Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Ministrat e BDI-së deponojnë dorëheqjet


Ali Ahmeti - Lider i Bashkimit Demokratik për Integrim

Ali Ahmeti - Lider i Bashkimit Demokratik për Integrim


Që të gjithë ministrat e partisë shqiptare në pushtet, BDI, të premten kanë deponuar dorëheqjet e parevokueshme nga posti që kanë bartur deri te kryeministri teknik, Emil Dimitriev, të cilën gjë e ka konfirmuar dhe zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë.

Deponimi i dorëheqjeve të ministrave të BDI-së vjen pas vendimit të Kryesisë Qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili u mor të enjten në mbrëmje që të tërheqë të gjithë zyrtarët e saj aktual nga pushteti ekzekutiv i Republikës së Maqedonisë.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate me shkrim kanë njoftuar se shkak për largimin e ministrave të kësaj partie, është publikimi i një bisede mes zyrtarëve të lartë të kësaj partie të inskenuar në laboratorët e nëntokës, dhe me këtë është kompromentuar procesi i publikimit të materialeve të përgjuara, pasi ato përdoren nga nëntoka dhe kriminelë të caktuar për qëllime shantazhi dhe diskreditimi.

“BDI-ja nuk është shkaktare e krizës, por është zëri i arsyes dhe promotor i zgjidhjes dhe tashmë viktimë e devalvimit dhe komprometimit të procesit. Andaj dhe vendosi t’i tërheqë të gjithë anëtarët e vet aktual nga pushteti ekzekutiv dhe nuk do të tolerojë degjenerim të procesit, cenim të gjykimit të sovranit, instalim në skenën të poltronistëve të nëntokës".

"Njëkohësisht fton qytetarët që mos të bien pre e asnjë montimi, krimi, shpifjeje ose përpjekjeje që bëhet qëllimisht për ta dëmtuar procesin reformues nëpërmjet provokimit të reagimit joracional nga ana e Bashkimit Demokratik për Integrim”, thuhet në reagimin me shkrim të BDI-së.

Por, ende mbetet e paqartë nëse partia shqiptare në pushtet, BDI, braktis Qeverinë si parti, apo vetëm ka larguar ministrat aktualë nga Qeveria dhe të njëjtit do të duhet të zëvendësohen me emra të rinj.

Ndërkaq, Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike në Maqedoni, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeveritar, konsideron se partia shqiptare ka marrë vendim që të largojë nga Qeveria ministrat e saj, si rrjedhojë e mosplotësimit të kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat janë caktuar të mbahen me pesë qershor.

“Në bazë të vlerësimeve që i kemi bërë ne, si parti, po edhe më gjerë, është se nuk është plotësuar pjesa më e madhe e marrëveshjes politike, si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Mendoj se edhe BDI-ja vendosi kështu për shkak të vlerësimit se nuk janë plotësuar kushtet për zgjedhje kredibile më 5 qershor".

"Në këtë drejtim, do të ishte mirë që partitë politike, sa më parë të jetë e mundur, të fillojnë bisedimet për formimin e një Qeverie ekspertësh, e cila do të ketë për detyrë t`i kryejë reformat e nevojshme në gjyqësi, në sferën e medieve, sidhe në të gjitha gjërat tjera të nevojshme për zgjedhje të lira dhe demokratike”, është shprehur Trajanov.

Ndërkaq, deputeti Zulfi Adili, nga partia Uniteti që udhëhiqet nga ish-gjenerali i UÇK-së, Gëzim Ostreni, tërheqjen e ministrave të BDI-së, e sheh si veprim në favor të VMRO DPMNE-së, e cila parti insiston që të shkohet me çdo kusht në zgjedhje më 5 qershor.

Sipas Unitetit bëhet fjalë për një trik politik, nga BDI-ja, në favor të shefave të tyre nga ana e VMRO DPMNE-së që si të shkohet në zgjedhje në një situatë, e cila nuk është në favor të demokratizimit të institucioneve, nukështë në favor të dekriminalizmit të institucioneve të shtetit. BDI-ja ka pasur mundësi shumë më herët të dalë nga Qeveria, por këtë nuk e ka bërë, prandaj jemi të bindur se bëhet fjalë për një trik politik”, ka thënë deputeti Adili.

Por, nga partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO DPMNE, janë shprehu të vendosur që më 5 qershor të shkojnë në zgjedhje me ose pa Bashkimin Demokratik për Integrim.

Kurse, partia më e madhe në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, ka theksuar se Bashkimi Demokratik për Integrim duhet të sqarojë se cilat janë arsyet e tërheqjes së ministrave të kësaj partie nga Qeveria në kohën kur qeveria teknike duhet të përgatit kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Adresa e vërtetë nga ku duhet kërkuar përgjigje është BDI-ja, e cila duhet të tregojë arsyet e vërteta për një vendim të këtillë, përkatësisht të largohet nga qeveria teknike, e cila ka për qëllim krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve në një frymë demokratike”, ka theksuar Hari Llokvnec nga LSDM-ja.

Dorëheqja e ministrave të partisë së Ahmetit vjen në kohën e publikimit në media dhe rrjetet sociale të një bisede të përgjuar me përmbajtje erotike ndërmjet dy zyrtarëve të lartë të kësaj partie.

Biseda ka nxitur reagime të shumta në opinion, madje edhe në vetë partinë, BDI. Nuk ka informacione nëse pikërisht ky skandal ka qenë shkaku i vendimit të kryesisë partiake.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni duhet të mbahen më 5 qershor, ndërsa paraprakisht, më 7 prill, hyn në fuqi vendimi për shpërndarjen e Kuvendit.

Zgjedhjet janë rezultat i marrëveshjes ndërmjet katër partive kryesore politike për t’i dhënë fund krizës politike, e cila është shkaktuar nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, e publikuar nga opozita, e cila pretendon përfshirjen e zyrtarëve më të lartë në afera të shumta kriminale.

XS
SM
MD
LG