Ndërlidhjet

Vendimi i Kushtetueses në Maqedoni, cilësohet absurd


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një ligji me të cilin i mundësohet presidentit të shtetit që të falë personat e akuzuar, apo dënuar për mashtrime zgjedhore, pedofilët, trafikantët e drogës dhe shkelës të tjerë të ligjit, është vlerësuar si skandaloz dhe i paparë madje edhe në vendet diktatoriale në botë.

Kështu vlerësojnë ekspertët dhe njohësit e çështjeve politike, sipas të cilëve, me një vendim të tillë, Gjykata Kushtetuese ka suprimuar sistemin juridik në vend duke i dhënë të drejtën presidentit që të vendos për të gjithë precedentët e rëndë edhe atë ende pa pasur një epolog gjyqësor.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është me të vërtetë skandaloz dhe juridikisht i pa qëndrueshëm. Tani me shfuqizimin e këtij vendimi, në fakt, presidenti i ka duart e lira që të mund të falë kë të dëshiroj. Edhe sipas të drejtës ndërkombëtare dhe traktateve që janë edhe pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë, jo për çdo vepër penale duhet të ketë falje, jo për do vepër penale duhet të ketë amnisti".

"Ligji parasheh që për disa vepra penale, si për krime të rënda, pedofili dhe të tjera, nuk mund të ketë falje. Gjykata Kushtetuese si instancë e vetme e cila duhet të mbrojë Kushtetutën, e shkelë atë”, thotë Bekim Kadriu, profesor në fakultetin juridik të Universitetit të Tetovës

Igor Spirovski, ish gjykatës, thotë se me vendimi i Gjykatës Kushtetuese është absurd që do të ketë pasoja të rënda juridike dhe politike.

“Kam frikë se me një vendim të tillë Gjykata Kushtetuese ka marr përsipër një çështje, apo është vënë në shpërbim të një lënde politike, e cila është në kompetencë të Kuvendit. Kjo do të ketë pasoja të rënda pasi Kushtetuesja me një vendim të tillë nuk e forcon kushtetutën, por e bën objekt të marrëveshjeve politike”, thotë Spirovski.

Në këtë kuadër, njohësit e çështjeve politike thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për faljen e mashtruesve të zgjedhjeve e vënë në pikëpyetje gjithë marrëveshjen politike dhe mbajtjen e zgjedhjeve më 5 prill.

Veç kësaj, Marko Trashanovski ,thotë se vendimi çon në ndarjen e shoqërisë duke shkaktuar tensione si ato të një nate më parë kur dy grupe ishin shumë pranë konfrontimit, njëra që kishte dalë në rrugë kundër miratimit të një vendimi të tillë të Gjykatës dhe tjetri në mbrojtje të këtij institucioni.

“Ndarjet në shoqëri tani më janë evidente, por ato po vijnë duke u thelluar dhe janë pasojë e politikave ndarëse që udhëheqin partitë, por edhe e një vendimi si ky i fundit i Gjykatës Kushtetuese. Në dukje të parë, vendimet e tilla shkaktojnë ndasi mes anëtarëve të partive, por ekziston rreziku real i ndonjë shpërthimi të mundshëm duke parë aktivitetet e partive që bartin simpatizantë nga zona të ndryshme për të mbështetur politikat e tyre”, thotë Trashanovski.

Partitë politike, ndërkohë, kanë dhënë vlerësime të ndryshme lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lidhja Social-Demokrate konsideron se ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO DPMNE, “kanë pranuar vjedhjen e votave duke dhunuar të drejtën më elementare të qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe demokratike dhe se tani shpëtimin e vetëm e shohin tek Gjykata Kushtetuese dhe falja e mashtrimeve zgjedhore nga presidenti Ivanov”.

Nga VMRO-ja kanë akuzuar LSDM-së për “presione ndaj punës së gjykatave”,ndërsa BDI-ja kakritikuar vendimin e Gjykatës me vlerësimin se “do të hap dilema të shumta në shoqëri, por edhe do të nxis përsëritjen e veprave të tillë”.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në veçanti miratimi i tij me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave, është kritikuar nga Ambasada Amerikane duke kërkuar transparencë gjatë marrjes së vendimeve.

XS
SM
MD
LG