Ndërlidhjet

Opozita ri-rreshtohet, Kuvendi i vazhdon seancat pa të


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Partitë në pushtet dhe ato në opozitë nuk kanë vendosur ende dialogun e ndërsjellë me qëllim të tejkalimit të mospajtimeve dhe funksionalizimit të Kuvendit të Kosovës.

Kryesia e Kuvendit, është mbledhur të hënën dhe ka caktuar seancën e radhës më 28 prill, por aty nuk ka marrë pjesë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, e vetmja që përfaqëson opozitën në këtë organ.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se opozita duhet të rikthehet në Kuvend në mënyrë që t’i merr përsipër përgjegjësitë që i takojnë. Deri më tani, sipas tij, kishte disa komunikime, por jo në nivel të liderëve.

“Ata duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës dhe duhet të kthehen sa më shpejt. Pak ka rëndësi se cilat janë raportet aktuale mes tyre, ata duhet të kthehen si opozitë dhe t’i marrin përgjegjësitë në vendimmarrje të cilën e kemi të përbashkët".

"Oferta vazhdon të jetë e njëjta. Ne kemi disa komunikime mes nesh, por të cilat nuk e atakojnë drejtpërdrejtë lidershipet e partive”, ka thënë Veseli.

Përderisa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, njëherësh ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike po i përsëritë ftesën opozitës të kthehet në Kuvend, dy subjekte opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, tashmë kanë marrë vendime që të mos jenë pjesë e seancave të kësaj legjislature.

Vendimet e tyre mbështeten në vlerësimet politike se ky kuvend dhe këto institucione e kanë humbur legjitimitetin.

Ndërkaq subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, praninë në seanca e ndërlidhë më agjendën e Kuvendit.

Por, si do që të jetë, opozita, pas ndarjes ndërmjet AAK-së dhe Nismës në njërën anë dhe Vetëvendosjes në anën tjetër, sot ka pësuar edhe një ndryshim të ri.

Deputeti Ilir Deda, ka konfirmuar edhe zyrtarisht se është tërhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të dallimeve konceptuale që ka me këtë subjekt politik. Dorëheqjen nga Vetëvendosja, Deda e ka bërë publike në selinë e kësaj partie politike gjatë një konference të përbashkët me sekretarin organizativ të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

Ky i fundit ka thënë se pa Ilir Dedën, Vetëvendosje dobësohet, por sipas tij, e përbashkëta e tyre mbetet kundërshtimi i qeverisë aktuale të Kosovës.

Kurse Ilir Deda, ka paralajmëruar se brenda një kohe do të angazhohet në një organizim të ri politik.

“Unë do ta fillojë një angazhim në muajt e ardhshëm. Të jemi të qartë, jo në javët, por muajt e ardhshëm për krijimin e një organizimi të ri politik”, ka thënë Deda.

Ri-rreshtimet në skenën politike në Kosovë tashmë janë një praktikë e zakonshme. Edhe në të kaluarën, deputetët apo zyrtarët e ndryshëm të partive politike kalojnë nga një subjekt në tjetrin.

Një lëvizje e tillë, së fundi ishte ajo e ish shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj Bujupi e cila kaloi në Lëvizjen Vetëvendosje.

Por, në rastin e deputetit, Ilir Deda, ai vet ka konfirmuar se nuk e sheh si zgjidhje bashkimin në ndonjë subjekt politik, por krijimin e një organizimi të ri.

--

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG