Ndërlidhjet

Mustafa: Asociacioni do të themelohet, për FAK-un duhet tejkaluar problemet me serbët


Intervistë me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa

Intervistë me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa

Në pjesën e dytë të intervistës për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndër tjera thotë se statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të hartohet dhe me të do të themelohet ky organ. Ndërkaq, në lidhje me demarkacionin, ai thotë se kjo çështje ka mbetur në duart e komisionit ndërkombëtar. Po ashtu, Mustafa vë në pah se pengesat aktuale me subjektet politike serbe po e mbajnë peng transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, aktualisht po përballeni me një presion të shtuar të opozitës për përmbylljen mandatit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Cili është qëndrimi i juaj karshi këtyre kërkesave?

Isa Mustafa: Qëndrimi është që ne e kemi legjitimitetin e plotë. E kemi legalitetin dhe po ashtu kemi edhe nevojën e qytetarëve të Republikës së Kosovës të punojmë, që të realizojmë programin tonë qeverisës, sidomos në fushat të cilat ne i kemi përcaktuar me prioritet gjatë këtij mandati.

Një fushë shumë e rëndësishme është ajo e zhvillimit ekonomik, sepse duhet të punojmë që të kemi investime të brendshme dhe të jashtme... Të shtojmë vende të reja të punës dhe të fillojmë të krijojmë perspektivë ekonomike për qytetarët tanë. Ne nuk mund të merremi gjithë kohën me zgjedhje dhe rivalitete të brendshme, të cilat çojnë deri te ajo që dikush nga opozita të mos e pranojë qeverinë dhe qeverisjen, sepse ata kanë pranuar në momentin kur kanë pranuar rezultatet zgjedhore.

Ndërkaq, janë dy kauza të cilat opozita i ka shfrytëzuar për të eskaluar situata deri këtu. Është Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe demarkacioni me Malin e Zi. Mendoj që për Asociacionin tashmë është dhënë mendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe ne duhet të veprojmë vetëm sipas këtij vendimi dhe kështu duhet të sillet edhe opozita. Kurse sa i përket demarkacionit është themeluar një komision ndërkombëtar i cili do të merret me çështjen e shenjimit të kufijve. Ky komision do të tregon se a ka qenë veprimi në rregull dhe a janë respektuar të gjitha procedurat, a është shfrytëzuar dokumentacion valid me rastin e caktimit apo ricaktimit të vijës kufitare, sepse ne kemi të bëjmë vetëm me shndërrimin e vijes administrative në vijë kufitare.

Besoj do të përfundon në një periudhë të caktuar kohore, varësisht agjendës që ka ky komision dhe më pas mendoj se opozita nuk do të ketë më të drejtë që këto çështje t’i merr si shkas.

Radio Evropa e Lirë: Ndalemi te çështja e Asociacionit. Kur do të procedohet tutje me statutin e këtij organi, në mënyrë që të fillojë themelimi i tij?

Isa Mustafa: Vendimi i Gjykatës Kushteteuse na orienton që ne duhet të punojmë dhe ta themelojmë Asociacionin, sepse sipas këtij vendimi thuhet se ai është bërë pjesë e normave juridike të vendit. Ne do të punojmë në themelimin e Asociacionit dhe do ta koordinojmë këtë aktivitet edhe me Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që ta njoftojmë edhe Kuvendin me të gjithë hapat që duhet t’i ndërmarrim dhe nuk do të veprojmë në mënyrë të njëanshme si qeveri në këtë rast.

Statuti duhet t’i dërgohet sërish në shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që kjo Gjykatë të sheh se çdo normë e këtij statuti është në harmoni me vendimin e saj.

Dhe, në momentin kur Gjykata Kushtetuese e konsideron se ai është në rregull në pikëpamjet kushtetuese, jo vetëm të frymës, por edhe normave kushtetuese, atëherë ai mund të bëhet i pranueshëm dhe mund të pranohet nga qeveria e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Përfundimisht jeni të vendosur që pavarësisht kërkesave, trysnive apo bojkotit të opozitës, institucionet ta vazhdojnë punën, agjendën e tyre?

Isa Mustafa: Institucionet me çdo kusht duhet ta vazhdojnë punën e tyre. Ne kemi shumë detyra të cilat duhet t’i bëjmë gjatë kësaj periudhe në të gjitha fushat, në atë të ekonomisë, forcimit të shtetit ligjor apo atë të integrimeve evropiane.

Nga fillimi i prillit do të hyjë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim – Asocim. Është shumë e rëndësishme për ne që të fillon të zbatohet. Të shpresojmë që do të merret vendimi edhe për liberalizimin e vizave pas vizitës së ekipit të Komisionit Evropian javën e kaluar, për të parë nëse i kemi përmbushur tetë kriteret e mbetura. Andaj, unë mendoj që opozita nuk e ka asnjë arsye që të qëndrojë jashtë Kuvendit apo që të pengojë punën e Kuvendit me gaz lotsjellës apo që të ushtrojë veprime të cilat nuk janë demokratike.

Duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët, në mënyrë që bashkërisht t’i tejkalojmë këto çështje. Të punojmë në reformën zgjedhore, sepse duhet ta bëjmë këtë reformë. Të punojmë në çështjet e dialogut bashkërisht, si edhe në atë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku do të ishte shumë e dobishme t’i kemi përfaqësuesit e opozitës në grupet punuese, në mënyrë që ai të përgatitet si një pajtueshmëri e të gjitha palëve. Po ashtu, të punojmë edhe në çështje tjera me rëndësi, siç janë integrimet evropiane apo transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Në gjithë këto procese, sidomos në atë të transformimit të FSK-së, nuk prisni se do të ketë probleme me konsensusin politik me subjektet që përfaqësojnë komunitetin serb?

Isa Mustafa: Ne po mundohemi maksimalisht që t’i tejkalojmë këto pengesa dhe këto hezitime, veçmas te pakica serbe, sepse po mos të ishin ato, e them haptas, ne do ta bënim transformimin shumë më herët, për arsye se janë bërë të gjitha përgatitjet që FSK të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës.

Këto Forca nuk do të jenë vetëm të shqiptarëve, por të gjithë qytetarëve të Kosovës. Anëtarësimi i vendeve fqinje në NATO, por edhe kërkesa e jonë që edhe ne të bëhemi anëtare e NATO-s, sigurojnë që ne të mos kemi ushtri të veçantë dhe të mos kemi probleme të veçanta ndërmjet ushtrive tona (vendeve të rajonit), por do të jemi pjesë e projekteve dhe programeve të NATO-s. Të gjitha nevojat tona do t’i harmonizojmë në suaza të NATO-s në të ardhmen dhe në këtë aspekt unë mendoj se duhet ta kemi përkrahjen e të gjithë qytetarëve, pra, edhe të serbëve dhe se do të ishte një hap i rëndësishëm dhe i nevojshëm që ne t’i kemi Forcat e Armatosura si shprehje e vullnetit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, fare shkurt, keni ndonjë kërkesë, kushtëzim nga subjektet serbe në shpagim të votës së tyre në favor të Forcave të Armatosura të Kosovës?

Isa Mustafa: Deri më tani, për aq sa kemi biseduar me ta, nuk kemi pasur ndonjë kërkesë, nëse mund ta quaj eksplicite, që ata kërkojnë diçka si këmbim. Do të ishte shumë vështirë edhe për ne nëse do të kishte marrëveshjet të tilla, sepse në raste të tilla, nëse kërkohet plotësimi i një kërkesë për votimin e kësaj apo asaj çështje, ne mbyllim një nevojë tonën, por e hapim një problem tjetër. Ne nuk do ta praktikojmë një gjë të tillë. Ne do praktikojmë që ata t’i bindim që forcimi i kësaj fushe dhe krijimi i Forcave të Armatosura është në interesin e tyre dhe tonin. Po ashtu, nuk do të ketë veprime jashtë marrëveshjes me NATO-n në asnjë moment. Do të kemi bashkërenditje të plotë dhe se të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajoni do të ndiheshin më të sigurt nëse ne do t’i kemi këto forca të organizuara, strukturuara dhe të mobilizuara, sipas standardeve të NATO-s.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG