Ndërlidhjet

Thellohet kriza në Maqedoni, vazhdojnë protestat


Dështimi i bisedimeve të parapara për të premten në Vjenë të Austrisë, ka ndërlikuar edhe më shumë krizën politike dhe të sigurisë në Maqedoni, ndërkohë që partitë betejën e kanë përqendruar në protesta dhe kundër-protesta për mbrojtjen e pozicioneve të tyre.

Nga Lidhja Social-Demokrate e opozitës, thonë se përgjegjësinë për gjendjen e krijuar, e bart pushteti për shkak të, siç thonë, ikjes nga përballja me drejtësinë për krimet e bëra, por edhe me rrënimin e pikave kryesore të marrëveshjes politike.

“Përgjegjës për të gjitha ngjarjet në Maqedoni është e Nikolla Gruevski, Gjorgje Ivanovit dhe Trajko Veljanovskit. Tashmë është e qartë se pse Nikolla Gruevski nuk dëshiron zgjedhje të lira dhe demokratike. Ai po ikën nga pastrimi i Listës zgjedhore, nga reformat në media dhe nga ndarja e partisë nga pushteti”.

Në Maqedoni duhet dhe do të ketë zgjedhe të lira dhe demokratike. Maqedonia demokratike nuk do të lejojë që Gruevski ta mbajë peng të ardhmen e shtetit”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov duke paralajmëruar vazhdimin e betejës për rrëzimin e, siç thotë, pushtetit të kriminalizuar.

Por, nga VMRO-ja thonë të kundërtën duke akuzuar opozitën për dështimin e përpjekjes së radhës të përfaqësuesve ndërkombëtarë për arritjen e një marrëveshjeje të re për krizën.

Me sabotimin e takimit të Vjenës, Zoran Zaev ka dëshmuar se për të, më me rëndësi është interesi personal, se ai i shtetit dhe qytetarëve, të cilët dëshirojnë t'i jepet fund kësaj krize të gjatë politike. Me këtë sabotim, Zoran Zaev ka lëshuar edhe një shans për arritjen e marrëveshjes për zbatimin e asaj, për të cilën jemi marrë vesh, mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor”.

“Ai dhe LSDM-ja janë fajtorë të drejtpërdrejtë për krizën në të cilën është përfshirë vendi. Zoran Zaev dhe partia e tij bartin përgjegjësi për thellimin e tensioneve dhe rrezikun për destabilizimin e vendit”, ka deklaruar Antonio Milloshoski, anëtar i Komitetit qendror të VMRO DPMNE-së.

Lidhur me dështimin e takimit, kanë reaguar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë nëpërmjet një letre të përbashkët, duke i bërë përgjegjës të gjithë liderët politikë për gjendjen e krijuar.

Dështimi i takimit të liderëve të katër partive politike nga njohësit e çështjeve politike shihej si shans për dalje nga qorrsokaku politik.

Por, tani, pas dështimit, ata kanë humbur shpresat për normalizimin e gjendjes, pa ndërhyrjen e diplomacisë amerikane, e cila në ishte treguar e suksesshme në rastin e parafundit kur partitë arritën marrëveshje për shtyrjen e zgjedhjeve nga 24 prilli për më 5 qershor, për t’i dhënë kohë plotësimit të kushteve të parapara.

Që nga fillimi i krizës, Evropa është treguar e butë apo e pavendosur që të bën të mendosh se toleron regjime autoritare që shkelin të drejtën demokratike të qytetarëve. Rrjedha e ngjarjeve, që nga nënshkrimi i marrëveshjes politike, dëshmoi se pa SHBA-në, në Maqedoni nuk do të mund të zgjidhet kriza. Kjo mbetet mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit”, ka deklaruar ish-diplomati Nano Ruzhin.

Gjendja e krijuar është tensionuar edhe nga raportimet e medieve, të cilat janë të ndara varësisht interesit politik.

Sefer Tahiri, ligjërues në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, ka thënë se në përpjekje për t'i ikur përgjegjësisë, zyrtarët po bëjnë të gjitha presionet e mundshme mbi mediet për të ndezur situatën.

“Vlerësoj se Maqedonia në aspektin politik ndodhet në një situatë tepër delikate, meqë ballafaqohet me një konfrontim tepër të hapur ndërmjet pushtetit dhe opozitës dhe në një situatë të këtillë, shpëtimin e vetëm politika e pushtetit e sheh te tensionimi apo konfliktualiteti i mëtejmë i gjendjes. Mendoj se në këtë rast media nuk duhet t'i shërbejë skenarit, i cili mund të jetë i zi për të ardhmen e vendit”, ka vlerësuar Tahiri.

XS
SM
MD
LG