

"Nuk ka asnjë diskotekë në Prishtinë që ndalon hyrjen e të rinjve nën moshën 18-vjeçare. Na lejohet që të hyjmë, sepse ata përfitojnë nga ne. Aty lejohet të konsumosh çka të duash. Te ne ligjet nuk zbatohen", thotë ai.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:19 0:00

Erioni thotë, po ashtu, se te moshatarët e tij, aktualisht duhani konsumohet në masë të madhe. Ai tregon edhe për mënyrën se si një i ri, nëse nuk ka mundësi të blejë një pako me cigare, ato mund t’i sigurojë edhe në forma tjera.

"Disa lokale e kanë mundësinë që të shesin cigare me copë. Një cigare dhjetë cent", tregon Erioni.

Edhe Mimoza Makolli, nxënëse e Shkollës së Mesme “28 Nëntori”, thotë se sheh shpesh të rinjtë nxënës, që kanë më pak se 18 vjet, duke blerë cigare në dyqane të ndryshme.

"Ne mund të blejmë cigare edhe me copë, siç kam parë nxënës të shkollës sonë. Po, edhe në diskoteka mund të hyjmë, edhe pse nuk i kemi ende 18 vjet", thekson Mimoza.

Ndërkaq, Shqiponja Jetullahu, po ashtu nxënëse e Shkollës së Mesme "28 Nëntori", në Prishtinë, thotë se shumë të rinj të gjeneratës së saj, ndonëse nuk i kanë mbushur ende 18 vjet, në ditë të caktuara frekuentojnë diskotekat pa kurrfarë pengese.

"Nuk na ndalojnë asnjëherë, edhe pse ne jemi ata që mund të dëmtohemi, kurse ata përfitojnë nga ne. Ata në lejojnë që të hyjmë në diskotekë dhe na thonë kujdes nga pijet që konsumoni. Në Prishtinë po thuajse çdo natë ka organizime të ndryshme ", thotë Shqiponja.

Kurse, Iliriana Rama, nxënëse e vitit të parë të njërës nga shkollat e mesme të Prishtinës, rrëfen për festat që këta të rinj mund të organizojnë nëpër këso lloj lokalesh:

"Para dy-tre ditësh, një nga shoqet e mia e ka pasur ditëlindjen dhe kemi shkuar në një lokal-diskotekë për të festuar. Nuk kemi pasur ndonjë problem dhe aq më pak, pasi ka qenë e organizim. Unë sa herë që dal konsumoj lëngje, por kemi edhe shokë që konsumojnë birra".

Këta të rinj, janë të vetëdijshëm se nuk e kanë arritur moshën për t’i vizituar këto lokale.

Shpreson Krasniqi thotë se mosha 18 vjeçe, të cilën ai nuk e ka arritur ende, nuk e pengon atë që të dalë natën nëpër kafiteri apo ndonjë lokal tjetër.

"Nuk e di pse të rinjtë lejohen të shkojnë në diskoteka. Unë shkoj dhe nuk më ka ndaluar askush", shprehet Shpresoni.

Një dukuri tjetër që ka nisur të vërehet te të rinjtë, është edhe përdormi apo konsumimi nga shisha. Shisha është një term që përdoret gjithkund në botë, duke iu referuar tymosjes së aromave të ndryshme pa nikotinë apo edhe me të.

Kjo dukuri, sikurse edhe duhani, alkooli e të ngjashme, është e papranushme për Ardian Krasniqin nga Prishtina, i cili studion në Fakultetin e Arkitekturës.

"Frekuentimi i diskotekave dhe konsumimi i duhanit, nuk besoj që është e drejtë sidomos për nxënësit që janë nën moshën 18-vjeçare, nuk besoj që është e lejuar të hyjnë në kafiteri të ndryshme".

"Pse ndodh kjo në Kosovë, nuk e di, por ndoshta nga moszbatimi i ligjeve. S'ka inspeksion që kontrollojnë lokalet, po ashtu edhe pirja e duhani është një dukuri që nxënësit me të madhe janë duke e përdorur. Do të ishte mirë që të ndërmerren masa që për nxënësit duhani dhe alkooli të ndalohen", thotë Ardiani.

Organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, thonë se kohëve të fundit vërehet një rritje e konsumimit të duhanit, alkoolit dhe substancave narkotike.

Ekspertët thonë se përdorimi i alkoolit dhe substancave narkotike nga të rinjtë, mund të shkaktojë dëme të rënda në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral.

XS
SM
MD
LG